Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA dënon arrestimin e udhëheqësit opozitar rus

Shtetet e Bashkuara dënuan ashpër arrestimin e qindra protestuesve të dielën gjithandej Rusisë, përfshirë edhe udhëheqësin e opozitës, Alexei Navalny.

Dhjetëra mijëra rusë demonstruan nëpër qytete gjithandej në mbështetje të thirrjeve të Navalnyt për llogaridhënie të elitës politike ruse.

OVD-Info, një organizatë që vëzhgon represionin politik në Rusi, shkroi në faqen e saj të internetit se mbi 1 mijë veta janë arretsuar vetëm në demonstratën e mbajtur në Moskë.

Ky numër nuk është vërtetuar nga burime të pavarura, ndërsa agjencia shtetërore e lajmeve TASS, citoi policinë e Moskës të ketë thënë se janë arrestuar 500 veta përfshirë edhe Navalnyn.

Ai u arrestua derisa po ecte nga stacioni i metrosë drejt sheshit Pushkin në Moskë.

Njoftimet nga vendi i ngjarjes thonë se policia e futi atë në një makinë të rrethuar nga qindra protestues që provuan të pengojnë arrestimin duke brohoritur “turp”: dhe “lëreni të lirë”.

“Çuna. Unë jam mirë, Ecni nëpër Tverskaya,” shkroi ai në twitter duke ju referuar rrugës qendrore të Moskës.

“Burgosja e protestuesve paqësorë, vëzhguesve të të drejtave të njeriut dhe gazetarëve, është një fyerje për vlerat themelore demokratike”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë të “tronditura” me arrestimin e Navalnyt, i cili ka bërë publik planin për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018.

Protestat duket të jenë shpërthimi më i madh i bashkërenduar i pakënaqësive që nga protestat masive të viteve 2011-2012 për shkak të mashtrimeve në zgjedhjet parlamentare.

“Kjo është një ngjarje shume e rëndësishme! Ne kemi ardhur të shprehim qëndrimet tona si qytetarë”, tha një protestuese që u prezantua vetëm me emrin Alina.

“Me praninë time, unë qëndroj kundër korrupsionit të pushtetit aktual”, tha një tjetër protestues që u prezantua vetëm me emrin Maksim. “Autoritetet nuk duan të flasin me qytetarët e tyre dhe komunikojnë vetëm nëpërmjet metodave të forcës”.

Navalny, një kritik i Kremlinit, bëri thirrje për demonstrata pasi që Fondacioni i tij Kundër Korrupsionit, botoi një raport të hollësishëm këtë muaj ku akuzohet kryeministri Dimitry Medvedev për krijim pasurish masive, si rezidenca, jahte, dhe plantacione vreshtash, nëpërmjet një rrjeti të dyshimtë organizatash jofitimprurëse.

Raporti i tij u pa nga mbi 11 milionë njerëz në Youtube, ndërkohë që zoti Medvedev nuk bëri ndonjë reagim.

Navalny njoftoi në faqen e tij zyrtare në internet se 99 qytete ruse kishin planifikuar të protestonin, por se në 72 prej tyre autoritetet nuk kishin dhënë leje.

Demonstratat patën një mbulim të paktë nga mediet zyrtare të Rusisë. Një raport i shkurtër i agjencisë TASS, thoshte se një oficer i policisë u plagos gjatë një tubimi “të paautorizuar” në Moskë.

Navalny pritet të akuzohet për organizimin e tubimeve të paautorizuara, që kanë çuar në shkelje të rendit publik.

Please follow and like us: