Kushner do të dëshmojë në senat mbi takimet me zyrtarë rusë
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se një nga këshilltarët kyç të presidentit, njëkohësisht bashkëshorti i vajzës së tij, Jared Kushner ka rënë dakort të dëshmojë para komisionit të Seantit lidhur me akuzat për ndërhyje të Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Zoti Kushner është këshilltari më i ngushtë i zotit Trump që do të merret në pyetje deri më tani nga komisioni i zbulimit të senatit që po heton rreth lidhjeve të mundshme mes bashkëpunëtorëve të presidentit me zyrtarë rusë.
Komisioni kërkon të dijë më shumë lidhur me dy takime të zotit Kushner në dhjetor me ambasadorin e Rusisë në Washington Sergej Kislyak, sipas një lajmi të publikuar fillimisht në gazetën “New York Times”.
Sipas gazetës senatorët janë gjithashtu të interesuar mbi takimet e paraportuara nga zoti Kushner me kreun e një banke shtetërore ruse ndaj të cilës Shtetet e Bashkuara kishin vendosur sanksione lidhur me ngjarjet që çuan në aneksimin e Krimesë nga Moska në 2014.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë i tha gazetës se takimet e zotit Kushner nuk ishin të pazakonta, duke vënë në dukje se roli i tij gjatë fushatës dhe periudhës së tranzicionin i bënin të nevojshme, siç tha zëdhënësi, takimet me zyrtarë të huaj, duke përfshirë edhe ata rusë.