Tentativa për aneksim
Hoxha: “Jugosllavia, ekspansion ndaj Shqipërisë”
Enver Hoxha, pas prishjes me Jugosllavinë, ka deklaruar gjithnjë se politika e Josif Broz Titos, që në kohën e luftës partizane, ka qenë aneksimi i Shqipërisë dhe shndërrimi i vendit tonë në “republikën e shtatë të Jugosllavisë”. Kjo ndoshta mund të ketë qenë e vërtetë. Ajo që është e sigurt, është fakti se “tentativa për aneksim” ishte një ide fikse e drejtuesve të shtetit komunist shqiptar në atë kohë. E prej fundvitit 1946, zyrtarët e lartë të Tiranës i shihnin veprimet politike, ekonomike e diplomatike të Beogradit në këtë këndvështrim. Shfaqja hapur e kësaj politike ekspansioniste të Beogradit, sipas Hoxhës, është kërkesa e bërë nga autoritetet jugosllave për hapjen e kufijve shqiptaro-jugosllav. Ja çfarë thotë Enver Hoxha për këtë problem në takimin e zhvilluar më 3 maj 1947 në Tiranë me të dërguarin e BRSS në Shqipëri, Dm Çuvalin…
Protokolli
Për lidhjen doganore për hapjen e kufijve shqiptaro-jugosllavë për qytetarët e dy vendeve.Delegacioni jugosllav ka deklaruar se sipas mendimit të qeverisë jugosllave, kufiri shqiptaro-jugosllav duhet të hapet pa asnjë shtyrje të mëtejshme. Aq më tepër, jugosllavët kanë deklaruar në mënyrë kategorike se ata mund të mos e bëjnë këtë gjë, por në çdo rast, për qytetarët shqiptarë rruga për në Jugosllavi do të jetë e hapur dhe që qeveria jugosllave nuk do të nxjerrë asnjë lloj pengese për ata qytetarë dhe firma shqiptare që do të dëshirojnë të bëjnë marrëveshje tregtare me qytetarët dhe firmat jugosllave. Me fjalë të tjera, jugosllavët hapin kufirin e tyre pavarësisht se i kënaq shqiptarët apo jo vendimi i tyre.
Çështjes së heqjes së taksave doganore dhe të hapjes së kufirit, shqiptarët i japin shumë rëndësi. Ata kanë frikë se moskalimi i lire i kufirit dhe heqja e taksave doganore jugosllave, i bëjnë ato të mos blejnë ato mallra që janë defiçitare në Jugosllavi.