Porta e Lartë lejonte gazeta për serbët në Kosovë
Një lexim ndryshe i historisë sjell në pah edhe favorizimin që u bëhej etnive të ndryshme në vilajetet osmane. Administrata osmane lejonte në Vilajetin e Kosovës edhe gazeta në gjuhën serbe në një kohë kur gjithçka shqipe luftohej ashpërsisht
(konica.al) – Gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë nisi me përpjekjet e rretheve patriotike shqiptare për të siguruar të drejta kulturore e arsimore. Të njëkohshme me këto përpjekje ishin edhe ndërhyrjet e Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë në dominionet osmane për të kërkuar të drejta për ‘bashkatdhetarët’ e tyre.
Një lexim ndryshe i historisë sjell në pah edhe favorizimin që u bëhej etnive të ndryshme në vilajetet osmane. Gazeta e quajtur «Prizreni», e para e llojit të vet në Vilajetin e Kosovës, nisi botimin qysh në vitin 1871 falë lehtësirave që krijonte valiu i asokohshëm i Prizrenit, Safet Pasha.
Kjo gazetë katër-faqëshe që shtypej në shtypshkronjën e vilajetit në Prizren, kishte dy faqe në osmanisht dhe dy të tjerat në serbisht. E gjithë kjo në kohën kur në vetë statistikat osmane, madje edhe ato serbe, pohonin se serbët ishin një pakicë në krahasim me shumicën shqiptare.
Me kalimin e qendrës së vilajetit në Prishtinë, aty kah fundi i vitit 1877, organi zyrtar i vilajetit do të quhej ‘Kosova’, gjithnjë duke vazhduar botimin në osmanisht dhe serbisht. Redaktorët Mehmet Vasif, Kasif Hajri dhe Ismail Kemal me ndihmën e Hasan efendiut nga Gjakova i përkthenin artikujt edhe në serbisht.
Qysh kur gazeta «Prizreni» nisi botimin e numrave të parë, shqiptarë të shkolluar në Stamboll do të ankoheshin për lënien anash të botimit në shqip. Kështu në revistën turke «Basiret» që dilte Stamboll, në vitin 1871 një artikull i nënshkruar me pseudonimin «Bir Arnavut» («Një shqiptar»), me tone të theksuara kritike kundërshtonte diskriminimin e shqipes.
Aty përmendej se pavarësisht faktit që popullsia e Vilajetit ishte me origjinë shqiptare, gazeta e Prizrenit po botohej në gjuhën turke dhe atë serbe dhe si e tillë nuk i shërbente askujt.
Me këtë rast, artikull-shkruesi anonim kërkonte që të dy faqet e gazetës në fjalë të botoheshin në gjuhën shqipe. Redaksia e gazetës «Prizren» do t’i përgjigjej menjëherë artikullit në fjalë, duke thënë se jo e gjithë popullsia e Vilajetit të Prizrenit ishte shqiptare dhe se gjuha shqipe ende nuk ishte letrare, por edhe po të ishte do të krijonte shpenzime të mëdha për shtypjen e gazetës me alfabet latin.
Por i njëjti kriter nuk do të përdorej për shtypin serb sepse me 1895, Qeveria në Stamboll jep leje për gazetën e tretë në gjuhën serbe «Carigradski Glasnik» (Lajmëtari i Stambollit) që botohej paralelisht në kryeqytetin perandorak por edhe në Prishtinë. Kjo gazetë, për të cilën nuk bëhej problem se shkrimi cirilik do të sillte shpenzime të mëdha, shpërndante propagandë serbe por duke mbajtur qëndrim lojal ndaj sulltan, Abdul Hamidit.
Autoritetet perandorake dhanë leje edhe për gazetën «Vardar» që doli në Shkup. Duke filluar botimin nga viti 1908, ajo ishte gazeta e katërt në gjuhën serbe që u botua në hapësirat e Vilajetit të Kosovës.
Por kur ishte puna për të drejtat kulturore të shqiptarëve, administrata osmane si dhe serbët mirëkuptoheshin pa asnjë problem. Kështu, mitropoliti serb i Shkupit qe ndër të parët që nënshkroi vendimin e Këshillit administrativ të Vilajetit të Kosovës për hedhjen poshtë të alfabetit latin të shqipes.