Frank Shkreli: AT GJERGJ FISHTA SI VLERË KOMBËTARE
Disa ditë më parë, gazeta e Tiranës “Telegraf” njoftonte për gjendjen e mjeruar të shtëpisë, ku ka jetuar
poeti kombëtar At Gjergj Fishta, duke thënë se vetëm disa ditë para 144-vjetorit të ditëlindjes së Fishtës më 23 tetor, janë disa foto të hedhura në facebook që na kujtojnë gjendjen e mjerueshme të shtëpisë, ku ka banuar poeti dhe rilindësi shqiptar. Gazeta vazhdon duke theksuar se, ndonëse busti i Fishtës ndodhet përpara shtëpisë, brenda saj është një gjendje me të vërtetë e mjerueshme dhe për të ardhur keq, ndërkohë që dhomat e shtëpisë janë kthyer në magazinë për kallamishtet e misrit, shkruante gazeta “Telegraf”.
Nuk është hera e parë që shtëpia në rrënim e sipër, ku ka banuar At Gjergj Fishta bie në sytë e medias dhe të publikut. Tetorin e vitit të kaluar biznesmeni nga Kosova, Sabri Maxhuni u kishte propozuar autoriteteve qendrore në Tiranë dhe administratës vendore në Shkodër restaurimin e shtëpisë, duke ofruar që shpenzimet për restaurimin e banesës së atit të letrave shqipe t’i merrte ai vet përsipër, ndërsa kishte deklaruar se projektin për një nismë të tillë e kishte gati, duke u shprehur se do i kushtohej vëmendja më e madhe ruajtjes së origjinalitetit të shtëpisë. Në atë kohë z. Maxhuni kishte deklaruar për median se, nuk duhej të përballej me ndonjë pengesë për miratimin e këtij projekti, por duket se e kundërta ka ndodhur, pasi ka kaluar më shumë se një vit dhe asgjë nuk ka ndodhur, madje as ndonjë prononcim nga autoritetet, në favor ose kundër. Sipas lajmeve të asaj kohe, Sabri Maxhuni nuk kishte marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Kulturës në Tiranë dhe as nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Shkodër. Në të vërtetë, ai kishte paralajmëruar se autoritetet shqiptare mund t’i nxirrnin probleme, ndërsa pat deklaruar se, “Kam bindjen se askush nuk ka arsye që të bëhet pengesë për restaurimin e shtëpisë së At Gjergj Fishtës”.
Por Sabri Maxhuni me gjithë vullnetin e tij të mirë, nuk mundi të përballonte burokracinë anti-fishtjane të Shqipërisë post-komuniste. Për arsye të mungesës së transparencës nga autoritetet, është e pamundur të thuhet se çfarë komunikimesh mund të ketë pasur midis Sabri Maxhunit dhe autoriteteve përkatëse shqiptare, në lidhje me këtë projekt dhe se ku mund të qëndrojë problemi. Por ajo që duket e qartë sot, sipas lajmeve në median shqiptare, del se asgjë nuk është bërë në këtë drejtim gjatë vitit të kaluar. Përkundrazi, ajo që del qartë është se, përveç mungesës së vullnetit të mirë zyrtar për ta restauruar shtëpinë e Gjergj Fishtës, ajo banesë në të vërtetë po denigrohet, duke u kthyer në një magazinë për kallamishtet e misrit. Vendi ka përvojë 50-vjeçare nën komunizëm për të kthyer monumentet dhe qendrat e kulturës shqiptare në magazina dhe salla sporti e për kallamishte misri! Mos prononcimi i deritanishëm zyrtar në lidhje me banesën e At Gjergj Fishtës, në të vërtetë tregon mos interesim dhe heshtje arrogante të autoriteteve për këtë projekt. Si e tillë, nuk mund të cilësohet më thjeshtë si një zvarritje burokrate ndaj kësaj çështjeje. Kjo tregon një mos respekt të theksuar dhe të
kalkuluar mirë nga autoritetet shtetërore, ndaj Homerit shqiptar, At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij me vlera kombëtare, në një kohë kur, në mjedise të Tiranës ndërtohet një bunker, gjoja për t’i kujtuar brezave të ardhshëm kohën e komunizmit, ndërkohë që anë e mbanë Shqipërisë ka ende me mijëra bunkerë të asaj kohe. Bunkerët, këto simbole të izolimit të Shqipërisë dhe të një politike absurde të udhëheqjes komuniste, gjoja për t’u mbrojtur nga armiq që nuk ekzistonin! Me gjithë absurditetin
e shpenzimeve për ndërtimin e një bunkeri mu në qendër të Tiranës, është e vërtetë se shteti nuk mund
dhe nuk duhet të financojë lloj-lloj projektesh, por ama janë disa projekte dhe figura të historisë kombëtare që duhet të kujtohen dhe vlera e veprave dhe kontributi historik i tyre të përjetësohen për brezat e ardhshëm të shqiptarëve, por edhe si pasurim i historisë dhe kulturës shqiptare edhe për të tjerët. Një i tillë është dhe duhet të jetë At Gjergj Fishta, në mirënjohje ndaj tij dhe në kujtim të kontributit historik kombëtar në përgjithësi, të alfabetit të gjuhës shqipe dhe të veprave të shumta
letrare e sidomos të epopesë kombëtare, Lahutës së Malësisë, të kësaj kënge, që sipas At Daniel Gjeçajt “Ashtë kanga që të ban të thithish ajrin e kulluet të maleve arbnore, gjithmonë të lira. Ashtë gurra që rrjedhë nga dejtë e tokës sonë e që kurrë nuk shterret, sado llagemi a tërmeti të trondisë në themel alpet e mjelluna me kulla- shkamb të Shqiptarit”. Për më tepër, At Daniel Gjeçaj ka shkruar në parathënien e “Lahutës së Malësisë”, të cilën ai e kishte botuar në Romë më 1958, se kjo vepër e At Gjergj Fishtës është një thesar i vlerave stërgjyshore të kombit shqiptar, është tërësia e tipareve morale të shqiptarit,
të cilat janë çmuar dhe çmohen nga bota. “Ashtë shkolla e votrës gjyshore, ku rreth zjarmit mikpritës
u ruajt, deri më sot nderi, burrnia e virtyti, besa, trimënia, dashunia për vatan, shpirtmadhësia dalluese e racës , bujaria, ideali i pazhigla e i prem: me nji fjalë, bërthama e thelbi i nji kombi që s’vdes derisa “Lahuta” të këndohet, e të ndiqet si shembull heroizmi i Oso Kukës, vendosmënia e Ali Pashës, bashkimi i Lidhjes së Prizrenit, trimënia e Dragonjve legjendarë në Bigë të Shalës, fytyrat historike në Rrzhanicë, Qaf-Hardhi, Sutjeskë e Deçiq, dashunia e vetmohimi i Patër Gjonit, guximi e burrnia e Dedë Gjo Lulit, fisnikëria e virtyti mashkulluer i Tringës”, shkruante At Daniel Gjeçaj, në paraqitjen e botimit të Lahutës më 1958 në Romë. Fatkeqësia që ka pësuar gjatë shekullit të kaluar dhe vazhdon të pësojë edhe sot At Gjergj Fishta është se ai po vazhdon të injorohet madje edhe aktualisht në Shqipërinë post-komuniste,
ashtu siç qe përjashtuar ai dhe vepra e tij nga regjimi komunist për një gjysmë shekulli. Nga vet kombi i
vet, të cilit gjithë jetën u përpoq t’ia mbronte të drejtat dhe interesat e tij në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare, por mbi të gjitha, t’i ruante ato dhe në veprat e tija të pavdekshme, të përjetësonte vlerat kombëtare të fisit të shqiptarit. Megjithëkëtë, kundër At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij vazhdon “përdhunimi historik”, harresa dhe denigrimi nga një grup ,siç duket gjithnjë me influence në vendimmarrje të tilla, nga një grup historianësh politikë të indoktrinuar, të cilët gjithnjë i referohen
Homerit të Shqiptarëve me epitet më fyese si: “fashist” e “tradhtar”. Është e pafalshme heshtja arrogante e autoriteteve shqiptare në lidhje me këtë çështje. Kjo heshtje nuk është e denjë për një shtet si Shqipëria, vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe nuk çon aspak ujë në mullirin e dobisë së interesave kombëtare të një familjeje të madhe trako-ilire, një familje kjo sipas At Gjergj Fishtës, “në nam e në za në histori të fiseve dhe të kombeve”. Fishta i kishte thënë Konferencës
së Parisit, se nga kjo familje rrjedh kombi i sotëm shqiptar, “aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë”. Ndonëse, At Gjergj Fishta, gjithë jetën mbrojti të drejtat dhe vlerat e shqiptarit që historikisht gjykohej aq zi në Europë dhe nga armiqtë e tij përreth lind pyetja, se kush do të dalë sot zot e të mbrojë Gjergj Fishtën dhe trashëgiminë e tij nga harresa, denigrimi dhe “përdhunimi historik” nga vet populli i tij, zakonet, tiparet dhe vlerat e të cilit ai i përjetësoi, i bëri të pavdekshme?!
Kujtimi, vepra dhe kontributi i At Gjergj Fishtës në historinë, kulturën dhe letërsinë shqipe duhet të
ruhen dhe të kultivohen, sepse kështu do të ruhen vetë vlerat shekullore të shqiptarëve. Vlerat e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, simbol i të cilave ishte Fishta, duhet të shpëtohen nëpërmjet kujtesës së trashëgimisë së At Gjergj Fishtës, vlera, të cilat ai i përjetësoi në vargjet e pavdekshme të “Lahutës së Malësisë” dhe veprave të tjera. Restaurimi i banesës, ku ka jetuar At Gjergj Fishta,do të ishte një hap i nevojshëm në këtë drejtim. Fatkeqësia është se ushtarët e lodhur dhe mbështetësit në këtë përpjekje janë të pakët në numër, për të mos thënë në zhdukje e sipër e me ta edhe kujtesa ndaj poetit kombëtar, At Gjergj Fishta.