Albspirit

Media/News/Publishing

Lasgush Poradeci: TRIOLETA

 

I

Pik’ e loteve të mija
Vetëtin si gur i rrallë,
Shkrep me zjarr posi shkëndija
Pik’ e loteve të mija.

Bukurija, bukurija
Më pat puthur mun në ballë:
Pik’ e loteve të mija
Vetëtin si gur i rrallë.

II

Si m’u ndrit çdo mall që pata!
Miq, o! kìma-ni zilinë!…
Ardhi dita: iku nata –
Si m’u ndrit çdo mall që pata!

Varg-e-varg më përgjërata
Para sysh më venë-e-vinë…
Sì m’u ndrit çdo mall që pata!
Miq, o! kìma-ni zilinë.

III

Këto kopshte ku fryn era
Muar gjyrën e floririt…
Se ç’m’i shkel baluke-prera
Këto kopshte ku fryn era:

Parëvera! parëvera!
Po më çel në mes të gjirit –
Këto kopshte ku fryn era
Muar gjyrën e floririt.

 

Please follow and like us: