Ndue Ukaj: Njerëzimi gjithmonë ka nevojë për një Promethe
“Me sa njoh unë legjendën, zjarrin nuk na kanë dhuruar, por e ka rrëmbyer Prometheu”, shkruan Erich Maria Remarque te romani “Një natë në Lisbonë”. Me këtë pohim, shkrimtari e thërret njeriun e arsyeshëm, që të mos pres të mirat nga asnjë forcë e jashtme, por t’i kërkojë ato me ngulm vetë dhe pa konsensuse. Mbi të gjitha, të sakrifikojë, ashtu siç thotë legjenda. Pa dyshim, njerëzimi gjithmonë ka nevojë për një Promethe. Për një rrëmbyes të zjarrit. Për një pishtar drite, që sheh matanë errësirës. Për një udhërrëfyes.
Edhe ne kemi nevojë për një Promethe, që na ngroh me zjarrin e shpresës dhe dashurisë, ne këto vite sfidash e klithmash, kur qenia shqiptare përjeton degdisje. Në kohën kur asaj i janë vërsulë gjithfarë karagjozësh dhe ushqejnë me marrëzi. Është e ditur që koha nuk ndalet të na pret ne, derisa t’i hapim bebëzat e syve dhe të kuptojmë realitetin.
Përgjatë historisë, ne, shqiptarët, kemi pasë një raport të çuditshëm me kohën, një raport përmbysës. Pikërisht për këtë arsye, është folë për zgjimin e vonuar të shqiptarëve. Një zgjim që na kushtoi shumë, dhe pas të cilit, ende mbetëm të përgjumur. As sot nuk na bëhet vonë për asgjë. Prandaj edhe shprehja “u kënaqem se po bëjmë sefa”, është një nga marritë tona. Po, një nga marritë, për çka duhet të turpërohemi. Siç ka dëftuar historia jonë, ajo e vjetra dhe reja, ne nga gabimet dhe pësimet, nuk mësojmë, por prej njërit pësimi e gabim, përplasemi në tjetrin. Kulturën e punës së përbashkët s’e durojmë, ndaj na pëlqen të rrahim gjoks për gjithçka. Vetëkënaqemi. Jetojmë me idenë për ta ledhatuar sedrën tonë, dhe kukurisim se po bëjmë diçka, ndërkohë që frutet e asaj që thuhet se po bëhet janë minimale. Shoqëria e organizuar ushqehet gjithmonë nga një aspiratë e lart, nga një aspiratë për gjëra të fisme, për lartësim, dhe jo për kotësia. Sepse njeriu, është i krijuar për të sfiduar të keqen dhe për ta mposhtë atë.
A po e bëjmë ne këtë? Jo. Ne, duhet ta pranojmë një fakt: nuk jemi të zotët të bëjmë politikë. Andaj, sa ma parë që e pranojmë këtë fakt, aq më shpejt dalim nga kjo gjendje vendnumëruese, dhe mund ta kuptojmë ka është rruga për të dalë nga kjo amulli, nga kultura e improvizimeve dhe imazhologjisë. Po ashtu, ne, sa ma parë duhet ta pranojmë, se nuk kemi ide politike. Nuk jemi kreativ, ndaj edhe vërtitemi nëpër rrethet vicioze të përgojimeve politike.
Në këtë paaftësi është katandisë e tërë shoqëria. Pa përjashtim. Të majtë e të djathtë, kritikë dhe oportunistë të pushtetit. Intelektualë dhe gjysmëintelektualë. Po, në këtë kurth është qëmoti edhe media, dhe ata që u pëlqen të vetëquhen shoqëri civile. Ndaj, duhet gjithmonë të vjen dikush dhe të na tregojë ku e kemi vendin. Po, duhet të vjen dikush dhe të na tregojë sesi të çohemi, kur rrëzohemi përtokë, dhe si të ecim, kur jemi në këmbë.
Po, sepse për vite të tëra e kemi promovuar angarinë, injorancën dhe kemi krijuar terren për gjithfarë bashibozukësh. Kemi sajuar autoritete të rreme. Në këtë mënyrë, filozofia e përgojimeve dhe e thashethemeve, është bërë normë sjellje. Sa më shumë di të përgojosh, aq më shumë ke terren publik. Kur e sheh si ec botën e përparuar dhe e krahason me këtë kënetishtën tonë, atëherë përnjëmend e sheh sa krenarë dhe të mjerë që jemi. Po, krenarë, sepse i duartrokasim marrisë.
Të mjerë, sepse besojmë në marri. Ndërkohë që bota merret me gjithësi, shpikje nga më të ndryshimet teknologjike, ne ecim me hapa të breshkës kah e nesërmja. Duket sikur jetojmë përgjithmonë në një mjegull. Në një gjendje apatie. Dhe me çka mburremi: se po bëjmë ujë, autobusë, se kemi arritë të mposhtim një kundërshtar, se e kemi gjetë X në këtë aferë, se Y është preh e atij ose këtij shërbimi. Kjo gjuhë publike, ka krijuar veç huti, habi, dhimbje, tmerr, mosbesim dhe stagnim të përgjithshëm. Po ta analizosh jetën tonë, e cila, nuk udhë hiqet nga asnjë parim politik a kulturor, atëherë sheh se kategoria e krenarëve, rritet për çdo ditë e ma shumë. Dhe bashkë me ta, rritet edhe kategoria e atyre që vajtojnë, qaramanëve.
Në këto ditë zagushie, shqiptarët kudo duhet të ruhen nga ata që e ndërrojnë identitetin e tyre, sa herë ndërrojnë stinët. Për ta ka një thënie të bukur dhe domethënës, shkrimtari Erich Maria Remarque: “Kur është i tredhur, njeriu s’i takon më asnjë kombi. Ai bëhet kozmopolit”. Prandaj, mjaft ma. Nuk ka edhe krenarë edhe qaramanë.
Please follow and like us: