BE bllokon shkrirjen e bursave të Gjermanisë dhe Londrës
Bashkimi Europian ka bllokuar shkrirjen e propozuar mes bursave të Gjermanisë dhe të Londrës gjatë kësaj të mërkure, duke argumentuar këtë lëvizje me shqetësimet “tejet serioze” në lidhje me efektet e kësaj marrëveshjeje në konkurrueshmëri.
Marrëveshja do të krijonte “de facto” një monopol në fushën kritike të instrumentave të të ardhurave fikse, siç janë bonot dhe marrëveshjet e riblerjes, shpjegon shefja kundër monopoleve e BE-së, Margrethe Vestager.
Vendimi pritej, pasi “London Stock Exchange” njoftoi muajin e kaluar se nuk mund të shiste shumicën e aksioneve në tregun elektronik të bonove “MTS”, gjë që do të lehtësonte disi shqetësimet e BE-së. Marrëveshja do të përfshinte edhe “Deutsche Boerse” me seli në Frankfurt, “Eurex”-in dhe “Cassa di Compensazione e Garanzia” të Romës.
Kompanitë në fjalë njoftuan marrëveshjen në mars të vitit të kaluar, 3 muaj përpara se britanikët të vendosnin përmes referendumit për t’u larguar nga Bashkimi Europian. Bazuar mbi vlerën e tregut të aksioneve në atë kohë, të dyja kompanitë kapnin nëj vlerë prej rreth 30 miliardë dollarësh.
Si bursa gjermane, ashtu edhe ajo londineze këmbëngulën se marrëveshja mund të realizohej edhe në rastin e “Brexit”-it.
Shkëputja e Britanisë nuk është cituar si faktor në vendimin e kësaj të mërkure, por ai ka komplikuar perspektivën e marrëveshjes, pasi bënte thirrje që kompanitë të bashkoheshin në themelet e kompanisë britanike, gjë që u vu në dyshim në Gjermani pas mësimit të largimit të Britnaisë nga BE-ja.
Aksionerët në “Deutsche Boerse”, kopania që operon edhe “Frankfurt Stock Exchange”, do të mund të zotëronin 54.4 për qind të kompanisë së përbashkët.