Express: Me 6 prill Kuvendi voton Demarkacionin me Malin e Zi
Duket se debati pro dhe kundër Demarkacionit me Malin e Zi do të mbyllet javën e ardhshme, kur deputetët duhet të votojnë për apo kundër ratifikimit të tij. Burime të Gazetës Express thanë se të enjten e ardhshme, më 6 prill, Demarkacioni do të dërgohet në Kuvend.
Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshjen për përcaktimin e vijës kufitare në fund të gushtit të vitit 2015. Por për shkak të kundërshtive, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta ratifikojë atë. Por, duket se ky debat do të mbyllet të enjten e ardhshme.
“Të enjten deputetët do të votojnë për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi”, ka thënë një zyrtar i lartë në kushte anonimiteti për Gazetën Express.
Sipas tij, gjasat janë të mëdha që Marrëveshja të ratifikohet.
“Në besojmë se gjithçka do të përmbyllet dhe deputetët do ta votojnë atë”.
Ratifikimi i Marrëveshjes për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi është kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Duket se kjo çështje është shtyrë përpara sidomos pas vizitës së diplomatit të lartë amerikan Hoyt Brian Yee.