SHBA: Zgjedhjet në Shqipëri të mbahen në 18 Qershor
Zëvendësndihmës sekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee ka deklaruar se Shqipëria duhet të mbajë zgjedhjet e saj në kohën e përcaktuar, pra më 18 Qershor.
“Shqipëria do të, do të duhej së paku, të mbajë zgjedhjet e saj me orar të rregullt në qershor, me 18 Qershor besoj”- tha Yee për Radio Televizionin e Kosovës.
Zv.ndihmës sekretari shtoi se SHBA-të e nxisin opozitën dhe të gjitha partitë që të marrin pjesë në zgjedhje dhe jo t’i bllokojnë ato.
Sipas Yee, nëse ka probleme, dialogu duhet të zgjidhë problemet mes palëve në funksion të zgjedhjeve të lira dhe të drejta.
“Nëse ka problem, ne besojmë se opozita dhe qeveria duhet të kenë dialog që të zgjidhin problemet në mënyrë që zgjedhjet të jenë të lira të drejta”- tha Hoyt Brian Yee.
Sipas zyrtarit të lartë amerikan, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, SHBA-të shpresojnë që zgjedhjet do të mbahen në mënyrë të lirë dhe të drejtë, e jo si “shteg i ikjes apo si mënyrë për t’i ikur përgjegjësisë”.