“Tradhti ndaj atdheut”, nis gjuetia kundër Donald Tusk
Pasi Donald Tusk u rizgjodh president i Këshillit të BE-së kundër vullnetit të Varshavës, kundërshtari i tij Kazhynski po e përshkallëzon konfliktin. Kundër Tusk është lëshuar kallëzim penal për tradhëti ndaj atdheut.
Prej muajsh Jaroslav Kazhynski, kryetari i partisë polake nacional-konservatore në pushtet PiS ka paralajmëruar: Nëse liberali Donald Tusk do të zgjidhet për një mandat të dytë, pra për dy vjet e gjysmë të ardhshëm në postin e kryetarit të Këshillit të BE-së, ai mund të ketë “probleme”. Prej muajsh mediet polake parathonë një showdown mes dy politikanëve.
Prej paralajmërimeve të Kazhynksit frontet janë acaruar: Tusk ka qenë në vitet 2007-2014 kryeministër i Polonisë dhe që më 2014 ai është në Bruksel, ku u rizgjodh si kryetar i Këshillit të BE-së në rrethin e vendeve të BE-së me 27 vota pro dhe një kundër (vota e Polonisë). Tani vjen përgjigja nga Varshava. Të hënën (27.03) ministri i Jashtëm Vitold Vaszhykovski tha, se në bazë të një ekspertize zgjedhja e Tusk është e dyshimtë në aspektin juridik. Madje mund të bëhet fjalë për një “falsifikim” të votimit, sepse kandidati nga Varshava, eurodeputeti Jacek Saryusz-Volski, nuk u lejua të votojë. Sidoqoftë ndërkohë të tjerë përfaqësues të qeverisë janë distancuar prej deklaratës së ministrit të Jashtëm.
Kundërshtarët politikë e akuzojnë Tusk për “tradhëti ndaj atdheut”
Shumë më e rrezikshme për Tusk është megjithatë kallëzimi penal, që ka ngritur ministri i Mbrojtjes Antoni Macierevicz. Një ndër figurat më të fuqishme të kampit qeverisës e akuzon Tusk për “tradhëti diplomatike” në kontekstin e rrëzimit të avionit në 2010 në Smolensk. Ky nen i korrespondon neneve të kushtetutave në vende të tjera “tradhëti ndaj atdheut” dhe parashikon dënim me deri në dhjetë vjet burg.
Në kallëzim, sipas agjencisë polake të lajmeve, PAP, bëhet fjalë vetëm për periudhën kohore të fatkeqësisë ajrore. Sipas këtyre të dhënave kallëzimi bazohet në dyshimin, që qeveria Tusk ka bërë gabime të rënda kundrejt Rusisë në zbardhjen e rrëzimit të avionit. Nga rrëzimi i këtij avioni gjetën vdekjen presidenti Lech Kazhynski, vëllai binjak i kryetarit të partisë Kazhynski, si dhe 95 persona të tjerë, ndër ta nëpunës të lartë shtetërorë, politikanë, udhëheqës shpirtëror dhe ushtarakë.
Tusk, sikurse shkruan Macierevicz në kallëzimin e tij, “nuk i ka përmbushur detyrimet e tij”. Ai ia ka lënë në dorë Rusisë hetimet për zbardhjen e shkakut të fatkeqësisë. Po ashtu Tusk ka ndërmarrë shumë pak, për dorëzimin e gërmadhës së avionit nga Rusia drejt Polonisë, gjë që e pati premtuar deri më 2011 presidenti rus Dmitri Medvedev. E njëjta gjë vlen edhe për përpjekjet për dorëzimin e kutisë së regjistrimit të avionit. Gërmadha e avionit si dhe kutia e regjistrimit ndodhen në duart e Rusisë edhe sot e kësaj dite.
Ky kallëzim nuk është i vetmi kundër Tusk. Ai ka marrë edhe ftesa për marrjen në pyetje si dëshmitar në Varshavë. Bëhet fjalë për një tjetër proces lidhur me marrëveshjen e vitit 2013 mbi bashkëpunimin mes shërbimeve sekrete të Polonisë dhe Rusisë. Tusk duhej të depononte si dëshmitar më 15 mars, por ai duke iu referuar takimeve më të rëndësishme si president i Këshillit të BE-së, nuk u paraqit. Tani ai do të ftohet sërish në prill.
Një çështje tjetër është afera Amber Gold, lidhur me të cilën në parlamentin polak është ngritur ndërkohë një komision hetimor. Behët fjalë për frimën e Gdanskut Amber Gold, një institucion financiar abuziv, dhe linjën ajrore të lidhur me të OLT Express, për të cilën ka punuar një kohë të shkurtër djali i Tusk, Michal. Komisioni hetimor e ka ftuar djalin e Tusk dhe ndër të tjera do ta pyesë atë, nëse dhe kur babai ka qenë në dijeni për praktikat e firmës Amber Gold.
Një luftë e pritshme për postin e presidentit
Ndërkohë mediet polake spekulojnë, nëse Varshava pas akuzave ndaj Tusk do të lëshojë edhe një urdhër europian arresti kundër tij. megjithatë Tusk nuk duhet të ekstradohet patjetër prej vendeve të BE-së në Varshavë. Si dëshmitar në procese të tjera ai mund të merret në pyetje edhe përmes video-konferencës. Një gjë duket qartë: përmes këtyre masave ligjore për Tusk do të jetë e rrezikshme që të udhëtojë për në Poloni. Kjo mund të dëmtonte edhe autoritetin dhe imazhin e tij si president i Këshillit të BE-së. Në fillim të qeverisjes së PiS, Tusk i pati nënvleftësuar sulmet nga Varshava ndaj personit të tij. Tani ai duhet të shqetësohet për veten dhe djalin.
Një showdown ka nisur të skicohet. Kjo do të arrijë kulmin me zgjedhjet presidenciale më 2020. Tusk konsiderohet si kandidati me më shumë shanse nga opozita. Deri atëherë, shkruan revista “Newsweek Polska”, vendi do të karakterizohet nga dy procese: “nga dinamika e diskreditimit të qeverisë” dhe “dinamika e rendit të ri autoritar të vendit”.
Të dyja proceset përshpejtojnë reciprokisht njëri-tjetrin. “Përplasja është e pashmangshme, megjithatë tani janë të paparashikueshme pasojat e këtij kolizioni. E në këtë proces ka një të panjohur të madhe: si do të reagojnë qytetarët e Polonisë”./DW/