Albspirit

Media/News/Publishing

Armir SHKURTI: Bravo Blush, ia dole!

Blushi sot është opozita në Kuvend. Është fakt. Ishte edhe sot.

E nisi muajt më parë si kritik Ben Blushi, si oponent, doli si forcë politike ndërsa sot është opozitë e mirëfilltë. Edhe kur PD ishte në sallë, ajo çka artikulonte deputeti socialist ishte tjetër gjë.

Libra sot  opozitë. E majtë kundër një kryeministri që me letra është i majtë…. Po edhe LSI është e majtë. Edhe ndaj saj bën opozitë e majta e Librës. Ama edhe LSI nuk ia përton PS -së.

Pak çorap duket (dhe jo vetëm duket), por në parlament sot ky është realiteti. E majta e pjestuar, që bën edhe shiun edhe kohën e bukur.  Kjo situatë e faktorizoi socialistin plangprishës. E them “socialist” se pikërisht në emër të socialistëve doli Beni dhe në emër të tyre lufton. E ka shpallur këtë, jo se e them unë. Është luftë me rilindjen. Është konservatorizmi i së majtës me anarkoliberalizmin e Edi Ramës me kompani.  Pra kush e mori si me të qeshur, si lojë të pushtetit, sot po kupton se Libra është një produkt natyral, i dalë nga nevoja politike …e po të majtës shqiptare (!). Si për gjithë të tjerët, edhe për partinë e tij Edi Rama është e keqja.

Një “falemnderit” gjitësesi Libra ia ka borxh edhe PD – së. Mënyra e të bërit opozitë e kësaj të fundit i dha hapsira të jashtëzakonshme Ben Blushit. Sot ai ia ka dalë të jetë faktor. Shumë për meritë të tij dhe grupit që e ndjek, por më shumë ndoshta për rrethanat dhe deformimin që ka politika shqiptare e këtij tranzicioni.

Please follow and like us: