Shqipëria e ndërvarur nga humori i Ramës e Blushit
Frano Kulli
Një ndjesi e pështirë më vjen, teksa dëgjoj polemikën “qit e prit” ndërmjet Edi Ramës e Ben Blushit, në aulën e Kuvendit të Shqipërisë, e cila për cilindo vend normal të Europës dhe përtej, është tempulli ku rri e shkuara, e sotmja dhe projektohet e ardhmja e prosperitetit të një vendi. Rrëfime publike përreth miqësisë së tyre të shkuar dhe armiqësisë së tyre për vdekje sot, e kanë pushtuar përgjithë ditën e enjte atë sallë, që nuk është shtëpia e asnjërit prej tyre, nuk është bufe-ja ku paguajnë për të pirë kafenë e tyre, nuk është restoranti ku darkojnë me verë të lirë a të shtrenjtë për qejfin e tyre a dhe për të ndarë punët e miqësinë e tyre. Nuk është , gjithashtu as vendi ku ata mund të servirin mllefet personale sezonale a stinore të tyre. Ajo aulë ku ata përballin kualitetet e tyre verbale e ligjëruese nuk është e tyre. Është e ne të gjithëve, është edhe e imja. E ne nuk kemi as nevojë as dëshirë për atë ligjërim. Dhe sa kohë ata kumtojnë aty ligjërimet e tyre që në thelb kanë miqësinë e vjetër a armiqësinë e re të tyre, më së paku është një gjë e neveritshme.
Zoti Edi Rama është kryeministri i Shqipërisë. Shqipërinë që ai është ngarkuar ta administrojë e bren sot një krizë e pashembullt në historinë e re pas rrëzimit të sistemit të vjetër politik, një çerek shekulli më parë. Dhe këtu nuk është fjala për krizën e mardhënieve të Zotërisë së tij të miqësisë me Blushin e me miq të tjerë të tij , nuk është as kriza e tij me vetvehten, të cilën tashmë nuk e fsheh dot, nuk është as kriza me “çadrën”, siç përpiqet ta zvogëlojë ai protestën e opozitës politike që vijon prej më se një muaji, e cilavedo dimensione qoftë ajo. Kjo nuk na intereson ne dy milion e sa shqiptarëve të tjerë, që kemi mbetur këtu, nën administrimin e Zotërisë së tij.
Është kriza që ka marrdhënia e kryeministrit të Shqipërisë me Shqipërinë, të cilën, në vend ta administrojë për nga prosperiteti i ekonomisë e ka lejuar të kanabizohet (më e pakta), në vend të vijojë në rrugën e ëndërruar prej shqiptarëve një çerek shekulli më parë drejt Europës së zhvilluar, të kamur e të pasur, sipas ligjësive të ekonomisë së tregut të lirë, e ka orientuar në një udhë të ngushtë pa dritë, të padrejtë, pa konkurencë të lirë, të korruptuar, pa tejpamje e pa perspektivë.
Ka ngushtuar e po ngushton përditë rrethin e veprimit demokratik të shqiptarëve, duke u servirur atyre burgun si mundësinë e parë dhe të vetme nëse nuk arrijnë të realizojnë reformat e shtetbërjes së tij. Shtetbërje ku raporti i të drejtave të shtetasve mbi detyrat e tyre ka rënduar gjithnjë mbi të dytën. Shtetbërje, e cila siç është tashmë e pranuar është tejet e kompromentuar prej kriminalizimit të ligjëvënies dhe ligjzbatimit. Kryeministri ynë është shembulli i vetëm në Europë, besoj, përveç Erdoganit ndoshta, që e ka fashitur deri në asgjësim opinionin publik oponent ndaj qeverisë së tij. Me të gjitha mënyrat dhe mjetet e pamoralshme e të paligjëshme. Duke presionuar a , më thjesht duke blerë pronarët e mediave. I intimidon gazetarët, i përbuz me etiketimet më të ulëta, i quan medie kazani ata që nuk i thurin lavde atij, (mua më vjen ta barazoj epitetin e tij me fjalën pleh). Thua se ato duhet të ishin thjesht zëdhënëse të tij dhe aspak të opinionit publik.
Duke shfrytëzuar në mënyrë mizore mungesën e skrupujve të disa prej këtyre pronarëve. Ca syresh, nën shembullin e Zotit kryeministër shpërfillin faktin se, vërtet janë pronarë të studiove të tv-ve të tyre , por si kudo në botën demokratike ata, në ndërkohë janë bashkëpronarë me publikun. Ç’vlerë do të kishin studiot e tyre, nëse nuk do të ekzistonte mundësia e emetimit, domethënë frekuencat e transmetimit që janë vetëm e vetëm pronë publike, pa të cilat, studiot e tyre “non fánno niente” (nuk vlejnë asgjë)…
Atyre që nuk duan ta konsumojnë kohën e tyre me ligjërimet kryeministrore pa interes iu ofrohet e vetmja mundësi, të shtypin butonin “mute” të televizorit të tyre. Sikundërse të përbuzin me neveri gjithçfarë ngjet në aulën e Kuvendit të Shqipërisë, që në fakt është tempulli i shqiptarëve. I të gjithëve, edhe i atyre që nuk duan të dëgjojnë broçkullat e atyshme.