Debati mbi filmat, broçkullat e Fevziut dhe një paralele me Çekinë
Piro Milkani
Kinoregjisor
Shprehja proverbiale e aktorit Mihal Stefa “Po me urën ç’patën?”, në filmin “Kur zbardhi një ditë” ka hyrë në repertorin e çdo ndodhie absurde të jetës tonë. E kur mendon se kanë kaluar 48 vjet nga koha kur një plak i çoroditur vinte rrotull urës se dëmtuar nga gjermanët dhe herë pas here, pa iu drejtuar askujt, recitonte me habi e dhimbje: PO ME URËN Ç’PATËN?, thua: Të ishte gjallë ky aktor fisnik do të përsëriste sot pambarim: Po me filmat ç’patën?
Qysh në fillimet e këtij debati shterpë e thashë në një shkrim, në emër të gjithë kolegëve të mij, se ne nuk kemi dashur ta zgjasim bisedën me askënd kur vihet në dyshim puna gjysmë shekullore e qindra krijuesve të këtyre filmave. Jo nga frika se do të humbisnim pikë në këtë debat, por na dukej i pavlerë. E megjithatë duhet ta pranojmë se ata që e ndezën këtë debat ia arritën qëllimit. Kanë kaluar gati dy javë dhe nuk kanë të reshtur shkrimet në të gjithë shtypin shqiptar e në çdo ekran televizioni Kombëtar apo lokal. Nismëtarët e debatit “Ti ndalojmë apo jo filmat e prodhuar në kohën e regjimit komunist?” nga dita në ditë po rrëshqasin në një zonë të minuar dhe po humbin hap pas hapi terren. Për mendimin tonë arsyeja kryesore është se argumentet e tyre nuk kane bazë reale, për të mos thënë se po i mbrojnë tezat e tyre me një mori faktesh të rreme. Ndjej keqardhje sidomos për ata që edhe para fakteve kokëforte bëjnë sikur nuk kuptojnë dhe vazhdojnë t’i përsërisin ato, le t’i quajmë rrena. Përjashtoj këtu tërheqjen elegante të Agron Tufës me të cilin ija vlen të diskutosh.
Shije të hidhur ka lënë sidomos emisioni “Opinion”, i drejtuar nga Blendi Fevziu. Jam i qetë kur gjeta një justifikim për të mos shkuar atje duke thënë se ato që do t’i them aty i kam dërguar tashmë në Gazetën Shqiptare. E pranoj haptas se nuk e pëlqej mënyrën se si moderatori drejton emisionin që ka të përbashket me Bruno Vespën e madh vetëm gjestikulacionin, por dihet tashme zotësia e tij për ta futur bisedën në hullinë që i intereson atij. Në materialet filmike ilustrative që ndërhyhet herë pas here në emision, edhe më naivi e kupton se kishte një tendencë keqdashëse ndaj 240 filmave artistikë të realizuara në gjysmë shekulli. Pafundësisht vendin kryesor e zinte një sekuencë nga filmi “Furtuna” që një partizan i vogël qëllon me llastik ushtarët italianë, për të vazhduar deri në mërzi me sekuencën e një filmi ku nena i thotë të birit: “Dhe ta duash Partinë bir!”.
Nuk është rastësi por rregull që pjesëmarrësit, gjashtë gjithsej, flasin njëkohësisht duke krijuar një kakofoni të mërzitshme së cilës për më shumë i shtohet ndërhyrja e Fevziut. Me vinte keq që në këtë duel fjalësh as i miri Mentor Kikia e as Reiz Çiço nuk ia dilnin dot përballë Jonila Godoles, poshtë se cilës shkruhej “Pedagoge në UT”, as përballë sociologut Ergys Mertiri apo E. Kaprit. Në këtë rrëmujë mezi dalloje se Godole kërkonte që këto filma plehra duhet të zhdukeshin nga ekranet e TV-ve një orë e më parë, ndërsa Mertiri argumentonte se kineastët lavdërojnë njëri-tjetrin dhe u duket vetja sikur kushedi ç’kanë bërë. Për ta bërë më të besueshme, Kapri këshillon të merret shembull Çekia, ku vetë kineastët kanë kërkuar që të hiqen nga qarkullimi filmat e tyre të pavlerë. Po nuk mbaron me kaq. Për t’i ndaluar këto filma duhet marrë shembull nga vendet e lindjes. Ja për shembull Rumania, në filmat e kohës së komunizmit vendos një shenjë, një si yll të kuq, që spektatori ta kuptojë se kujt epoke i përkasin- thotë Godolja. Dhe përbetohet se e paska parë me sytë e saj këtë gjë kur ishte në Rumani.
Edhe pse bota e kinemasë nuk është kaq e madhe sa mund të mendojë Godolja, edhe pse jemi të ndjeshëm se çfarë ndodh në botën e filmit dhe dimë shumë për njëri-tjetrin, e vura në dyshim vetveten dhe në atë moment thashë me vete: Paskan rrëshqit rumunët! U vënë shenja filmave komunistë si dikur nazistët u vinin hebrejve yllin e Davidit. Me këtë na vuri në lojë e në provë. I shkruam Drejtorit të Arkivit shtetëror të filmit rumun Marian Tuttuit nëse janë të vërteta këto broçkulla. Tuttui nuk vonoi 24 orë dhe u përgjigj se nuk ka asnjë censurim e asnjë shenjë.
Edhe pse tekstin e plotë të Tuttuit e publikova në Pasdite në Top Channel, vetem Agron Tufa e pranoi se ky mund të jetë një keq informim. Të tjerët edhe në emisione të tjera insistonin se kjo është e vërtetë. Edhe pse deklarova me përgjegjësi se nuk kemi asnjë dijeni që në ndonjë vend të Europës Lindore nuk ka më asnjë lloj censure Kapri, që të kujton hollandezin fluturues, kur lëviz nga Klani te Vizion plus dhe çdo herë ndërron variante. Njëherë thotë se në Rumani vihet në filma shenja PKR (Partia Komuniste Rumune), herën e dytë e ka për qejf Çekinë ku kineastët vetë kërkojne ndalimin e filmave të tyre. Dhe kur mbarojnë bateritë e argumenteve të pavërteta hedhin në lojë tezat se ne paskemi qenë vendi më diktatorial dhe më stalinist dhe se me këto filma po fyen të përndjekurit politikë. A thua se në ish Bashkimin Sovjetik Stalini aplikoi diktaturën leniniste.
Po si është e vërteta? Për të sqaruar këtë i lutem lexuesit të më mirëkuptojë dhe të më lejojë të kthehem shume vite më parë kur rifilluan lidhjet e mija me Çekosllovakinë e në veçanti me fituesin e çmimit Oskar Jirzhi Menzel.
Pasi përfundova studimet ne Akademinë e Arteve (fakulteti i filmit) në vitin 1961, fillova punën në Kinostudio, fillimisht si operator e më pas si regjisor në më shumë se 20 filma artistikë e disa filma dokumentarë e kronikalë. Gjatë tridhjetë viteve punë në Kinostudio, pata mundësinë të shkoj disa here jashtë shtetit ose në ndonjë festival të filmit shqiptar ose për të vizionuar apo blerë filma francezë apo italianë për rrjetin e kinemave. Përmes antenave me kanaçe që na mundësonin të shikonim fshehurazi shumë filma të huaj në RAI , duke ndjekur TV Beogradin e duke përpirë revistat Cahier du Cinema, Said end Saund, Bianco e Nero e gati të gjitha revistat kinematografike të Europës Lindore, që furnizonin rregullisht bibliotekën e Kinostudios nuk ndjeheshim të izoluar për çka ndodhte në botën e filmit. Përmes tyre mësuam ndër të tjera se Jirzhi Menzeli mori në vitin 1966 çmimin Oskar me filmin “Trenat e syrvejuar rreptësisht”. Ishte vetëm 28 vjeç.
Por udhëtimi im më i bukur erdhi pas 22 marsit të vitit 1992 kur Shqipëria u bë vend pluralist dhe ëndërronte të bëhej si gjithë Europa. Po kthehesha aty ku kisha studiuar e mësuar jo vetëm kinema po kisha njohur kulturën e një vendi plot tradita kulturore. Në javën e parë nga mëngjesi në darkë nxitoja të takoja sa më shumë shoke e miq. Në ditën e shtatë në anën tjetër të telefonit dëgjoj zërin e Jirzhi Menzelit që nuk la fjalë pa më thënë, duke më qortuar se si është e mundur që nuk e njoftoj se jam në Prage.
– O Jirko! Po ç’të të takoj. Ku une e ku ti! Ti je në qiell e unë një hiç kineast para teje.
– Lëri këto! Sot në orën pesë të pres në hollin e Teatrit në Shqepanska.
Dhe nuk e zgjati po mbylli telefonin.
Pata shumë emocion kur e takova. I tregova fije e për pe çdo gjë që kisha përjetuar në këto tridhjetë vite që nuk patëm asnjë mundësi të komunikonim. Për çudinë time më tha se nuk ishte habitur fare dhe se ai e gjithë të tjerët kishin kaluar kohë më të këqija.
– Nuk eshte e mundur i thashë. Mos u tall me mua…
– Ja ta them unë pse, -ma ktheu. Ju patët ç’patët e kishit ndërmjet jush. Ne nuk kishim mbi kokë vetëm bolshevikët tanë. Vetëm disa vjet patëm iluzionin e lirisë në Pranverën e Pragës kur medemek do ndërtonim Socializmin me fytyrë njeriu. Po pas asaj erdhi koha më e keqe. Tanket ruse përgjakën rrugët e Pragës dhe “miqtë” tanë sovjetikë na mbajtën në robëri plot 22 vjet. Ti do më thuash se ai Enver Hoxha juaj ishte më i keq se ai këpucari pijanec Klement Gotvald që pushkatoi tre anëtarë të Byrosë politike me Rudolf Slanskin në krye, Sekretarin e përgjithshëm të Partisë Komuniste Çekosllovake. E akuzuan si agjent të imperializmit amerikan. E pakët të duket ty të pushkatosh një zonje si Milada Horakova vetëm se kishte disa pikëpamje socialdemokrate. Më thuaj tani që s’kam të drejtë. Hajde e bëj filma të mirë në këtë robëri të dyfishte.
– Po mire, – e pyeta- si ndodhi atëherë në 68-ën kur 500 mijë çekë e sllovakë u larguan nga Çekia. Pse nuk ike në Perëndim siç bëri Formani, Ivan Paseri, Kundera, Viktor Knapi e plot të tjerë?
Jirzhi m’u përgjigj me sinqeritet:
– I bëra gati valixhet dhe në momentin e fundit thashë: Po çfarë do bëhet këtu po të ikim të gjiithë? Shkretëtirë kulturore? Dhe vendosa të qëndroj…
Nga ajo kohë nuk i ndërpremë lidhjet.
Rasti e solli që në vitin 1998 të shkoj në Pragë si Ambasador i Shqipërisë. Asnjëherë Jirkoja nuk harroi të më ftonte në premierat e përsosura teatrale që ai iu bënte regjinë. Peveçse regjisor filmi që ka marrë pafundësisht çmime në festivalet më prestigjioze të filmit, pasioni i tij më i madh është teatri. Ka vënë në skenë 100 pjesë teatrale në shumë metropole të Europës. E mailin që më dergoi pardje ma dërgoi nga Bratislava ku po vë në skenë një pjesë teatrale. Po para se të vijmë te letra le të kujtojmë dy vizitat e tij në Shqipëri.
E pyeta njëherë se si është e mundur që pas vitit 1994 nuk ka bërë asnjë film tani që ke liri të plotë krijuese.
– Të bësh film sot është stërmundim i tmerrshëm për të bërë montazhin financiar. Unë s’kam më fuqi të lutem e të lyp para poshtë e lart. Ndryshe është teatri. Po kinemaja është mikrobi më i pashërueshëm.
Ne vitin 2004 u dha lajmi: Menzeli vendosi të ekranizojë romanin e autorit të tij më të dashur Bohumil Hrabal. Romani “I kam shërbyer mbretit të Anglisë” do të bëhej film. Buxheti katër milion dollarë. Atë vit ndodhesha në Pragë duke përgatitur filmin “Trishtimi i zonjës Shnajder”. Të dy kishim nxitim të madh. Megjithatë u takuam vetëm një çerek ore dhe unë i dhurova librin e Hrabalit që e kisha përkthyer para pak muajsh. Dedikimi në të: “Shpresoj që mbreti i shqipëruar i Hrabalit të të sjellë fat”.
Në vitin 2008 ramë dakord me Anila Varfin, Presidenten e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, ta ftonim Menzelin me filmin e tij. Jo vetëm që e zbukuroi festivalin me filmin e tij, por Juria Ndërkombëtare i dha “Gladiatorin e Artë” si filmi më i mirë. Me Ambasadoren çeke në Tiranë, Marketa Fialkova, e vendosëm që t’ia bënim Jirkos qëndrimin në Shqipëri sa më të këndshëm. Të tre, me teleferik, po ngjiteshim në malin e Dajtit. Për dhjete minuta askush nuk fliste. Jirko vëzhgonte peizazhin dhe më pas foli.
– Faleminderit Piro, që më solle në Shqipëri.
– Po pse? – e pyeta.
– Po ja, unë kujtoja se Shqipëria jote është një vend i bukur po e imagjinoja si një vend me ca barraka të vjetra e godina parafabrikate. Sa gjëra të bukura pashë e sa njerëz të mirë njoha.
E kisha marrë autorizimin nga Anila dhe i thashë:
– Ai Gladiatori që more e ka bishtin mbrapa. Kur të kthehemi në Durres Anila do të dorëzojë një zarf me pesë mijë Euro.
– Pesë mijë Euro nga shqiptarët e varfër për mua? Nuk pranoj… ose më mirë po i marr po do t’ia dhuroj ndonjë Fondacioni në Çeki. Dhe ashtu bëri. Që i pëlqeu Shqipëria e kuptuam kur u rikthye gjithë dëshirë në vitin 2012. Kësaj here si President i Festivalit në Durrës.
Se fundmi, vitin që shkoi lexova librin e tij autobiografik “Vitet e çuditshme”. Plot 420 faqe. Dhe në fund të librit shkruan:
Dhe unë mendoj se erdhi momenti ta ndërpres këtë shkrim… edhe kështu është libër goxha i trashë.
Për gjysmë shekulli më kanë ndodhur shumë gjëra. Se ç’farë ka ndodhur në këtë çerek shekulli do ta lexoni në librin tjetër. Mendoj se dhe ai do të jetë po kaq i trashë.
Fjala vjen për atë si i tundnim të gjithë çelësat që ta zbonim atë regjim. Dhe ç’ndodhi më pas. Me të mirat e të këqijat.
Apo për atë se si në prag të nëntorit tre drejtora përpiqeshin të më mbushnin mendjen ta anuloja firmën te manifesti “Disa fjali”.
Apo si kam bërë teatër në Polin e Veriut.
Do të mburrem se si në Festivalin e Berlinit nuk e besonin se filmin “Skrivanci” e kisha bërë njezetë vjet më parë dhe u bindën kur panë Vashek Neckarin plak të raskapitur (Film i ndaluar gjatë komunizmit dhe që pas njëzet viteve fitoi Ariun e Artë ne Berlin. shenim i im, P. Milkani)
Për këto dhe shumë ngjarje të tjera të cilat i kam harruar po ndoshta do t’i kujtoj, mund t’i lexoni në librin tim të ardhshëm.
Në se do ta shkruaj ndonjëherë…