Vasili shkarkon për shkelje të rënda drejtorin e Policisë së Burgjeve
Ministri i Drejtësisë Petrit Vasili, ka firmosur dje shkarkimin nga detyra të Petrit Koshaj, me detyrë Drejtor i Policisë së Burgjeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
Motivacioni i shkarkimit ka qenë për shkelje të rënda dhe se është përgatitur disa ditë më parë pas disa kontrolleve të ushtruara, thanë burime nga ministria e Drejtësisë.
Koshaj u emërua në dhjetor 2015 nga Ministri i Drejtësisë i atëhershëm Ylli Manjani.
“E kam përzgjedhur qëllimisht Petritin për të dhënë edhe njëherë mesazhin, se në administratën e burgjeve nuk kanë punë partitë politike apo deputetët. Do ta përsëris për të disatën herë, derisa të bindet edhe skeptiku më i fundit në këtë vend, që administrata e burgjeve është pjesë e sigurisë kombëtare të këtij vendi. Nuk ka shaka me sigurinë kombëtare”, tha ndër të tjera Manjani gjatë prezantimit ndërsa falenderoi z. Koshaj për pranimin e ftesës për të punuar në sistemin e burgjeve.
Petrit Koshaj kishte një eksperiencë prej më shumë se 25 vitesh në struktura të ndryshme të policisë së shtetit.