Ftohja Shqipëri- Jugosllavi
Moskë
6 dhjetor 1947
Shumë sekret
Dërgon V. Popoviç
Shokut A. A. Zhdanovit, sekretarit të KQ të PK dhe BS (b)
I dashur sh. Zhdanovit,
Një nga rebuset ende të pazgjidhura të periudhës së pasluftës në politikën shqiptare është rasti i “Nako Spirut”. Një prej udhëheqësve kryesorë komunistë detyrohet të vrasë veten pas një pleniumi të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, ku ai u shndërrua në një “tabelë qitjeje” për rolin e tij në ftohjen e raporteve me Jugosllavinë e Titos. Edhe në ditët e sotme debati mbi rolin e vërtetë të Spirut dhe a kishte apo jo të drejtë për qëndrimin kritik ndaj Beogradit, zënë një hapësirë të konsiderueshme në faqet e shtypit shqiptar. Bashkëkohësit janë ndarë në dy grupe: një pjesë që mendojnë se Nako ishte zbuluesi i parë i qëllimeve ekspansioniste jugosllave, e për këtë agjentët e UDB- së (shërbimi sekret jugosllav) e detyruan të vriste veten dhe nga ana tjetër, janë një grup ish-drejtuesish të lartë komunistë, të cilët mendojnë se ai iu shmang vijës së PKSH- së, doli kundër qëndrimeve të Enver Hoxhës, e për këtë arsye ai u shdërrua në një “kartë të djegur”. ABC po e trajton çështjen në një prizëm më të gjerë, pra në atë se çfarë mendonin në të vërtetë jugosllavët për Nako Spirun. Cila ishte “loja” e sajuar nga Beogradi për eleminimin politik të Spirus. Gjithçka dallohet qartë në një letër që V. Popoviç i dërgon Sektetarit të Komitetit Qëndror të PK-së së Bashkimit Sovjetik, A. Zhdanovit.
Protokolli
Në bazë të një bisede që kam pasur nderin të zhvillojë me ju këtë muaj dhe në bazë të pyetjes që Ju më bëtë për sqarim, i cili thotë: “ Pa bashkëpunimin tonë, të misionit tonë, në Tiranë, bëhet fjalë me të cilin Nako Spiru mbante kontakte dhe nga sa duket që ai këto lidhje me bashkëpunëtorin tonë përgatiti t’i shfrytëzonte për qëllime personale, sipas të dhënave që unë kam, mund t’ju jap përgjigjen e mëposhtme”.
“Nako antijugosllav”
Duke zhvilluar një luftë sistematike për mënjanimin e punëtorëve nga KQ të partisë Komuniste Shqipatre, Koçi Xoxen, etj., i cili faktikisht është themeluesi i Partisë Komuniste Shqiptare, grupi me Nako Spirun në krye u përpoq në këtë drejtim të mbështet mbi ne. Për shembull, kur Nako Spiru në Beograd bënte bisedime për përfundimin e një marrëveshje ekonomike, ai iu drejtua një shokut tonë, një oficeri, duke u shprehur se ai është për nënshkrimin e marrëveshjes, por ai ka marrë një telegram nga shoku Enver Hoxha që mos ta nënshkruajë. Ndërkaq, siç e dini ju, marrëveshja u nënshkrua. Shembulli i dytë: nga arkivi shumë sekret i Byrosë Politike, Nako Spiru mori një nga fjalimet e shokut Enver Hoxha për të cilin ai supozonte se për ne paraqet interes dhe ia transmetoi atë të dërguarit tonë në Tiranë. Kur ai ndjeu se shokët tanë kishin kuptuar synimet e tij, duke hedhur poshtë me përbuzje veprimet e tij, ai u përpoq të forconte lidhjet me misionin tonë dhe, përgjithësisht me njerëzit tuaj që ndodhen atje.
Grupi Mehmet Shehu, Belishova, Fadil Paçrami me në krye Nako Spirun fillojnë të orientohen kryesisht në drejtim të sovjetikëve. Karakteristike është se ata kanë filluar të bëjnë një politikë të tillë të njëkohshme me propagandën kundër njerëzve tanë që ndodhen atje, duke krijuar në popull një qëndrim të keq ndaj Jugosllavisë. Nako Spiru, me të gjitha mjetet e mundshme, tentonte të frenonte përfundimin e marrëveshjes ekonomike midis dy vendeve tona. P.sh., kur specialistët tanë propozonin disa masa, ata silleshin me përçmin ndaj këtyre propozimve dhe pengonin takimin e specialistëve tanë dhe tuaj.
Është karakteristike të theksohet se metoda e veprimtarisë së këtij grupi, lidhur me të gjitha çështjet e shtjelluara më sipër, ishin të ngjashme me metodat e zbulimit anglo- amerikan.
Akuza për “Lojë të dyfishtë”
Kur instruktori i KQ tonë në një mbledhje të Byrosë Politike të KQ të Partisë Komunistë Shqiptare tregoi veprimtarinë të dëmshme dhe jo të drejtë të disa anëtarëve të KQ, të pozicionit të tyre të lejueshëm dhe jo të drejtë që zinin ata ndaj Jugosllavisë, atë dëm që i sjell zhvillimi i një politike të tillë interesave të popullit shqiptar, në radhë të parë kur tregoi se fajtori kryesor në këtë drejtim është Nako Spiru dhe grupi përreth tij, atëherë Nako Spiru kërkoi që t’i jepeshin 24 orë kohë për t’i menduar. Menjëherë pas kësaj mbledhjeje ai i bën një vizitë të ngarkuarit tuaj me punë në Tiranë, sekretarit të Misionit, shokut Gogorinovit. Pas bisedës me të, Nako Spiru i kërkoi Byrosë Politike edhe 5 ditë të tjera për t’u menduar. Pas kësaj ai përsëri donte t’i bënte vizitë shokut Gogorinovit, por ai nuk e pranoi atë duke thënë se ishte i sëmurë.
A do t’i bënte vizitë Nako Spiru shokut Gogorinov në qoftë se atje do të ndodhej i dërguari juaj, shoku Çuvashin, ai ishte shoku Gogorinov, i emëruar zyrtarisht për mbajtjen e kontaktit me të.