Albspirit

Media/News/Publishing

Vasil Tabaku: Klithmë drite

KLITHMË DRITE

 

Vasil Tabaku: “KLITHMË DRITE”, poezi,

botoi Shtëpia Botuese  “ERIK” Tiranë 1998.  

Redaktor: Ruzhdi Gole;

Recensent: Skënder Buçpapaj dhe Koçi Petriti.

 

 

DHIMBJES I RRIJNË

TË VOGËLA KËPUCËT E HESHTJES…

 

Dhimbja

vesh këpucët e heshtjes

mbi rrugën e kafshuar

nga hapat e varfërisë.

Duart

kanë humbur ndjesinë e prekjes.

Pëllumbat e gjinjve fërfëritës .

qajnë nga mungesa e dashurisë…

Tani për tani

kam vetëm mollën e kafshuar të Adamit

dhe zbrazëtinë e frikshme të heshtjes…

Gjersa Eva mësoj artin e puthjes

dhe formën e shkëlqyer

për ta tradhtuar…

Po dhimbjes

i rrinë të vogla këpucët e heshtjes…

 

 

TRISHTIMI IM  ZOG I PLAGOSUR

 

Është e vogël bota

Për te nxënë

Dhimbjen tonë…

Mbi hapësirat e muzgut

Trishtimi im

Ngrihej si një zog i plagosur,

Rruga drejt teje,

Ishte një psherëtimë reshë ngjyrë gri,

Vetëm zëri yt prej drite

Rendte përmes qiejve,

I ngrohtë, vezullues dhe magjik…

Bota

Ishte tepër e vogël

Për dashurinë tonë…

Ne të dyve

As qielli nuk na mjaftonte…

 

 

DHE HËNA VDES…

 

Hëna

vdes mbi shkëmbinjtë e dhimbjes

si fytyra

e trishtuar e gruas

mbi supet katror të burrit.

Sytë e gruas

janë gozhduar në qiell.

Guximi i tradhtisë femërore

bredh nëpër yje

me arkivolin e buzëqeshjes.

Tej në horizont

mbi shpinën e murrëtyer të muzgut

si mbi supet e egra te bishës

bie pluhur  drite

dhe ca regëtima

hëne…

Fytyra e gruas

lind dhe perëndon

pas çdo psherëtime rënkuese…

Hëna

vdes ngadalë

mbi prerjet e ashpra gjeometrike të shkëmbinjve…

 

 

FEMËR

 

Të jesh femër

Mister mahnitës

I shpirtit të bukur

Një zë drithërues

Përmes ëndrrës

Dhe puthjes…

Këngë udhëtuese

Drejt shpresës

Përqafuar me diellin e virgjër

Me sytë  e brishte

Si dy blegërima te pafajshme

Dhe mallin e përjetshëm

Prej nëne…

Femër,

Ti djep i jetës

Perëndi e dashurisë…

 

 

TRIUMF DRITE…

 

Ishim bashkë

Trëndafilat kishin festë

Dita

Ishte një triumf drite…

Ishim bashkë

Fjalët nuk flisnin

Fliste dashuria…

Ishim bashkë

Dhe nuk e dinim ku ishim

Nuk e dinim ku shkonim…

Dashuria

Na kishte marrë për dore

Drejt fshehtësive te saj të fshehta,

Përtej marrëzisë…

 

 

MOMENT

 

Tani

Jam vetëm një qiell udhëtues

drejt vdekjes

shndritës

përvëlues

dhe i tejdukshëm si fjala

Nëpër humnerat e shpirtit

ndiej si gremisen retë

gjëmimet

vetëtimat shkrepëtitëse

mbi jelet e kuajve të trembur

ku rri e mbërthyer

heshtja ime prej shiu…

 

 

HUMNERAVE TË SHPIRTIT

 

Të qaj

nuk kam forcë.

 

Lumenjtë

zvarriten drejt harrimit,

si kënga e mërgimtarit

gjithë brengë dhe mall…

Mbi fushë

rrëzohet veli i trishtimit

si flokët e shpupuritur

të gruas së braktisur.

 

Pemët

i kanë të prera degët

me mohimin tragjik të lulëzimit.

shkëmbinjtë

rrokullisen të rëndë

humnerave të shpirtit tim.

 

 

KOHË VETËM PËR NJË PUTHJE…

 

Nisur për rrugë

pa e ditur mbërritjen.

Është tepër e shkurtër jeta

për një rrugë të gjatë

Në këtë ecje të rastësishme

mundohem ti bëjë të gjitha

Vonë e kuptoj

paskam pasur kohë

vetëm për një puthje..

Të tjerat

kanë qenë antijetë.

Sa pak kam jetuar.

 

 

MALL

 

Gjithçka femërore

e vodhën duart e mia…

 

Rrëmbyen afshin e puthjes

Prushërimë e brishtë

përvëlonte mallin.

Ti nuk je më

 

Nga gjithë ajo stuhi e tërbuar

Tashmë ka mbetur

vetëm fantazma e kujtimeve

në një varrezë zërash…

 

Era e mbrëmjes

luan me barin e varrezës

si me flokët e tu të gjatë…

 

 

FJALËS T’I JAPËSH JETË 

 

Të ndërtosh fjalën…

Fjalës t’i japësh jetë

Përmes dashurisë

Të nesërmen të marrësh për dore

Drejt hapësirave të diturisë…

Te rendim bashke

Monument drite dhe shprese,

Përqafimi i harruar

Mbi supin e brishtë…

Puthje shndritëse

Malli dhe dashurie…

Ëndërr lirie

Në fluturim…

 

 

PËRTEJ VDEKJES

 

Unë pash

Si digjej fjala

Zjarret të ngrinin në horizont

Si diej  të ftohtë akulli

Zërat e akullt ecin në rrugë

Statujat e munguara

midis njerëzve statuja.

Bota

Lexonte heshtjen

Me zë të lart…

Me buzëqeshjen ndër duar

Vendi im

Me varret më të bukur se shtëpitë,

Mërmërit ngadalë..

Ju të vdekur të gjallë

Për ku nxitoni?

Përtej vdekjes

Mëtanë jetës

Kush mund t!ju presë…?

Nga vini ju të gjallëvdekur

Me ecjen

e thyer, me fjalën e vrarë

Ju të vdekur të gjallë

Mbështjellë me qefinin e heshtjes sonë?

 

 

KLITHMË

 

Zgjat dorën ta kap

Një tufë zjarresh

Përvëlojnë gishtat

Mbi shpinën e një zogu

Fluturon  brenga jonë prej ajri dhe drite

Të gjithë e shikojnë

Dhe askush nuk e dëgjon

Ndërsa shikoj malin të  çahet tejpërtej…

 

 

AJËR

 

Zogu është prej ajri

Një  shtëllungë reshë me cicërima

Ku këngët

Pikojnë si shi i vjeshtës…

…dhe mbi lëndina

Shiu prej kënge

Ndez ngjyrat  e luleve

Në një festival  ajri  dhe drite…

 

 

DRERI

 

Baleti i bukur i hapave te  drerit

e shndërron pyllin

në teatër…

Vetëm lotët e tij

askush nuk i pa

margaritarët që humbin

nëpër gjethet e rëna…

 

Dreri

humb tej nëpër mjegull

balerin lotuese

e heshtur

mbështjellë

me ulërima ujqërish.

Please follow and like us: