Rrugë vetëm për fushatë, 3 korridore mbetën në vend
Qeveria po mbyll mandatin e parë 4-vjeçar dhe në bilancin e vet duket se do ketë një defiçit të madh që ka të bëjë me investimet publike dhe kryesisht ato në infrastrukturë, ku qeveria e kaluar bazoi strategjinë e saj të zhvillimit. Tre korridore që u lanë pa përfunduar nga mandati paraardhës janë pothuajse në gjendjen e 4 viteve më parë. Rruga Tiranë-Elbasan, By Pass-et e Fier dhe Vlorës dhe Rruga e Dibrës janë vepra publike që duhet të kishin përfunduar ose duhet të ishin në përfundim megjithatë qeveria i ka tejkaluar afatet dhe po nxiton të hedhë disa lopata më shumë në prag zgjedhjesh dhe kjo vetëm në funksion të votave për të rikonfirmuar pushtetin.
Tiranë-Elbasan, kredi për fushatën e Taulant Ballës
Aksi Tiranë-Elbasan një nga investimet më të mëdha të infrastrukturës me impakt të madh në ekonominë e sonës juglindore të vendit përbën edhe një nga rekordet më negative të qeverisë aktuale, e cila në 4 vite nuk arriti të përfundojë rrugën, duke sajuar përplasje me firmën kontraktore. Procedurat u mbikqyrën nga Ministria e Transporteve që i takon LSI-së bashkë me Autoritetin Rrugor Shqiptar, drejtuesit e së cilës kanë nisur fushatën me paratë publike dhe kredi të marrë në prag zgjedhjesh për përfundimin e Rrugës.
Kështu qeveria ka siguruar një marrëveshje kredie me Bankën Islamike për Zhvillim në vlerën e 35 milionë e 174 mijë dollarëve, e cila përmbyll financimin e rrugës Tiranë – Elbasan, vepër që duhet të kishte përfunduar që në vitin 2014. Vetë qeveria nuk kishte predispozitën për ta përfunduar këtë rrugë edhe për faktin se shiriti do pritej nga një ministër i LSI-së, por burime thanë për Respublica se ndërhyrja e deputetit Taulant Balla bëri të mundur zhbllokimin e garancisë nga qeveria për të marrë këtë kredi. Kjo pasi impakti elektoral i Rrugës prek edhe zonat ku Balla është deputet i Librazhdit. Kosto totale e rrugës 27 km që bashkon Tiranën me Elbasanin llogaritet në 335.2 milionë dollarë. Rruga Tiranë – Elbasan nisi të ndërtohet në vitin 2011 dhe duhet të kishte përfunduar në 2014.
Rruga e Arbrit
Rruga e Arbrit ishte premtuar të përfundonte në vitin 2018 nga Edi Rama, në fushatën e vitit 2013, ku ai, në aleancë me Ilir Metën, morën një deputet më shumë në Dibër. Me këtë premtim Rama e Meta fituan edhe bashkinë e Dibrës në 2015. Rama anatemoi zvarritjet e qeverisë së kaluar dhe premtoi se shumë shpejt do të mbyllej një marrëveshje me një kompani kineze për ndërtimin e rrugës, por negociatat dështuan. Nën hijen e Rrugës së Arbrit, dibranët votua sërish, pasi Rama u detyrua ta shkarkonte nga detyra kryebashkiakun e zgjedhur prejt tij, Shukri Xhelilin, kur ai u përshi në një skandal seksual dhe një video dëshmoi se ai kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune. Ai deklaroi se rruga do të fillojë brenda mandatit të parë dhe projekti 1 miliardë dollarë është parë si zgjidhje për të shpallur fituesin e ndërtimit të Rrugës para zgjedhjeve.