Albspirit

Media/News/Publishing

“Elina Duni, qytetare e botës me pasaportë zvicerane, që atdheun e gjen në melodinë e gjuhës…”

Këngëtarja shqiptare Elina Duni po vijon rrugën e saj të suksesshme me muzikën. Për këngëtaren së fundmi ka shkruar edhe gazeta zvicerane “Neue Zurcher Zeitung” (NZZ). Frëngjisht ajo mësoi në rini, pasi erdhi bashkë me të ëmën, shkrimtaren Besa Myftiu, nga Tirana në Luzern dhe pastaj u vendos në Gjenevë. Më vonë Elina u shpërngul në Bernë, ku vazhdoi shkollën e xhazit. Sipas NZZ në Zyrih Elina Duni me zërin e saj të plotë dhe të ngrohtë, shpejt e ka gjetur vendin e saj. “Tani Elina Duni kalon rrugëve të lagjes Wipkingen me fustanin e blertë shndritës dhe shikon diellin, ndërsa era tund flokët e saj të gjata, bojëkafe në të kuqe. Prania e saj tregon se ajo e ka gjetur vendin e vet në Zvicër. Këtë përshtypje ajo e zgjon vazhdimisht edhe në skenë, ku përherë qëndron këmbëzbathur. Ajo thotë se për të është me rëndësi që kur këndon të ndjej kontaktin me tokën: “Kur këndoj dua të jem si një pemë. Poshtë thellë e rrënjosur, lart e lehtë dhe duke u luhatur si gjethet””, shkruan gazeta (NZZ). Rrënjët e Elina Dunit janë të thella, ajo sjell nga larg një frymë në xhazin zviceran. Meloditë melankolike nga juglindja e Europës ajo i interpreton me ekspresivitet të butë, në bashkëveprim mahnitës me pianistin Colin Vallon, basistin Patrice Moret dhe bateristin Norbert Pfammatter. “Kuarteti i Elina Dunit ndërlidh xhazin modal dhe folklorin në mënyrë të veçantë. Deri më tani ky grup ka edituar katër albume, dy të fundit (Matanë malit dhe Dallëndyshe) përmbajnë këngë nga Shqipëria. Falë shumë vokaleve dhe rrokjeve të buta “sh” shqipja dëshmohet si gjuhë shumë muzikale. Pasuria e saj tingullore shquhet menjëherë gjatë dëgjimit. Po ashtu edhe emocioni i këngëve, në të cilat përherë bëhet fjalë për çështje ekzistenciale si dashuria, vetmia, mërgimi”, vijon gazeta zvicerane. Duni këndon në dialekte të ndryshme të shqipes dhe kështu bashkon trevat e Shqipërisë, Kosovës dhe rajoneve shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi, Greqi dhe Itali. Në Shqipërinë komuniste ajo kaloi një fëmijëri të lumtur, si pesëvjeçare mori pjesë në koncerte. Si fëmijë ajo nuk dinte për represionin në vend. Por gjyshi i saj e provoi vetë diktaturën. Atij iu ndalua profesioni i shkrimtarit dhe mësuesit, tërë jetën shiti cigare pa iu dorëzuar dëshpërimit. Mërgimi e ka larguar Elina Dunin prej tij dhe prej Tiranës. Si qytetare e botës me pasaportë zvicerane ajo atdheun e gjen në melodinë e gjuhës, atje ku fjalët shndërrohen në muzikë.

Please follow and like us: