Albspirit

Media/News/Publishing

Tundimet dhe barra e LIRISË

Në të gjitha libraritë, romani i dytë në shqip i Jonathan Franzen, një nga rrëfyesit më të mëdhenj të kohës sonë

Peti dhe Uollter Berglundi, janë banorët e parë të Sent-Polit, një çift me prirje borgjeze, prindër praktikë dhe pararoja e brezit të ushqimeve integrale. Peti, kjo fqinjë ideale, kjo nënë e përsosur e për t’u pasur zili, dhe burri i saj, një jurist ambientalist, i cili shkon në punë me biçikletë, një familjar i përkushtuar, po bëjnë të dy pjesën e tyre të vogël për të ndërtuar një botë më të mirë. Por tani, në mijëvjeçarin e ri, Berglundët po bëhen ca misteriozë. Përse djali i tyre adoleshent ka nisur të banojë me familjen ngjitur me të tyren, ca republikanë të thekur këta? Përse Uollteri ka filluar punë për lobin e qymyrit? Si mund të shpjegohet në të vërtetë që Riçard Katzi, rokeri eksentrik dhe shoku i ngushtë dhe rivali i Uollterit në kolegj, vjen ende rrotull në jetën e tyre? Mbi të gjitha, çfarë po i ndodh Petit? Përse ky yll i shndritshëm i rrugës “Barrier” është bërë një tjetërlloj fqinje, është kthyer në një furi e paepur që po del nga vetja përpara syve zhbirues të lagjes?

Pas romanit të tij të parë “Korrigjimet”, Jonathan Franzen na sjell këtë epos të dashurisë dhe martesës bashkëkohore. Në mënyrë komike dhe tragjike, “Liria” sjell tundimet dhe barrën e lirisë: drithërimat e epshit adoleshent, kompromiset e lëkundura të moshës së mesme, shtrëngesat e jetës në periferi, peshën e rëndë të perandorisë së kohës. Kirurg i hollë ndaj gabimeve dhe gëzimeve të personazheve të tij, që te “Liria” rreken të mësojnë të jetojnë në një botë gjithnjë e më pështjelluese, Jonathan Franzen ka prodhuar një portret të pashlyeshëm e thellësisht prekës të kohës sonë.

Please follow and like us: