Bojaxhi: Kemi nevojë për një model ndryshe
Gjergj Bojaxhi thotë se shoqëria shqiptare ka nevojë për zëra ndryshe në podiumin e parlamentit, si i vetmi podium ku mund të tregohen modelet e reja dhe shoqëria të mund të vlerësojë për rëndësinë e tyre.
Anëtari themelues i SFIDA për Shqipërinë, i ftuar në emisionin Zululand të gazetarit Mustafa Nano, u shpreh se synim për Sfidën është të jetë zë në podiumin e parlamentit shqiptar.
“Ne kemi nevojë për një podium që t’i tregojmë shoqërisë një model ndryshe, një tjetër lloj njeriu dhe një tjetër lloj sjelljeje. Një përpjekje reale dhe gjenuine për të zgjidhur problemet dhe jo diçka teatrale që është sot në parlament”, u shpreh Bojaxhi.
I pyetur mbi modelin e partive politike, Bojaxhi u shpreh se politikanët shqiptarë kanë një mentalitet korruptiv që e ka nisjen, përveç të tjerash, tek mënyra se si funksionojnë partitë shqiptare dhe tek fakti që kryetari është pronar i partisë.
“Ne po përpiqemi të bëjmë një organizim partie, ku të mos ketë pronar partie e ku kandidatët për deputëtë të përcaktohen sipas parimit ‘një anëtar një votë’,” është shprehur anëtari themelues i SFIDA.
Duke diskutuar për problematikat që ka demokracia në vendin tonë, Bojaxhi u shpreh se problemi qëndron tek paqartësia dhe varësia që kemi krijuar nga sistemi, prandaj SFIDA ofron një model ndryshe.
“Ne kërkojmë kufizim të mandateve të politikanëve, të shtojmë mjetet që qytetarët kanë në dorë për të ushtruar vullnetin e tyre si edhe të drejtën për referendume”, u shpreh Gjergj Bojaxhi.
Please follow and like us: