Albspirit

Media/News/Publishing

Një reflektim për tifozerinë shqiptare

Mentor Nazarko

 

Ngjarjet e Palermos, kur një grup tifozësh ndërprenë ndeshjen Itali-Shqipëri,  janë më shumë sesa sportive, ndaj meritojnë vëmendje edhe kur ndeshja ka mbaruar. Për më shumë mjedise, grupime të organizuara si ai që provokoi incidentet nevojitet të shikohen nga sy jashtësportivë. Kështu mund të kuptohet më mirë dobia e tyre për sportin në përgjithësi, për futbollin në veçanti.  Por dhe jashtë sportit.

Ç’janë grupet e organizuar ?

Grupe tifozerie të emërtuara në një mënyrë ose në një tjetër, përgjithësisht përbëhen nga individë që vijnë nga shtetet në Ballkan ku ka shqiptarë, përkatësisht Shqipëria, Kosova, Maqedonia, apo Mali i Zi.  Në ndonjë rast, ata krijojnë rrjet i cili kapërcen një vend të vetëm, pra përfshin brenda vetes edhe të rinj nga diaspora jashtë Ballkanit, por nuk ka të dhëna se ruhet akoma kompaktësia e grupeve që dalin dhe jashtë rajonit tonë. Nuk ka diskutim se në ndjekjen që grupe të tilla i bëjnë skuadrës kombëtare, ka sakrificë, ka përkushtim, ka pasion. Shpesh djem të rinj, punëtorë, studentë, organizohen, grumbullojnë para për të siguruar një prani minimale pranë Kombëtares, në ndeshjet e saj.  Ata përgatisin banderola që i japin simbolikë tifozerisë  shqiptare, i japin ngjyra me koret e tyre dhe me disa slogane që lidhen ngushtësisht me Kombëtaren. Prejardhja e tyre profesionale nuk është përgjithësisht si ajo e tifozerive të tjera në Ballkan, përshembull tifozeria serbe dhe kroate. Tek tifozeria kombëtare e këtyre vendeve derdhen tifozeri klubesh, të cilat rrotullohen apo grupojnë individë që kanë patur të kaluar ushtarake, duke marrë pjesë në luftëra e për pasojë dhe në krime. KËshtu shpjegohet shkalla e lartë e agresivitetit të tyre, mësymja e rrezikut, mungesa e skrupujve, etj. Krejt ndryshe ndodh me tifozeritë e grupeve tona, të cilët përgjithësisht nuk bëjnë incidente të denja për t’u marrë shënim.  Shumica e asaj që ata bëjnë, me përjashtim të Palermos, është  e bukur dhe është për t’u nderuar.

Tifozeria masive

Angazhimi i grupeve të organizuar, me emra tingëllues, megjithatë është për t’u vendosur në kontekstin e një tifozerie më të gjerë, e cila nuk bën pjesë në grupe të posaçme, por e ndjek Kombëtaren në çdo ndeshje. Si mund të imagjinohet, pjesa më e madhe e tyre vjen nga diaspora shqiptare në Europë : janë studentë, punëtorë, ndërmarrës, apo dhe njerëz që s’bëjnë asgjë, apo asgjë të ligjshme, por të paligjshme. Ndjekja e Kombëtares është bërë si një kalim kohe që i jep jetës së tyre kripën, motive krenarie për t’u mburrur me bashkëqytetarin europian, apo kolegët e punës. Madje brenda tifozerisë ka dhe individë që vijnë nga SHBA, diçka e jashtëzakonshme për nga sakrifica në kohë dhe para. Të ardhurit nga diaspora, jashtë grupimeve të organizuara kanë përbërë shumicën e tifozerisë shqiptare në një ngjarje të madhe futbollistike si Europiani i Francës. Me kulturën që rrezatuan, ata i dhanë një emër tjetër, jo thjesht tifozerisë, por mbarë kombit, duke rrezatuar pozitivitet në imazhin tonë kombëtar në botë. Kjo kulturë është produkt qoftë i cilësive më të mira të shqiptarit, qoftë dhe i temperimit të këtyre cilësive në qytetërimin europian apo perëndimor ku janë integruar në një mënyrë apo në një tjetër.

E gjitha ajo që ndodhi në Palermo është një sulm në këtë imazh. Është lëndim i gjithë kësaj pjese të shëndoshë të tifozerisë, e cila mbase nuk mban banderola, nuk thërret slogane, përveç atij « Shqipëri, Shqipëri », dhe kjo u duk në lumin apo detin e reagimeve kritike në rrjetet sociale.

Strategjia që duhet menduar dhe leksioni italian

Dhe çfarë ndodhi tjetër në Palermo, që duhet nxjerrë në dritë të diellit ? Dihet se tifozeritë kombëtare kanë specifikat e tyre. Tifozeria italiane në atë ndeshje ishte shembullore. Ajo tregoi kulturë në reagimet e veta, sadoqë huliganët shqiptarë dhunuan me flakadanet e tyre dhe tifozët italianë apo shqiptarët që ishin në tribunat e poshtme. Pati reagime të forta, që çuditërisht (për një joekspert duken të çuditshme)ishin të njëkohshme. Nuk pati përçmim kombëtar dhe fetar. Përkundrazi. Në një moment të dhënë, pa komandë, tifozeria italiane filloi të këndonte pa stonatura himnin italian, diçka që tingëlloi si leksion për tifozerinë tonë.

A mos vallë dhe ne, federata jonë duhet të mendojë për një strategji tjetër ? Gjobat që duhet të paguhen për shkak të keqbërjeve të grupeve tona të tifozerisë, i heqin Federatës mundësinë të ndërtojë fusha të reja sportive nëpër Shqipëri. Pra këto grupe, po bëhen të kushtueshme. Vlera e  grupeve ishte e madhe ndoshta në kohën kur vendi nuk kishte diasporë të madhe dhe tifozeri lëvizëse ku bëheshin ndeshjet kombëtare. Sot vlera e tyre është e kufizuar. FIFA dhe UEFA nuk do të na japin premio gjithnjë si në rastin e aktit të Ballist Morinës që peshkoi tifozerinë serbe dhe na dha ndeshjen në tavolinë. Përkundrazi, po na japin gjoba që i heqin mundësinë për të luajtur fëmijëve dhe të rinjve tanë nëpër fshatra dhe qytete.

Grupe si këto duhet t’ i japin emrat Federatës nëse duan bileta. Në bazë të emrave për disa prej tyre Federata me gjasë do duhet të ndalojë hyrjen e tyre në stadiume. Kjo është e mundur në kushtet e biletave të personalizuara.

Dhe ndoshta duhet menduar për të nxitur grupe të reja që duhet të identifikohen, të promovohen, që duhet të kenë lidership të pranuar brenda grupit dhe jashtë tij.

Grupet e organizuara të tifozëve shërbejnë për shumëçka në një ndeshje futbolli. Por sigurisht gjithmonë e më pak grupet tona. Ata përpiqen të shfrytëzojnë publicitetin që krijon futbolli për të kultivuar protagonizmat e tyre individualë dhe gruporë, dhe ndonjëherë dhe kauza politike, megjithëse jo në mënyrë të menduar, të strukturuar. Prej tyre dalin liderë të cilët bëhen njerëz publikë, por vlera e tyre shoqërore është e kufizuar. Sot këto grupe na barazuan me tifozeritë e vendeve si Serbia dhe Kroacia që kanë ndërprerë ndeshjet, për shkak të gjesteve si ato në Palermo. Grupe si këto, në aq ndeshje sa kam parë nuk kanë asgjë me vijimësinë e grupeve angleze, (përtej dhunës që ato manifestojnë shpesh), në mbështetjen e Kombëtares gjatë gjithë ndeshjes, apo në momente të veçanta. Ata nuk krijojnë në mënyrë të vijueshme atmosferë dhe tek pjesa tjetër maxhoritare e tifozerisë. Këto grupe nuk kanë inteligjencë emocionale, që të krijojnë mbështetje dhe në momentet e vështira të kombëtares, përkundrazi, ato heshtin pasi ne pësojmë gola, ose reagojnë në mënyrë agresive, thjesht kur sipas mendjes së tyre, paragjykojnë vendimet e gjyqtarëve.

Tolerimi i disave prej tyre, po bëhet pra gjithmonë e më i kushtueshëm, përkundrejt mungesës së përfitimeve prej tyre.  Dhe ne duhet të marrim shembull nga tifozeria italiane e treguar në Palermo : këndimi i himnit të Mamelit në momentin e ndërprerjes së ndeshjes ishte emocionuese. Ti ndjeje se kishe të bëje me një komb të madh. Grupet si ato që ndezën flakadanët, të krijojnë ndjesi të kundërt, pavarësisht emrave tingëllues si Elita Iliriane, apo të stilizuar shqiptarisht si ndonjë tjetër. Ndaj kujdes me grupet e organizuara dhe nxitje për tifozerinë masive. Kështu imazhi ynë i tifozerisë, dhe prurja e këtij imazhi në imazhin tonë të përgjithshëm kombëtar do të jetë i dobishëm. Dhe jo i kushtueshëm në para (pagesat e gjobave), por i frytshëm.

Please follow and like us: