LSI nuk është edhe aq “virgjëreshë” në deklarimin e financave
Xhovani SHYTI
Tre ditë më parë nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama e etiketoi këtë forcë politike: “ Model i transparencës së financimit të partisë”. Deklaratën Luan Rama e artikuloi teksa ishte i pranishëm në Forumin “Integriteti i Partive politike”, që u zhvillua në kryeqytetin e Bosnje Hercegovinës, Sarajevë, ku i qenë prezent në panelin për financimin e partive, zëplotë dha këtë mesazh moraliteti: “Transparenca e financimit të partive është dëshmi e integritetit të tyre. Transparenca nga ana e saj rrit integritetin, dhe po ashtu integriteti ushqen transparencë. LSI-ja është model i transparencës së financimit të partisë”.
Ndërkohë një ditë më pas ligjërimit të Luan Ramës në Sarajevë, në vijimësi të shitjes së LSI si e vetmja parti virgjëreshë në fushën e transparencës financiare, gjithë mediat revolucionare nën hyqmin e kësaj patie dhanë në korr lajmin sipas të cilit: Në raportet financiare të dorëzuara në KQZ për burimet e parave gjatë vitit 2016, e vetmja parti parlamentare që ka dorëzuar listën e donatorëve në shumën mbi një milionë lekë të vjetra, është Lëvizja Socialiste për Integrim”. Gjë që edhe mund të jetë e vërtetë, por kjo nuk do të thotë se kjo parti, në këtë fushë nuk është si gjithë të tjerat, se nuk punon me dy “bordero”, sikurse vepronin e veprojnë edhe jo pak biznese të mëdha. Aq më tepër që deklarata e financimeve 2016, që ajo i ofroi KQZ, është transparenca e vetëm një viti dhe duke qenë e tillë nuk mjafton për të provuar qënien e LSI si e vetmja parti e spektrit politik shqiptar virgjëreshë e transparencës financiare.
Pasi nëse do ti referoheshim vetëm një, dy apo tre rasteve dhe jo sistematicitetit të deklarimeve të munguara, do të thoshim krejt të kundërtën, pra që LSI është partia kampion e abuzimit me financimet. Jo vetëm sepse, sikurse edhe simotrat e tjera të saj që nga 2009, viti kur ligji e ka detyruar transparencën, nuk i ka bërë kurrë publike, por edhe nga që ka shpenzuar shumë më shumë të ardhura nëpër fushatat elektorale se sa ka patur xhepin zyrtar të financimit.
Madje duke mos i deklaruar, por fshehur tejshpenzimet. Pa u shtrirë shumë në kohë të qëndrojmë tek zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013 dhe raporti i Lëvizjes “Mjaft”, i publikuar një ditë para mbajtjes së këtyre votimeve. Ndërkohë që “Open.data.al”, dhe jo vetëm, e vlerësonte fushatën elektorale 2013 si më të kushtueshmen e gjithë të mëparëshmeve, “Mjaft” raportonte se LSI deklaronte si fonde të shpenzuara shumën prej rreth 25 milion lekë (241 279 $), ndërkohë që, sipas raporteve financiare zyrtare, dilte se shuma e vërtetë e fondeve të shpenzuara nga kjo parti ishte 47 milion milion lekë (afërsisht 449 470 $). Pra me një tejkalim shpenzimesh prej 21.9 milion lekë. Që do të thoshte se 46 % e shpenzimeve nuk qenë mbuluar nga fondet e mbledhura apo të vëna në dispozicion të fushatës. Kaq mjafton, besoj, për t’ja hequr paksa virgjërinë financiare dhe integritetin e transparencës Lëvizjes Socialiste për Integrim. /CityNews