Albspirit

Media/News/Publishing

Mbyllen aplikimet për vetingun, rikandidon prokurori që futi në burg Fatos Nanon, në garë edhe 100 juristë nga brenda dhe jashtë vendit

 

Avokati i Popullit ka mbyllur dje aplikimet për organet e vetingut. Një javë më parë u rihap gara për Komisionin e Kualifikimit dhe Kolegjin e Apelimit pas urdhrit të Kuvendit, ndërsa dje afati ka skaduar. Duke qenë se ONM skualifikoi 6 kandidatë nga 29 të kualifikuar nga Igli Totozani, nuk kishte emra të mjaftueshëm për të plotësuar dy organet, pasi në to duhet të emërohen 27 persona. Nga ana tjetër, Avokati i Popullit skualifikoi 164 persona për shkak të mungesës së dokumentacionit. Por Kuvendi vendosi që t’u jepej një shans dhe iu la një javë afat që të riplotësonin dosjet. Por dje u mbyll gara dhe sot pritet që të publikohet lista me emrat që kanë shfaqur interes. Sipas burimeve të gazetës, nga 164 kandidatë, vetëm rreth 100 kanë vendosur që të riplotësojnë dokumentet. Po sipas burimeve, mes tyre është dhe Fatos Dervishi, prokurori që arrestoi Fatos Nanon. Dervishi u skualifikua nga Avokati i Popullit, me argumentin se nuk kishte dorëzuar dokumentet e duhura. Por gazeta ka mësuar se zoti Dervishi ka rishfaqur interes dhe është në listën e 100 emrave. Vetë Dervishi kohë më parë ka deklaruar se do garojë nëse është e nevojshme dhe për SPAK, por tani për tani ai ka vendosur që të jetë pjesë e vetingut. Nga ana tjetër mësohet se ka pasur një numër të madh individësh, të cilët vijnë nga jashtë vendit. Ata kanë aplikuar përmes postës elektronike duke dorëzuar dokumentet që mungojnë. Por vetë ONM në fazën e parë deklaroi se nga 164 individë vetëm 79 janë të denjë për të qenë anëtarë të vetingut. Tani u takon sërish atyre të vendosin.

Siguri totale nga ONM

Dje, në Tiranë ka mbërritur dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Ekspertët e tij kanë qenë gjatë gjithë ditës pranë Avokatit të Popullit dhe kanë monitoruar me detaje fazën përfundimtare të listimit të emrave. Në një sallë të Avokatit të Popullit, pa praninë e medias, ekipi i Kalaveres, i përbërë nga Peter Ainsworth, nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA; Ferdinando Buatier de Mongeot, gjykatës kriminal me eksperiencë në EULEX Kosovë dhe Maqedoni; Theo Jacobs, drejtor në Zyrën e konfiskimit të pasurive në Belgjike dhe po ashtu në EULEX Kosovë; Martin Kessen nga Gjykata e Lartë e Këlnit në Gjermani; dhe prokurori federal amerikan Mr John Ë. Vaudreuil kanë nisur të rishqyrtojnë dosjet e njerëzve të vetingut.

“Patjetër që po bashkëpunojnë, si herën e parë. Tani fillon integrimi i dosjeve të munguara të kandidatëve me ato ekzistuese. Ne kemi një javë kohë, ONM-ja ka 2 javë”, deklaroi dje Avokati i Popullit, Igli Totozani. ONM do ketë dy javë afat për të nxjerrë konkluzionet e saj, por sipas burimeve pritet që brenda kësaj jave emrat të zyrtarizohen dhe javën që vjen Parlamenti të nisë procedurat për ngritjen e komisionit ad hoc. Mes emrave që kanë ridorëzuar dokumentet janë dhe shumë individë që vijnë me një karrierë të gjatë jashtë vendit. Pritet që falë tyre të luftohet korrupsioni në gjyqësor. Ndërkohë të kualifikuar që fazën e parë janë ish-kryeprokurorja Ina Rama dhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla. Por duket se i gjithë procesi do futet në ngërç, pasi PD nuk po futet në Parlament dhe pa të është i pamundur të ngrihet komisioni ad hoc që do zgjedhë 27 anëtarët e Komisionit të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit.

Please follow and like us: