KGB: Nako Spiru prishi Tiranën me Beogradin
Miq dhe armiq në të njëjtën kohë. Ose më saktë, diçka po ndoshte, por në kupolën komuniste shqiptare ishte e vështirë të kuptohej. Kjo ishte situata e raporteve “të ngushta” mes Tiranës dhe Beogradit në mesin e vitit 1947, tre vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Pas çlirimit, të dy vendet kishin krijuar një raport shumë të ngushtë, aq sa drejtuesit jugosllavë mendonin se Shqipëria tashmë ishte pjesë integrale e tyre. Këto ka lënë të kuptohet Enver Hoxha, në një takim urgjent që ka zhvilluar më 3 maj të vitit 1047, me përfaqësuesin e Moskës në Tiranë, Dm.Çuvalin. Në atë kohë, sapo ishte kthyer nga Beogradi një delegacion shqiptar, i cili kishte kërkuar nga zyrtarët jugosllavë, realizimin e marrëveshjes në fushën ekonomike, të cilat ishin firmosur shumë muaj më parë. Delegacioni shqiptar ishte përballur, sipas Hoxhës, me arrogancën dhe papërgjegjshmërinë e zyrtarëve sllavë. Ishte shumë ngrohtë në atë fillim maji, por mes Tiranës dhe Beogradit kishin nisur të shfaqeshin akujt e parë. Jugosllavët, nga ana e tyre, e kishin kuptuar se tashmë kishin në dorë ekonominë e shqiptarëve dhe ishin të bindur se, sado të vinin kushte të papranueshme për shtetin shqiptar, Enver Hoxha do ishte i detyruar t’i pranonte. I gjendur në një situatë tejet të vështirë, drejtuesi komunist shqiptar i drejtohet për ndihmë Bashkimit Sovjetik. Në atë kohë Josif .V. Stalini ishte ende gjallë dhe Enver |Hoxha e vlerësonte atë si njeriun më të drejtë për zgjidhjen e problemeve ndërmjet satelitëve komunistë të BS-së. Enveri ia paraqet situatën të dërguarit diplomatik të Moskës, duke dal në përfundimin se Jugosllavia, në mos po përpiqej për aneksimin e plotë të Shqipërisë, po luante të gjitha kartat për të realizuar ekspansionin ekonomik.
Ndërkohë, ajo që është e pazbuluar në gjithë këtë situatë, është roli i Nako Spirus, ish-kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit dhe një prej drejtuesve kryesorë komunistë të pasluftës. Në fund të vitit 1947 ai detyrohet të vras veten, pasi u akuzua në një Plenium të Komitetit Qëndror, se kishte ndikuar në ftohjen e raporteve mes Tiranës dhe Beogradit. Kjo është një pikë e errët, ende e pazgjidhur. Në një dokument sekret të KGB-së(shërbimit inteligjent sovjetik), i cili po botohet i plotë nga Konica.al, Enver Hoxha i deklaron personalisht në vitin 1947 ambasadorit sovjetik, dyshimet e tij për qëllimet ekspansioniste të Beogradit ndaj Shqipërisë. Ndërsa një vit më vonë, Hoxha është drejtuesi i sulmeve kundër Nako Spirut, duke e konsideruar “fajtor” për ftohjen me Jugosllavinë. Nga ana tjetër Konica.al po publikon për herë të parë qëndrimin e Jugosllavisë lidhur me rastin “Nako Spiru”. Në një dokument autentik, të nxjerrë nga arkivat e KGB-së, një letër që V. Popoviçi, ia dërgon sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, A. Zhadanovit, tregohet qartë “loja” e nisur nga Beogradi kundër Nako Spirut.
Biseda e plotë e drejtuesit komunist shqiptar me përfaqësuesin e Moskës në Tiranë
Nga ditari I D.S. Çukavinit. Protokolli i bisedës me Enver Hoxhën mbi kontradiktat shqiptaro-jugosllave në fushat ekonomike dhe financiare.
Tiranë
3 maj 1947
Sot në orën 11 unë u takova me Enver Hoxhën me kërkesën e tij. Ai deklaroi se do të dëshironte të këmbente me mua përshtypjet e veta për ecurinë e bisedimeve shqiptaro-jugosllave për disa çështje ekonomike dhe financiare. Kryeministri tha si më poshtë:
Siç është e ditur, rreth para tre vjetësh në Beograd arriti një delegacion shqiptar me në krye, ministrin dhe Kryetarin e Komisionit të Planit të Shtetit, Nako Spirun. Në përbërjen e këtij delegacioni bënin pjesë specialistë për çështjet e planit të ekonomisë, të tregtisë dhe të financave. Para delegacionit shqiptar qëndronte detyra lidhur me një sere çështjesh konkrete, në veçanti për çështjet e planit ekonomik përfundimtar të Shqipërisë për vitin 1947, për veprimtarinë e shoqërive shqiptaro-jugosllave, për krijimin e të cilave të dy vendet kanë nënshkruar dokumentet përkatëse, por që fatkeqësisht deri tani nuk funksionojnë, për kushtet e ndihmës financiare Shqipërisë, për marrëdhëniet tregtare, për çmimet e mallrave dhe lidhur dhe me disa çështje të tjera.
“Arroganca e Beogradit”
Pavarësisht se delegacioni shqiptar ndodhet në Beograd më tepër se dy javë ai, fatkeqësisht nuk ka mundësi të merret vesh me jugosllavët praktikisht për asnjë nga cështjet e përmendura më lart. Zëvëndëskryetari i Komisionit të Planit, Kiço Ngjela, i cili erdhi në Tiranë për dy ditë dhe që udhëheq delegacionin shqiptar pas shkuarjes së Nako Spirut në Moskë, njofton se në proçesin e diskutimit të të gjitha këtyre çështjeve të dy vendet ndeshën një sërë vështirësish, kapërcimi i të cilave varet kryesisht nga fakti se si do të sillen jugosllavët në bisedimet e mëtejshme. Jugosllavët ishin krejtësisht të papërgatitur për diskutimin e çështjeve të paraqitura, pavarësisht se delegacioni shqiptar arriti në Beograd me kërkesën këmbëngulëse të tyre. Jugosllavët asesi nuk mundën të heqin dorë nga linja e tyre e vjetër që ata zinin në bisedimet e kaluara dhe gjatë takimeve me përfaqsuesit shqiptarë. Ata vazhdojnë të mbeten tej mase mendjemëdhenj për vete dhe në të njëjtën kohë vlerësojnë mjaft ulët cilësitë profesionale të punonjësve shqiptarë. Jugosllavët mendojnë se gjithçka thonë ata duhet të pranohet pa diskutim, pa kundërshtime meqënëse çdo gjë e propozuar nga përfaqsuesit jugosllavë nga premisa se “dy vendet tona zhvillohen në drejtim socialist dhe gjoja se këta shqiptarët, sipas mendimit të jugosllavëve, nuk kanë asnjë lloj përvoje”.
Sipas fjalëve të Enver Hoxhës, jugosllavët madje në çështjet e parëndësishme, thjesht komerciale, shohin “socializmin”dhe kur shqiptarët u kundërshtojnë atyre shpjegime, atëherë ata fillojnë të përdorin citate nga veprat përkatëse të Marksit dhe të Engelsit, duke u përpjekur të demonstrojnë diturinë e tyre dhe gjoja “për mungesë argumentesh” të kundërshtimeve shqiptare. Sipas mendimit të jugosllavëve, shqiptarët gjatë bisedimeve me Jugosllavinë duhet të kenë parasysh perspektivën” e zhvillimit të vendeve tona në drejtim të socializmit” dhe duke u nisur nga kjo ata janë të detyruar të pranojnë pa asnjë kundërshtim gjithçka që propozojnë ose thonë jugosllavët. Por pa marrë parasysh gjithë këtë “socializëm” dhe nga këto citate nga vepra e Marksit dhe të Engelsit,-thekson Enver Hoxha,-jugosllavët nuk harrojnë interesat e tyre shtetërore dhe aspak nuk marrin parasysh interesat e popullit shqiptar.
Problemi 1
Në procesin e bisedimeve të tanishme në Beograd doli e qartë se:
Dy miliardë dinarë që i ishin premtuar qeverisë shqiptare nga Jugosllavia dhe që sipas deklaratës së jugosllavëve, duhet të përfshihen në buxhetin shtetëror të Shqipërisë për vitin 1947, nuk jepen nga Jugosllavia në formën e një ndihme të thjeshtë siç deklaronin shpesh ata lidhur me këtë gjë dhe duke u bazuar në këto deklarata, shqiptarët shpresonin seriozisht, por ato jepeshin si kredi për blerjen e mallrave jugosllave nga Shqipëria. Se në ç’kushte e për sa kohë jepet kjo kredi dhe si do të kthehet etj, asnjë nga vendet tani për tani nuk e di. Ç’është e vërteta kanë deklaruar se kjo kredi duhet të marrë formën përfundimtare nga një marrëveshje speciale, mirëpo pa marrë parasysh premtimet e shpeshta për të paraqitur projektin e një marrëveshjeje të tillë, jugosllavët gjer tani këtë projekt nuk e kanë paraqitur. Jugosllavët mendojnë se me nënshkrimin e marrëveshjes për kredinë “mund edhe të mos nxitohen”.
Sipas deklaratës së Enver Hoxhës, jugosllavët u fyen shumë kur delegacioni shqiptar, që pasi mori vesh se dy miliardët e premtuara Shqipërisë nuk është dhuratë, por një kredi, deklaroi se në këtë rast ai nuk do donte të diskutojë me jugosllavët mënyrën e shfrytëzimit të kësaj kredie, meqenëse “kjo është një çështje e vetë qeverisë shqiptare”.
Problemi 2
Jugosllavët përfundimisht e humbën fillin, u ngatërruan me çështjen se si dhe në ç’mënyrë ata duhet të fusin pjesën e tyre të kapitalit në shoqëritë që po krijohen shqiptaro-jugosllave. Në qoftë se më parë thuhej se ata vetë do të fusin pjesën e tyre të kapitalit themelor (në formën e prurjes së mallrave në Shqipëri që duhet të realizohen nga qeveria shqiptare, ndërsa mjetet e realizimit të këtyre mallrave duhet të shkonin për shlyerjen e pagesës së jugosllavëve për llogari të kapitalit themelor), tani jugosllavët i propozojnë qeverisë shqiptare t’i fusin atë të jugosllavëve, pjesën e kapitalit themelor për llogari nga shuma prej dy milionë dollarësh që jepen, siç po sqarohet tani, si kredi. Lidhur me këtë përsëri u shfaq konflikti. Në qoftë se jugosllavët ia ngarkojnë shqiptarëve pjesën e tyre të kapitalit themelor në llogarinë e shumës së kredisë që po jepet, atëherë shqiptarët këmbëngulës për domosdoshmërinë respektivisht për të ulur shumën e kësaj kredie. Me fjalë të tjera shqiptarët nuk duan të fusin në shoqëritë atë pjesë të kapitalit themelor që duhet të presë qeveria jugosllave.
Problemi 3
Meqenëse dy miliardët që përmendëm më sipër, që i jepen Shqipërisë për blerjen e mallrave jugosllave, atëherë sipas mendimit të jugosllavëve, taksa nga qarkullimi(deri në 400 milion dinarë)gjithashtu duhet të përfshihet në shumën prej dy miliardësh.
Kjo çështje shkaktoi divergjenca serioze dhe një habi të madhe te shqiptarët që mendojnë që taksa nga qarkullimi nuk mund dhe nuk duhet të përfshihet në shumën e përgjthshme të kredisë që jepet.
Problemi 4
Delegacioni jugosllav propozoi që “përqindjet” shoqëria import-eksport, shqiptaro-jugosllave t’i paguajë vetëm qeveria shqiptare, pavarësisht nëse ajo realizon operacionet e veta sipas porosive të qeverisë shqiptare. Këtë propozim ana jugosllave e argumenton me faktin se shoqëria eksport-import është krijuar “për nevojat vetëm të Shqipërisë” dhe se ata, jugosllavët nuk do të kundërshtojnë në qoftë se më vonë kjo shoqëri do të quhet shqiptaro-jugosllave, por thjesht shqiptare. Tani për tani dhe kjo çështje mbetet e hapur.
Problemi 5
Jugosllavët, në kundërshtim me pikësynimin e parë, vënë në dyshim mundësinë e barazimit të çmimeve të mallrave të të dy vendeve. Sipas mendimit të tyre, në kushtet e mungesës të shumë mallrave si në Jugosllavi ashtu dhe në Shqipëri, barazimi i çmimeve në kohën e sotme si vështirë se mund të realizohet.
Në përfundim, Enver Hoxha, njoftoi se i gjithë kompleksi i çështjeve që prekin marrëdhëniet ekonomike dhe financiare me Jugosllavinë ai po përgatitet ta diskutojë në Byronë Politike të PKSH-së më 4 maj që t’i japë udhëzime të qarta delegacionit shqiptar në Beograd dhe se si të sillen në bisedimet e mëtejshme. Përveç kësaj, ai ka ndërmend t’i shkruajë një letër personale Titos, duke ngritur para tij të gjitha çështjet më të rëndësishme dhe paraqitjen e pikëpamjeve të qeverisë shqiptare lidhur me këto çështje.
I dërguari i BRSS në Shqipëri, Dm.Çuvalin.