Manjani tregon si zgjidhet kriza politike, s’është qeveria teknike
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, në një analizë në FB shkruan se vetëm reforma zgjedhore e zgjidh ngërçin politik të krijuar në vend.
Ai thothë se kodi aktual zgjedhor ka bërë që në Shqipëri të mos ketë zgjedhje, por vetëm votime. Më poshtë shkrimi.
SHKRIMI
Mbi krizën politike aktuale.
Nuk ka asnjë dyshim që kriza e sotme politike buron nga kriza e zgjedhjeve. Partitë si asnjëherë tjetër më parë janë në krizë të thellë besimi, madje deri në paranojë.
Kriza e zgjedhjeve ka qenë gjithnjë e pranishme, por bashkë me të ka qenë prezent edhe zgjidhja. Shumicat politike sado arrogante, kanë toleruar gjithnjë, pavarësisht deklaratave ” ne do hyjmë në zgjedhje, pa opozitën..”
Në 2003, 2005, 2007 dhe 2008 u bënë reforma të konsiderueshme e madje të thella zgjedhore sipas kërkesave të opozitës së kohës. Në vitet në vijim nuk u bënë ndërhyrje të thella në ligjin e zgjedhjeve, por thjesht u krijuan e madje u shpikë praktika të reja gjate zbatimit. Shpikje psh, ishte zëvendësimi i Ilirjan Muhos nga KQZ, pavarësisht se ligji nuk e lejonte këtë gjë. Shpikja vijoi kur PS dhe LSI bojkotuan KQZ ne zgjedhjet e vitit 2013.
Pra gjithnjë ka patur zgjidhje! Edhe kur mendohej se zgjedhjet ishin të shkatërruara nga mos pjesmarrja e opozitës së radhës. Në 2007, Rama kërcënoi me mos hyrje në zgjedhjet vendore edhe pse e kishte siguruar marrëveshjen me LSI. Arësyeja ishin Çertifikatat. U negocua në zyrën e Presidentit të kohës dhe u gjet një zgjidhje.
Kjo kriza e sotme nuk ka lindur sot, sigurisht! Ajo ka filluar që në vitin 2008, ku u miratua ky sistem zgjedhor që kemi sot. Ky sistem i kthen zgjedhjet në votim! Mjafton të bësh koalicionin e duhur dhe zgjedhjet janë formalitet. Dihet se kush do jete shumica e kush pakica. Madje deri në njëfarë mase dihen edhe numrat.
Sistemi aktual zgjedhor është pengmarrës. Ai merr peng partitë sepse vendimmarrjet e tyre varen nga matematika e koalicioneve. Formula e D’hondt favorizon dukshëm partinë apo koalicionin më te madh. Nga ana tjetër votat e çdo partie (pavarësisht madhësisë) bëhet efektive në thesin e koalicionit!
Sistemi i sotëm nuk lë asnjë shteg as për burrni e as pë moral! Je i detyruar të kërcesh në vallen e një kolaicioni, pavarësisht se çmendon apo sa dakortësi ke me të!
Ky sistem fsheh, mbi të gjitha,fuqinë elektorale të çdo partie. E vetmja gjë që dihet me siguri, në llogaritë e këtij sistemi zgjedhor, është dëmi që mund të shkaktojë një parti, por jo fuqia reale e saj.
Ideja e pasjes se nje shumice të paravendosur në zgjedhje është jo demokratike dhe prodhoj vetëm arrogancë! Cilido që kërkon arësyet e arrogancës së pushtetit, sugjeroj ti kërkojë tek sistemi zgjedhor aktual. Dihet që prej vitesh, në dilemën demokraci apo stabilitet, shqipëria ka zgjedhur stanilitetin. Por kemi nevojë ulëritëse për më shumë demokraci.
Kemi nevojë të pa përmbajtur për më shumë dialog politik në vend dhe për pasojë për më shumë besim. Pa besim nuk ka as menaxhim zgjedhjesh. Le ti bëjmë si të duam, me ose pa elektronikë, me ose pa komisione politike, me ose pa kolegj zgjedhor. Le ti vëmë dënimet maksimale! Pa besim politik nuk ka administrim zgjedhor!
Besimi vjen vetëm nga dialogu! Dialogu vjen vetëm kur ska arrogancë! Arroganca ikën nëse shumicat qeverisëse djersitin, jo vetëm për të fituar qeverinë, por edhe për ta mbajtur atë!
Prandaj kam binjen e plotë se kriza e sotme, nëse duam të jetë e fundit e ketij lloji, zgjidhet me reformën e sistemit zgjedhor.
Sistemi i ri zgjedhor duhet të jetë : i thjeshtë ( proporcional kombëtar, ose rajonal me 5 qarqe me numër të barabartë zgjedhësish); përfaqësues ku çdo kush, parti apo individ,të ketë shancin të zgjidhet dhe çdo kush të ndjehet i përfaqësuar në vendimmarrje; i moralshëm, ku partitë të konkurrojnë me programe dhe të ndërtojnë aleanca pas zgjedhjeve mbi bazë votash dhe idesh, jo pazaresh!
Është imperative kjo reformë! Madje edhe më imperative se zgjedhja e Presidentit apo e qeverisë teknike!
Është krejtësisht e bëshme kjo reformë edhe pa ndryshime kushtetuese, nëse ruhet numri 140 i deputetëve. Edhe nëse do duhen ndryshimet kushtetuese, janë të bëshme dhe pa ndihmën e ekspertëve të nivelit të lartë!
Kjo e zgjidh njëherë e mirë kët pisllëk politik! Kjo e heq pengmarrjen e votën! Zgjidh krizat e ketij lloji dhe vendos preçedentë pozitivë për të ardhmen! Kjo reformë detyron partitë të dialogojnë dhe jo të deklarojnë qesim!
Duhet konsideruar kjo gjë! Është e vetmja rrugë që i pajton të gjithë.