Senati amerikan, hetim të plotë marrëdhënieve Trump-Rusi
Liderët republikanë dhe demokratë që drejtojnë komisionin e Senatit që po heton ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale janë zotuar për një hetim gjithëpërfshirës.
Seanca e komisionit nis këtë të enjte. Në prag të saj, demokrati Mark Warner deklaroi se ka pasur rreth 1 mijë “rrengje” interneti në Rusi që gjeneronin lajme të rreme.
Ai tha se sesioni i sotëm do të shqyrtojë se si Rusia muund të ketë përdorur teknologjinë për të përhapur dezinformimin në Shtetet e Bashkuara, përfshirë këtu gjenerimin e mundshëm të lajmeve të rreme për votuesit në shtetet kyçe si Uiskonsin, Miçigan dhe Pensilvani.
“Ne jemi në një univers tërësisht të ri kibernetik që ofron mundësi për kërcënime shumë, shumë të mëdha ndaj demokracisë sonë. Ju po e shihni atë që tani”, tha Warner.
Ndërsa kryetari i komisionit, Richard Burr tha se paneli nuk do të tërhiqet pa zbardhur të vërtetën. “Qëllimi i këtij hetimi është të shkojë aty ku na çojnë të dhënat”, deklaroi Burr.
Ish-drejtori i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare, Keith Alexander pritet të dëshmojë këtë të enjte në lidhje me çështjen. Ndërsa Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump, pritet të merret në pyetje javën e ardhshme.
Kushner, bashkëshort i Ivanka Trump, ka deklaruar se ka shprehur vullnetin e tij për të dëshmuar para se t’i bëhej kërkesë nga Senati.