Nevojë për ndihma pa humbur pavarësinë
Enver Hoxha kishte nisur të kuptonte se “aleati, Beogradi, kishte shpalosur hapur qëllimet e tij ekspansioniste ndaj Shqipërisë
Konkluzionet e Enverit
Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, aleati më i ngushtë në planin ekonomik diplomatik të Tiranës ishte Beogradi. I vendosur në krye të Partisë Komuniste Shqiptare me ndihmën e emisarëve jugosllavë që gjatë viteve të luftës Enveri Hoxha i konsideronte komunistët jugosllavë dhe udhëheqësin e tyre, Josif B. Tito, si bashkëpunëtorët më besnikë që do të ndihmonin zhvillimin e Shqipërisë. Por tre vjet pas çlirimit të të dy vendeve, Enver Hoxha kishte nisur të kuptonte se “aleati, Beogradi, kishte shpalosur hapur qëllimet e tij ekspansioniste ndaj Shqipërisë. Ky dyshim dallohet qartë edhe në bisedën që po boton ABC, ndërmjet Enver Hoxhës dhe të dërguarit të Moskës në Tiranë, Dm. Çuvalin.
Protokolli
Shqiptarët përfundimisht u bindën për paaftësinë jugosllave në Beograd për të filluar ndërtimin e një centrali elektrik sivjet në Shqipëri. Atyre iu desh të merrnin pjesë në bisedimet e delegacionit jugosllav me përfaqësuesit e ndërmarrjes industriale për ndërtimet eletrike. Doli e qartë se të gjithë përfaqësuesit që merren me ndërtimin e centraleve elektrike deklaruan në mënyrë kategorike për pamundësinë që të fillohet ndonjë ndërtim, për shkak të mungesës së përvojës së njerëzve, të pajisjeve etj.
Lidhur me këtë, në Beograd doli çështja për mundësinë e “likuidimit” të shoqërisë shqiptaro- jugosllave që nuk ekzistonte për ndërtimin e centraleve elektrike dhe elektrifikimit. Sipas deklaratës së Enver Hoxhës, jugosllavët ngritën çështjen që e gjithë valuta shqiptare e lirë të sillet në Bankën Shtetërore të Jugosllavisë, në mënyrë që qeveria jugosllave, e cila ka më tepër mundësira, do të mund të gjente me këtë valutë pajisjet dhe artikujt e tjerë në vendet e tjera për të cilat Shqipëria ka nevojë.
Duke përmendur të gjitha këto fakte, Enver Hoxha theksoi se qëndrimi i tillë i jugosllavëve ndaj Shqipërisë si zor do t’i shërbente çështjes së forcimit të marrëdhënieve shqiptaro- jugosllave. Kuptohet, – vazhdoi ai, – Shqipëria ka nevojë për ndihmë të huaj, sidomos nga Jugosllavia, por ne do të dëshironim që ndaj nesh të silleshin si ndaj një vendi të pavaruar, që të marrin parasysh mendimin tonë, që të respektohen përfaqësuesit tanë. Lidhur me këtë, Enver Hoxha përmendi se sipas njoftimeve nga i dërguari i Shqipërisë , Tuk Jakova, nga Beogradi; nga gjeneral major Kristo Themelko (ndodhet për kurim në Jugosllavi) , nga Mehmet Shehu dhe nga persona të tjerë, jugosllavë gjithandej dhe kudo përpiqen të nënvizojnë epërsinë e tyre, që ata në çdo rast të volitshëm tani të tallen me shqiptarët, i shikojnë ata si “deshër të egër” (shprehja e vetë Enver Hoxhës D.Ç.) etj., etj.