Albspirit

Media/News/Publishing

Kufiri që na bashkon dhe na ndan me grekët

 

Prof. Ksenofon Krisafi*

 

Ditët e fundit u njoftua se prokuroria e Tiranës pushoi çështjen hetimore për ish zyrtarët e ministrisë së jashtme dhe ushtarakët që u përfshinë në negociatat për hartimin e marrëveshjes detare me Greqinë, nënshkruar në 2009 nga z.Lulzim Basha dhe znj.Dora Bakojanis, përkatësisht ministra të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë. Siç njoftojnë organet e medias, prokuroria ka sqaruar se vendimi për pushimin e hetimeve është marrë që në tetor të vitit të kaluar për shkak se ajo nuk gjeti elementët e veprës penale në veprimet ose mosveprimet e kryera nga zyrtarët që hartuan marrëveshjen dhe ata që e nënshkruan atë. Ishte diçka që pritej, përsa kohë që hetimi u zgjat për disa vjet dhe pushimi i çështjes u bë në heshtje, larg transparencës dhe publicitetit të domosdoshëm.

Njoftimi i mësipërm edhe pse i publikuar me vonesë, tërhoqi vëmendjen e opinionit, medias dhe veçanërisht të atyre që kontribuuan për të sensibilizuar organet kompetente për atë që kishte ndodhur nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, cedimin e një sipërfaqeje detare prej 354.4 km². Njëri prej tyre, prof. Myslim Pashaj, sipas citimeve nga shtypi, është shprehur se ata që kanë firmosur këtë marrëveshje “janë totalisht fajtorë, sepse pa luftë, drejtpërdrejt, shteti fqinj rroku një pjesë të detit shqiptar, pa luftë e mori për vete, është një tradhti kombëtare. Dikush për këtë duhet që të përgjigjet. Gjykimin e madh e dha Gjykata Kushtetuese dhe u përqendrua në gravitetin kombëtar të këtij problemi dhe nuk ka kush ta zbusë, veprimi i prokurorisë është jashtëzakonisht i rëndë, si shumë të tjera që janë bërë.… 350 km² det i kaluan Greqisë, kurrkush nuk bëri asnjë hulumtim dhe rastësia ndodhi që mediat e kërkuan dhe specialistët nxorën fakte të hatashme për grupin e punës dhe ata që firmosën këtë marrëveshje.”(Citohet nga gazeta Koha Jonë, 23 mars 2017).

Mendoj se në pasqyrimin e tij, mund të ketë shpëtuar ndonjë formulim që lë shteg për keqkuptim. Fjala vjen krijohet përshtypja sikur shteti fqinj, nëpërmjet marrëveshjes, që nuk u bë e tillë, ka marrë tashmë 350 km² nga deti ynë, çka kolonel Pashaj, e di shumë mirë se një gjë e tillë nuk ndodhi dhe kufiri detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë nuk ndryshoi.

 

Historia

Vendimi Nr. 15 i Gjykatës Kushtetuese, i 15 prillit 2010, ka sanksionuar se ajo që u nënshkrua në Tiranë më 27 prill 2009 dhe që përmendet rëndom si Pakti detar shqiptaro-grek, nuk është marrëveshje në kuptimin e legjislacioneve të brendshëm të Shqipërisë dhe të Greqisë as edhe në kuptimin juridiko-ndërkombëtar. Prandaj nuk prodhoi pasoja juridike dhe nuk krijoi detyrime për asnjërën prej palëve. Për rrjedhojë nuk e lëvizi asnjë milimetër vijën e kufirit detar shqiptaro-grek. Ajo ka mbetur atje ku ishte përpara 27 prillit 2009.

Parimisht, në vija të përgjithshme, kufiri shqiptaro-grek, përfshirë edhe segmentin përkatës të kufirit detar, është përcaktuar me vendimin e datës 11 gusht të vitit 1913, të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës (delimitacioni). Është konkretizuar me Protokollin e Firences të 17 dhjetorit 1913 (demarkacioni) dhe është saktësuar e rikonfirmuar me Protokollin tjetër të Firencës, të 27 janarit 1925 (ridemarkacioni). Aneksi III i këtij të fundit saktëson se kufiri detar fillon te piramida Nr.III/79, e cila është shënja zyrtare e pranuar nga Shqipëria dhe Greqia si dhe nga Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve në vitin 1925, që tregon mbarimin e kufijve tokësorë dhe fillimin e kufijve ujorë (detarë) shqiptaro-grekë. Në zbatim të përcaktimit të Aneksit të lartpërmendur, Komisioni Ndërkombëtar, ka hartuar dhe miratuar rregullisht procesverbalin përkatës që i kushtohet piramidës kufitare Nr. III/79. Në tekstin e tij, shkruhet shprehimisht se: “Duke filluar prej shënjës kufitare  Nr. III/79, vija e kufirit drejtohet nga Jug-JugPerëndimi, zbret shkëmbinjtë shumë të pjerrët dhe pas rreth 10 metër, takohet me bregun e detit. Pastaj ajo vazhdon deri në kufirin e ujërave territoriale duke ndjekur një vijë normale me drejtimin e përgjithshëm të bregut të detit. Ishulli i vogël i Tongos, i ngelet Shqipërisë.”

Kjo është aktualisht vija e kufirit detar shqiptaro-grek, e përcaktuar 92 vjet më parë, sipas nocioneve juridike të së drejtës së detit të kohës kur u miratua. Atëherë nuk ekzistonin konceptet aktuale për natyrën, regjimin juridik dhe shtrirjen e ujërave të brendshme detare dhe atyre territoriale. Kurse për shelfin kontinental dhe zonën ekonomike ekskluzive, dy sektorë të tjerë të hapësirave detare, diskutohej në planin teorik. Kalimi i një kohe shumë të gjatë dhe miratimi i akteve të reja juridiko-ndërkombëtare në fushën e shfrytëzimit të detit, vlerave dhe pasurive të ujërave, shtratit dhe nëntokës së tij, si dhe sipërfaqes dhe hapësirës ajrore mbi të, në kushtet e mundësive të jashtëzakonshme të krijuara nga progresi marramendës i shkencës dhe teknologjisë, e bëjnë të domosdoshëm edhe rishikimin e kufirit detar shqiptaro-grek, për t’iu përshtatur koncepteve të reja.

Por, ky është kompetencë sovrane e të dy shteteve që lagen nga ujërat e detit Jon dhe duhet bërë me marrëveshje midis tyre, duke pasur parasysh interesat përkatëse, respektimin e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. Këtu përfshihen veç të tjerash përcaktimet e Konventës së Montego Bay, të vitit 1982, Për të drejtën e detit, të akteve të tjera të kësaj natyre, të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare ose arbitrazhit ndërkombëtar për këto çështje etj. Deri sa ky proces të kryhet, s’ka asnjë diskutim, që vija e kufirit detar, e fiksuar parimisht gati një shekull më parë dhe e përcaktuar më pas nga të dy shtetet, nëpërmjet akteve të legjislacioneve të tyre të brendshëm, nuk është ndikuar aspak nga e ashtuquajtura marrëveshje detare shqiptaro-greke, sepse ajo nuk ekziston. Nuk ekziston ngaqë nuk e përshkoi ciklin e domosdoshëm të procedurave juridiko-kushtetuese të të dy vendeve dhe të atyre juridiko-ndërkombëtare, të parashikuara nga Konventa e Vjenës e vitit 1969, Për të drejtën e traktateve, për t’u shndërruar në marrëveshje në kuptimin juridik të fjalës. Për shkak të shkeljeve të rëndësishme të dispozitave të Kushtetutës dhe të Konventës së Montego Bay, 1982, që negociatorët shqiptarë i lejuan vetes, ajo iu kalua për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila e hodhi poshtë, duke e shpallur akt absolutisht të pavlefshëm. Me miratimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ndaloi përfundimisht kryerja e procedurave të pezulluara për hyrjen e saj në fuqi, që ishin ratifikimi nga të dyja palët, shkëmbimi i instrumenteve të ratifikimit dhe regjistrimi në Sekretariatin e OKB, në zbatim të nenit 102 të Kartës së saj.

Këto çështje u shqyrtuan nga Gjykata Kushtetuese, e cila mori vendimin historik të hedhjes poshtë të marrëveshjes. Është kjo arsyeja pse letrat që u vunë mbi tavolinën e të dy delegacioneve dhe që u firmosën nga kryetarët e tyre, nuk u bënë dot marrëveshje. Gjithçka që thuhet nga pala greke apo nga zëdhënësit e zellshëm të saj në politikën shqiptare, se marrëveshja është e vlefshme në vështrim të së drejtës ndërkombëtare, është një alibi banale që kërkon të fshehë të vërtetën. Ajo që përfaqësuesit e qeverisë shqiptare dhe të qeverisë greke firmosën në prill 2009, mbeti vetëm një kujtim i keq për shqiptarët e shpërfillur dhe të mashtruar nga qeveria e tyre dhe një zhgënjim i hidhur për ngazëllimin e parakohshëm të politikanëve grekë.

 

Perspektiva

Në shkrime të ndryshme rreth kësaj teme, thuhet ngandonjëherë se me hyrjen në fuqi në vitin 1994, të Konventës Për të drejtën e Detit, të Montego Bay, të vitit 1982 dhe me ratifikimin ose aderimin e Shqipërisë dhe Greqisë, të dy vendet mbetën pa kufij detarë. Shpjegimi që jepet mbështetet në arsyetimin naiv se ajo ka sanksionuar rregullin që shtetet përballë ose në krah të njëri tjetrit, duhet ta përcaktojnë kufirin me marrëveshje ndërmjet tyre. Përsa kohë që marrëveshja e anuluar u shpall e pavlefshme, rrjedhimisht Shqipëria dhe Greqia, mbetën pa kufij detarë(!!!).

Absolutisht jo, krejtësisht e pavërtetë dhe e pasaktë.

Sepse Konventa ka përcaktuar vetëm rregullat, mënyrat se si mund të vendoset kufiri detar ndërmjet shteteve. Pa asnjë dyshim, si rregull, ai vendoset me marrëveshje, por Konventa nuk ka marrë përsipër t’iu imponojë atyre që të veprojnë detyrimisht sipas përcaktimeve ose kritereve të fiksuara prej saj. Ata janë krejtësisht të lirë që, me vullnetin e tyre të plotë, ta vendosin kufirin detar, kur dhe si ta gjykojnë vetë. Sikurse janë të lirë gjithashtu që të mos e caktojnë shprehimisht, por të pranojnë reciprokisht në heshtje, përcaktimet e fiksuara në legjislacionet e tyre përkatëse. Askush nuk ka atributin t’iu kërkojë llogari se përse nuk kanë nënshkruar marrëveshje për caktimin e kufirit detar ose përse nuk iu janë konformuar normave të Konventës në caktimin e tij. Prandaj thuhet se kufiri detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, siç u trajtua më sipër, ka mbetur atje ku ka qenë dhe do të mbetet atje, deri sa të dyja palët të merren vesh për ta përcaktuar me një marrëveshje që respekton interesat e secilës prej tyre dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.

Nuk mund të mos konstatohet me keqardhje se shkeljet e rënda që u vërtetuan në atë kohë në procedurat e përpunimit dhe nënshkrimit të aktit që do të saktësonte kufijtë detarë shqiptaro-grekë, prodhuan për fat të keq, një situatë toksike, problematike. Ato shkaktuan turbulenca politike në marrëdhëniet midis dy vendeve, i dëmtuan ato dhe krijuan një situatë krejtësisht të padëshirueshme për shqiptarët dhe grekët në raportet e tyre, që fatkeqësisht po zgjat prej disa vjetësh.

Do të ishte e dëshirueshme që palët, me vullnet të dyanshëm dhe me dëshirë të sinqertë, në respekt të njëra tjetrës, të përpiqen ta gjejnë sa më parë gjuhën e përbashkët dhe ta zgjidhin çështjen nëpërmjet rinegociimit të saj, mbi bazën e parimeve të së drejtës ndërkombëtare, barazisë, mosndërhyrjes në punët e brendshme, respektit të sovranitetit dhe tërësisë territoriale, fqinjësisë së mirë, duke përjashtuar imponimin e kushteve, presionet apo kërcënimet etj ose nëpërmjet kalimit të saj në ndonjë institucion gjyqësor apo arbitral ndërkombëtar.

Kështu do të arrihet që vija e kufirit detar të rishqyrtohet dhe të përshtatet me realitetet bashkëkohore, me parimet dhe normat e së drejtës aktuale të detit, nëpërmjet një marrëveshjeje të re. Për këtë kërkohet guxim, kurajo dhe emancipim i vërtetë qytetar i politikanëve të të dy vendeve, për të njohur dhe pranuar hapur gabimin e bërë dhe për të kërkuar zgjidhjen e duhur, në interesin e të dyja palëve, që deti Jon, t’i bashkojë shqiptarët me grekët, siç ka ndodhur për shekuj dhe të mos i ndajë, siç është dëshira e disa qarqeve ekstremiste që nuk e duan miqësinë e tyre.

 

*Dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin Europian të Tiranës

Please follow and like us: