Albspirit

Media/News/Publishing

Foreign Policy: Akuzat ndaj Soros janë të rreme

Një grup senatorësh republikanë po shpërndajnë akuza të rreme nga një organizatë e dyshimtë në mbështetje të forcave të korruptuara e antidemokratike të rajonit.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson po përpunon përgjigjen e tij për një letër që i është dërguar më 14 mars bga gjashtë senator për ta nxitur të hetojë veprimtaritë e Ambasadave amerikane, misioneve të USAID-it, zyrave diplomatike që punojnë në mbështetje të demokracisë nëpër botë.

Senatori Mike Lee (përfaqësues i shtetit të Utah), hartuesi kryesor dhe senatorët e tjerë, padyshim që përhapën aludime të rreme të ngritura nga një fletëpalosje e shpërndarë në Kongres nga një grup maqedonas, Stop Operation Soros, krijuar nga Cvetin Chilimanov, redaktor i Shërbimit Shtetëror të Lajmeve në Maqedoni dhe një ish punonjës i zyrës së Presidentit. Letra ka në qender përpjekjet e dy ambasadorëve amerikanë në karrierë për të përkrahur demokracinë në Maqedoni e Shqipëri, duke nënkuptuar që misionet e tyre u futën hundët në partitë politike “për të forcuar të majtën”. Ajo supozon që fondacioni Shoqëria e Hapur për Maqedoninë dhe fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, të cilat financohen nga filantropi milioner George Soros, luajtën rolin e ndërmjetësit në këtë veprimtari.

Tillerson duhet ta injorojë letrën, sepse nuk ka asgjë për tu hetuar. Përvec faktit se është e mbushur me pasaktësi lidhur me punën e fondacionev, senatorët i bëjnë jehonë argumenteve të Kremlinit dhe përkrahin agjendën e elementeve të korruptuar e anitdemokratikë në rajon.

Këtë unë e di mirë sepse jam drejtor i Iniciativës Shoqëria e Hapur për Europën, themeluar nga Soros. Gjithashtu, jam maqedonas. Në 2015 vendi im u përfshi nga kriza politike pasi një parti opozitare publikoi një seri rregjistrimesh të zbuluara të bisedave. Njëra dukej sikur tregonte Kryeministrin e kohës Nikolla Gruevski që inkurajonte zyrtarë të zgjedhjeve të zhvlerësonin votat e hedhura kundër parties së tij. Të tjera regjistrime shfaqën një korrupsion të shfrenuar dhe një program survejimi masiv që shënjestronte 20 000 njerëz. Si përgjigje, qindra mijëra protestues kundër qeverisë dolën nëpër rrugët e Maqedonisë në 2015 dhe 2016 dhe një prokuror i vecantë nisi një hetim kundër Gruevskit, që u nxit nga BE të tërhiqej. Zgjedhjet e fundvitit të kaluar nuk i dhanë asnjërës parti mandatet e mjaftueshme për të krijuar një qeveri të re, Gruevski mbetet forca më e rëndësishme në një Maqedoni të ndarë.

Përballë një dënimi të mundshëm me burgim, Gruevski nuk duket i gatshëm të marrë përsipër përgjegjësinë për krimin dhe krizën politike shkaktuar nga hetimi që po vazhdon. I qortuar nga BE-ja dhe i gatshëm për ta hedhur fajin diku tjetër, ai duket sikur i merr fjalimet e gatshme nga Moska. Ka papagalluar propagandën e Kremlinit që i etiketon zërat kritikë si armiq të populllit. Soros, që sponsorizon bashkë me donatorë të tjerë privatë dhe BE-në, organizata të pavarura, janë bërë “koka turku” të volitshme.

Në Kongresin Amerikan është rënë dakort gjerësisht se përkrahja e organizatave të shoqërisë civile të globit nuk është cështje partiake. Që në kohën e Ronald Reganit, të dy partitë kanë bërë tepër për të ndihmuar vendet që ishin në tranzicionin nga komunizmi drejt demokracisë. Gjithsesi, në letër, senatorët i kërkojnë Tillersonit që të ndalojë promovimin e demokracisë që “po tregon mungesë respekti ndaj sovranitetit kombëtar”. Një interpretim i tillë prezumon që qeveritë janë të shenjta dhe sovrane, e jo në fakt votuesit që i zgjedhin ato, dhe që një shoqëri civile e shëndetshme minon zhvillimin e vendit.

Duke bërë këto deklarata, senatorët kanë shtyrë padashje rrëfenjën autoritare të Presidentit Rus Vladimir Putin drejt e në Kapitol. Duke zgjedhur fjalë të ngjashme me ato që media ruse përdorte për të përshkruar krizën në Ukrainë, që etiketoi të gjitha mospajtimet e popullit si të krijuara nga perëndimi, letra akuzon USAID-in që po e destabilizon Shqipërinë, një vend ish komunist, tashmë aleat në NATO; duke nxitur reformën në drejtësi atje. Ata nuk japin asnjë provë që ta materializojë deklaratën përvec faktit se USAID ka sponsorizuar punën e Open Society Foundation for Albania, dhe edhe kjo është e pasaktë.

Ndryshe nga supozimet e rreshtuara në një letër nga “liderë të respektuar nga Shqipëria” anonimë, fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë nuk ka pranuar as administruar kurrë fonde nga USAID-i. Ajo nuk e ka krijuar Dokumentin Strategjik për Reformën Gjyqësore në Shqipëri sic deklaron letra, komisioni multipartiak i parlamentit Shqiptar për reformën gjyqësore e hartoi atë. Fondacioni mbështeti procesin duke financuar komisionin dhe skuadrën e ndihmës teknike, por nuk kishte asnjë lidhje me dokumentin. Senatorët duket se kanë rënë viktima të një ushtrimi politik për të zhvlerësuar procesin e reformës gjyqësore dhe Kryeministrin, ironike kur llogarit shqetësimin e tyre për stabilitetin e vendit.

Mbase pjesa më alarmuese është që letra e senatorëve barazon nxitjen për një “agjendë progressive” me promovimin e një “agjende politike”. Ata mesa duket harrojnë që progresi, në sundimin e ligjit, demokraci e në respektimin e të drejtave të njeriut, është një ideal njerëzor mishëruar në ligjin ndërkombëtar nga qeveri nga të gjitha anët e spektrumit politik. Senatorët argumentojnë që debate kritik dhe reforma që ka qëllim ta realizojë këtë ideal, kanë patur një “efekt destabilizues” në rajon.

Historia tregon se ata e kanë gabim. Nuk është rastësore që vendet më të suksesshëm në botë (kujtoni Gjermaninë ose Hollandën, pa përmendur SHBA-të) i mirëpresin debatet politike kumbuese dhe të shumëllojshme. Duke i thënë e iu drejtuar shqetësimeve të publikut krijohet një stabilitet kohëgjatë, dhe duke i shtypur vetëm i ushqen me frustrim dhe rrit mundësitë për paqëndrueshmëri.

Nuk është e habitshme që senatorët kanë dëgjuar nga lider të ngulitur që i shohin shoqëritë civile kritike si armiq. Politikanëve nuk i pëlqejnë kritikat. Ppr hetimi që ata kërkojnë do të shënjestronte punën e organizatave prodemokratike si International Republican Institute (IRI), National Democratic Institute (NDI), National Endoëment for Democracy (NED), U.S. Institute of Peace (USIP), dhe pafund të tjera nëpër botë, duke u bazuar në atë që duket se janë thjesht komente të politikanëve që shohin interesat e tyre në dy shtetet. Miratimi i një hetimi të tillë do të shënonte një largim të rrezikshëm nga dekadat kur politika amerikane promovonte demokracinë dhe të drejtat e njeriut jashtë kufijve të vet, praktikë e të dy administratave, si republikane, ashtu edhe demokratike. Do të shënonte braktisjen e botëkuptimit që interesat e SHBA-ve plotësohen nga marrëdhënie me shtete paqësore, të qëndrueshme që ndajnë të njëjtat vlera demokracie.

Letra po ashtu injoron faktin që shumë prej punës së fondacionit është e destinuar të mbështesë institucione shtetërore. Tillerson duhet ta llogarisë këtë para se të marrë vendimin e tij. Që kur Sorosi themeloi the Open Society Foundations në 1979, puna jonë ka ndihmuar në përmirësimin e jetës së miliona njerëzve nëpër botë.

Fondacioni Shoqëria e Hapur Maqedoni me mbështetjen e tij ishte thelbësore për mbijetesën e vendit në vitet e saj të hershme. Nën bllokadë nga fqinjët pasi deklaroi pavarësinë në 1991 gjatë ndarjes nga jugosllavia, fondacioni ndihmoi të mbante gjallë sistemin e kujdesit shëndetësor të Maqedonisë, duke sjellë medikamente, pajisje laboratory, ambulance dhe pajisje sanitare në 45 spitale dhe klinika në të gjithë vendin. Në 1994, ajo pagoi 50 % të kostos për 40 fluturime masive mallrash drejt Sllovenisë që fermerët mMaqedonas të mund të dërgonin prodhimet e tyre të freskëta në një treg europian.

Deri më sot, Fondacioni Shoqëria e Hapur Maqedoni ka shpenzuar 171 500 dollarë më shumë se sa qeveria e Maqedonisë për t’i mundësuar njerëzve më të varfër të vendit shërbim ligjore falas. Këto projekte ofrojnë ndihmë ligjore për cdo person apo organizato së cilës i refuzohet dhënia e informacionit për veprimtari qeveritare, si për shembull shpenzimet për një projekt infrastrukturor vendor. Fondacioni ka mundësuar këshillim ligjor falas për 100 viktima të dhunës në familje. Ai ka ndihmuar edhe qeverinë duke paguar për një sistem të ri të regjistrimeve digjitale për sistemin e shëndetësisë kombëtare dhe ka financuar ëebsite-in e ministries së drejtësisë së vendit.

Fondacioni Shoqëria e Hapur Maqedoni ka ndihmuar në trajnimin e më shumë se 2000 mësuesve për të përdorur metodologji mësimore ndërvepruese dhe ka paguar për rinovimin dhe pajisjen e amfiteatërve, korridorëve, tualeteve, bibliotekat multimedia, dhe klasat në tetë fakultete të trajnimit të arsimtarëve në katër universitete shtetërore. Gjatë krizës ekonomike të 2009 deri në 2011, ajo përdori fonde emergjence për tu paguar 1.9 milion dollarë organizatave që u mësonin fermerëve dhe biznesmenëve të biznesit të vogël menaxhim financiar që të mund ta mbanin gjallë aktivitetin e tyre.

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë ka shpenzuar më shumë se 57 milion dollarë për të ndërtuar 275 shkolla dhe kopshte kudo në vend. Shtatëdhjetë përqind e popullsisë ka përfituar nga këto shkolla, dhe fëmijët vazhdojnë të edukohen në to. Programi i internetit nga Open Society e bëri Shqipërinë të hapur ndaj botës së jashtme, duke vendosur antenën e parë të internetit në vend në 1997 dhe duke ndihmuar për shërbimet online falas në biblioteka, universitete dhe OJQ.

Fondacionet “Shoqëria e Hapur” krenohen me trasparencën dhe mospërfshirjen e tyre politike. Ne avancojmë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore për afatin kohëgjatë, pavarësisht nga drejtuesit politikë të kohës. Nëse drejtuesit me tendenca autoritare ndalojnë mbështetjen nga ana e OJQ-ve të guximshme që i vënë ato në dyshim, aktivistët do të ishin gjithmonë e më tepër të pambrojtur ndaj ngacmimit, përfrikësimit dhe dhunës. Bota do të bëhej më pak e qëndrueshme.

Sekretari i Shtetit duhet të mendohet gjatë para se të dali pas angazhimeve politike ndërkombëtare të Amerikës. Braktisja e tyre do ta conte vendin, dhe botën, në një drejtim tjetër dhe mjaft të errët. /Goran Buldioski – Foreign Policy/

Please follow and like us: