Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumenti sekret për vrasjen e Qemal Stafës

Mehmet Shehu kishte vrarë veten dhe një grup i tërë armiqësor do të “zbulohej” paskëtaj. Ky proces “demaskimi” u shoqërua me mbledhje të organizatave bazë të Partisë në të gjithë Shqipërinë, mbi “veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut e etj.”.

Sot po publikojmë një dokument sekret të sekretarit të Komitetit të Partisë së Rrethit të Durrësit, Muho Asllanit, por do të njihemi edhe me një raport-informacion të përpiluar po në vitin 1982, nga sekretari i Komitetit të Partisë së Degës së Brendshme të Durrësit, Vangjel Gugu.

Ky i fundit informon udhëheqjen e lartë, për dhjetëra kuadro të Sigurimit të Shtetit, Degës së Brendshme të Durrësit, Ministrisë së Brendshme etj., mbi lidhjet dhe bashkëpunimin që kanë pasur ata me të ashtuquajturin “Grupi armiqësorë i Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, etj”.Ndër dhjetëra të akuzuar, bien në sy emra të njohur funksionarësh të lartë të asaj kohe, diplomatë dhe oficerë të Sigurimit të Shtetit, si: Rexhep Kolli, Zoi Themeli, Bato Karafili, Edip Çuçi, Kapllan Shehu, Kleanthi Andoni, Dhimitër Gjoni, Ylli dhe Gëzim Hila, Ali Ymeri, Bashkim Dino, Isuf Mullaj, Tahir Malo, Kadri Gojashi, Lirim Pëllumbi, Dhimitër Bonata, Ramadan Sançolli, Zihni Cukalla, Qazim Myftiu, Hasan Caslli, etj. Dokumenti publikohet i plotë dhe pa asnjë ndryshim apo shkurtim.

LETRA E DEGËS SË BRENDSHME TË DURRËSIT PËR KOMITETIN QENDROR

Durrës më 21.10.1982

Lënda: Informacion mbi disa probleme që kanë dalë mbas punimit të fjalës së shokut Enver, mbajtur në Plenumin IV të KQ të PPSH

KOMITETIT QENDROR TE PPSH TIRANE

Krahas informacioneve të dërguara nga ana jonë për problemet e dala pas punimit të fjalës së shokut Enver Hoxha mbajtur në Plenumin IV të Komitetit Qendror të PPSH, lidhur me veprimtarinë armiqësore të armikut Mehmet Shehu, gjatë këtyre ditëve nga disa komunistë e kuadro kanë dalë edhe këto gjëra:

1.-Të shihet veprimtaria e armikes Fiqirete Shehu si agjente e SIM-it, pasi në librin e Nasho Jorgaqit për Qemal Stafën, nga faqja 405-410, mbetet një vend i errët, kur thuhet se në takimin e fundit para se të shkonte në bazën e vet u takua me Fiqirete Shehun, që ishte e ngarkuar e Qarkorit të Partisë me detyrën për të mbajtur financën, pastaj u vra.

2.-Të shikohet se mos është veprimtari e armikut Mehmet Shehu, pasi nënoficerët nuk kanë pistoleta personale që ta kenë me vete si oficerët.

3.-Armiku Mehmet Shehu, në vitin 1975 shprehu idenë që nëndetëset të bëhen me rezervistë, të braktisen.

4.-Komisari i anijes “Partizani”, shoku Pjerin Shllaku, më datën 12.10.1982, na informoi se: Para një viti kanë ngarkuar një mall sekret, të cilin e dinte vetëm Pjerini dhe do ta çonin në Francë. Gjatë udhëtimit në oqean, agjencia franceze e Marsejës i jep radiogram anijes sonë se çfarë armësh keni ngarkuar, të çfarë kalibri janë etj., pra u nxor sekreti në det të hapur. Gjithashtu, Pjerini njoftoi se një punonjës që punon me deshifrimet, i ka thënë se: më parë Kadri Hazbiu nuk merrej me ne, ndërsa ka 6-7 muaj që interesohet vazhdimisht për punën tonë, duke marrë takime e duke pyetur se çfarë njoftimesh merrni etj., prandaj të shikohet ky problem.

5-Një person i quajtur Genc Jukni na njofton se ka punuar bashkë me Sokrat Bufin dhe thotë se dyshoj për vdekjen e Sokratit për të cilin u tha se vdiq nga zemra. Atë ditë kur vdiq Sokrati, në orën 14:00, kanë biseduar bashkë dhe ai ishte mirë, kurse rreth orës 16:00 ai vdiq. Për këto probleme menduam t’ju informojmë.

Theksojmë se gjendja morale-politike në rrethin e Durrësit është e shëndoshë. I gjithë populli nën udhëheqjen e Partisë është hedhur në aksione për realizimin e detyrave, duke pasur gjithmonë në qendër të vëmendjes porosinë që jep shoku Enver në Plenumin IV të Komitetit Qendror të PPSH, “Punë e vigjilencë”.

Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit Muho Asllani.

PROBLEME QE DOLEN NGA DISKUTIMET NE ORGANIZATAT BAZE DHE NE KOMITETIN E PARTISE TE DEGES SE PUNEVE TE BRENDSHME DURRES MBI MATERIALIN E BYROSE POLITIKE DHE VENDIMET E PLENUMIT TE V-TE TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH “LIDHUR ME MUNGESAT E THEKSUARA TE VIGJELENCES DHE GABIMET E RENDA TE KADRI HAZBIUT NE KOHEN KUR ISHTE MINISTER I PUNEVE TE BRENDESHME”

Në diskutimet e tyre, gjithë komunistët dënuan njëzëri me indinjatë të thellë veprimtarinë armiqësore të armikut Kadri Hazbiu dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ata u solidarizuan dhe miratuan vendimet e marra nga Plenumi i 5-të i KQ të Partisë ndaj këtyre armiqve. Nga ana tjetër, komunistët shprehën edhe një herë dashurinë e pakufishme dhe besnikërinë e tyre për Partinë tonë heroike dhe për udhëheqësin e dashur të Partisë e të popullit, shokun Enver Hoxha, që e shpëtuan Partinë, popullin dhe Atdheun nga këta armiq të egër që ishin në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Komunistët e organit tonë, duke u njohur me veprimtarinë e thellë armiqësore të armikut Kadri Hazbiu dhe bashkëpunëtorëve të tij, që kanë vepruar për një kohë të gjatë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, diskutuan me sy autokritik punën e tyre, sepse këta armiq të egër kanë vepruar e dëmtuar rëndë vijën e Partisë dhe orientimet e saj në organet e punëve të brendshme në drejtimet kryesore, siç është roli udhëheqës, drejtues dhe kontrollues i Partisë në këto organe, në moszbatimin e vijës së Partisë për politikën e goditjes, në dobësimin e ushtrimit të funksioneve nga ana e shërbimeve të policisë, në kultivimin e mendjemadhësisë te punonjësit e organeve të punëve të brendshme, në kultivimin e shoqërisë dhe familjaritetit të sëmurë, në ngjalljen e frikës në kuadro për të mos i thënë gjërat siç i shikonin dhe i gjykonin për punën, qëndrimet dhe veprimet që binin në kundërshtim me vijën e Partisë në mbivlerësimin e profesionalizmit në ushtrimin e funksioneve, duke mos i parë problemet me syrin e mësimeve dhe të orientimeve të Partisë, në kultivimin e një arrogance dhe prepotence në kundërshtim me atë që kërkon Partia nga punonjësit e organeve të punëve të brendshme, për një disiplinë të ndërgjegjshme dhe proletare, në futjen e frymës liberale në punë dhe në jetë, gjë e cila ka çuar në moskryerjen e detyrave dhe në shthurjen morale te disa punonjës të organeve të punëve të brendshme, veprime këto që kanë çuar në prestigjin e organit në moskapjen dhe qëndrimin fort pas problemeve kryesore të punës së organit.

Të gjitha këto kanë dëmtuar rëndë punën e Partisë dhe kanë ndikuar negativisht në uljen e vigjilencës revolucionare dhe kanë dëmtuar në njëfarë mase drejtimin kryesor të punës së organit, siç është lidhja dhe mbështetja fuqimisht te populli. Komunistë e kuadrot e Degës së Punëve të Brendshme në Durrës, nën udhëheqjen e organizatave bazë të Partisë dhe të udhëhequra gjithmonë nga materialet e Partisë dhe mësimet e shokut Enver Hoxha në përgjithësi, kanë punuar e luftuar për ta zbatuar drejt vijën e direktivave të partisë.

Por, në diskutimet që u bënë mbi problemet që trajtoheshin në materialin e Byrosë Politike dhe vendimet e Plenumit të 5-të të KQ të PPSH, duke e parë punën e tyre me syrin kritik, analizuan thellë të metat dhe dobësitë që kanë ekzistuar dhe kritikuar me forcë dhe një herë veprimet e qëndrimet e armikut Lirim pëllumbi dhe të servilëve të tij, të cilët kanë dëmtuar rëndë zbatimin e vijës së Partisë dhe orientimet e saj në punën e organit të platformës në punën operative, në zbehjen e vigjilencës revolucionare, në shkeljen e normave të ligjshmërisë dhe në njollosjen e figurës morale të disa komunistëve e kuadrove të organit.

Në ngritjen, vlerësimin, studimin, ndjekjen dhe zgjidhjen e problemeve të ndryshme operative dhe hetimore, ka pasur shfaqje të burokracisë dhe sektarizmit e oportunizmit, shfaqje të liberalizmit të familjaritetit dhe shoqërisë së sëmurë, të mendjemadhësisë dhe të arrogancës e prepotencës, shfaqje këto që kanë ndikuar negativisht në tërë punën e organit.

Këto shfaqje e qëndrime e kanë burimin, përveç punës armiqësore të Lirim Pëllumbit dhe të tyre që Partia i flaku jashtë organit edhe në atë se jo të gjithë komunistët kanë qenë në rolin pararojë, vigjilentë e luftarakë në mbrojtjen e parimeve dhe të normave të Partisë, u ka munguar kuraja për të ngritur e goditur në kohë dhe me forcë këto veprime, qëndrime e shfaqje që binin ndesh me flagrancë me direktivat dhe kërkesat e Partisë për punën e qëndrimet e punonjësit të organeve të punëve të brendshme. Si domosdoshmëri doli ngritja e nivelit ideo-politik, duke studiuar e reflektuar thellë në materialet e Partisë dhe mësimet e Shokut Enver Hoxha, në ngritjen e nivelit shkencor e profesional për t’iu përgjigjur në kohë dhe më mirë veprimtarisë armiqësore të zbulimeve të huaja.

U theksua me forcë rritja e vigjilencës për çdo gjë e në çdo gjë dhe të përmirësohet stili dhe metoda në punë në përshtatje me kushtet konkrete për të njohur thellë situatën operative të problemeve që shqetësojnë Partinë në zonë, duke krijuar marrëdhënie të shëndosha me popullin e informuar Partinë në rreth sistematikisht për problemet që dalin. Komunistët në diskutimet e tyre rreth veprimtarisë armiqësore të Kadri Hazbiut dhe bashkëpunëtorëve të tij, ngritën këto probleme:

NË ORGANIZATËN BAZË TË PARTISË SË SIGURIMIT.

Në vitet 1977-1978, nga Dega e II është ndjekur një rezidenturë e zbulimit hungarez, e cila lidhesh me ambasadën. Materialet e vërtetuara në rrugë operative u mbyllën nga Feçor Shehu, Tahir Malo e Kadri Gojashi, duke lënë të lirë një pjesëtare të kësaj rezidenture.

Duke iu kundërvënë vendimit të Byrosë Politike të 31 janarit 1981, mbi politikën e goditjes, armiqtë Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Lirim Pëllumbi, rritën numrin e goditjes për agjitacion e propagandë, duke goditur me arrestim edhe persona që mund të shpëtoheshin në rrugë të tjera. Me synimet e tyre armiqësore kanë dhënë porosi vazhdimisht duke dërguar grupe nga ministria, që në prag festash dhe kongresesh të bëhen goditje masive me arrestime duke i motivuar me “uljen e aktivitetit armiqësor”.

Këto goditje nga armiqtë janë dhënë në bazë si “porosi” të KQ të Partisë. Të gjitha ekipet që vinin në ndihmë e kontroll në degë kërkonin me insistim dhe lindnin detyra për goditje dhe jo parandalimin e veprimtarisë armiqësore në forma të tjera. Konkretisht, në fund të vitit 1981 erdhi ekipi për kontrollin e zbatimit të detyrave të lëna një vit më parë i drejtuar nga shoku Ndue Doçi dhe në analizën e bërë theksin e vunë vetëm në goditjet me arrestime që nuk ishin realizuar.

Ish-kryetari i Degës së IX, Dhimitër Bonata, është shprehur konkretisht se: “Në detyrat që kishin lënë vitin e kaluar ishin 12 persona për goditje, kurse janë goditur 6. Pse?! Ish-kryetari i Degës së VIII, Ramadan Sançolli, kërkonte llogari pse janë ulur në 2/B, 9 persona dhe s’janë goditur me arrestim. Ndërsa drejtuesi i ekipit, shoku Ndue Doçi, tha se një punë e mirë është bërë se janë goditur 26 persona për veprimtari armiqësore brenda vitit. Në një rast është analizuar me armikun Feçor Shehu një dosje përpunimi për agjent të mundshëm të zbulimit jugosllav dhe me urdhër të tij iu ndryshua tendenca në agjitacion dhe propagandë.

Sekretar i Komitetit Partisë Degës

Vangjel Gugu

Durrës, më 25.10.1982

Please follow and like us: