Të jesh apo të mos jesh: Maqedonia
Sado që epilogu i shqiptarëve në zgjedhjet e 11 dhjetorit ishte katastrofik (9 mandate më pak në Kuvend), matematikat paszgjedhore i sollën befasisht në një ‘win-win situation’. Nga gërmadhat e kësaj fitoreje pirrike, shqiptarët patën rastin që ofertën e tyre politike, të shprehur në Deklaratën e Përbashkët, ta institucionalizonin dhe ndërkombëtarizonin
Emërimi i një kandidati shqiptar në krye të institucionit më të lartë legjislativ në vend, siç është Parlamenti, po i jep më shumë kredi Zaevit në përpjekjen e tij për krijimin e qeverisë së re.
Sado që epilogu i shqiptarëve në zgjedhjet e 11 dhjetorit ishte katastrofik (9 mandate më pak në Kuvend), matematikat paszgjedhore i sollën befasisht në një ‘win-win situation’.
Nga gërmadhat e kësaj fitoreje pirrike, shqiptarët patën rastin që ofertën e tyre politike, të shprehur në Deklaratën e Përbashkët, ta institucionalizonin dhe ndërkombëtarizonin. Ajo u bë pjesë e diskursit politik midis empatisë perëndimore dhe antipatisë maqedonase.
Për herë të parë, Tirana dhe Prishtina formuluan një politikë më proaktive për shqiptarët e Maqedonisë. Rrjedhimisht, zhvillimet e atjeshme politike janë bërë pjesë e një interesimi të gjallë në agorat e commonwealth-it shqiptar.
Shqetësimet e fundit që po pluskojnë në kampin shqiptar kanë njëfarë përligjje: programi qeveritar i Zaevit nuk është se ka trupëzuar platformën shqiptare, madje përmes formulimesh ambivalente disa nga kërkesat sikur janë ‘korrektuar’ politikisht.
Është e kuptueshme që Zaevi duhet të manovrojë me skrupulozitet në një mjedis me ngarkesa të forta nacionaliste, por tani është në dorën e partive shqiptare që kërkesat e Deklaratës së Përbashkët t’i sendëzojnë përmes një qeverie që gëzon përkrahje thuajse unanime në Perëndim.
Ambasadat perëndimore nuk kanë komentuar thuajse asnjëherë platformën shqiptare, një heshtje domethënëse që tregon se kërkesat shqiptare më nuk ndjesohen me parashenjën e kërkesave maksimaliste e ekstremiste.
Ndërkohë pritshmëritë që Maqedonia do të ketë simbole e heraldikë të re, që do të shëmbëllejë edhe me shquesen shqiptare, zor të materializohen që tani.
Stërtheksimi i zbatimit të Marrëveshjes së Përzhinës dhe një pakoje reformash lë pak hapësirë për rimodelimin e shtetit.
Partitë shqiptare që do të bëhen pjesë e Qeverisë së Zaevit do ta kenë edhe një as të fortë nën mëngë: përpjekjet e LSDM-së për t’i bishtnuar zbatimit të kërkesave shqiptare mund të krijojnë një valë protestash masive të shqiptarëve që do ta kthenin gjendjen në zero.
Dhe në një skenar të tillë të përsëdytjes së zgjedhjeve, LSDM-së do t’i hiqej një porcion i ndjeshëm i votave shqiptare. Në këtë dritë, vërejtja e një ish-deputeti të BDI-së se partitë shqiptare duhet të ngulmojnë më tepër në ministri që tangentojnë interesat e qytetarëve, qëllon në shenjë.
Në mandatet e kaluara, BDI asnjëherë nuk ka treguar intrasigjencë për të marrë drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë.
Në të vërtetë, kjo ka gjasë të ishte arritja më e madhe meqë shqiptarët do t’i bënte hisedar në sigurinë e shtetit. Në vend të kësaj, partia e Ali Ahmetit ka kërkuar vazhdimisht ministri me impakt më të vogël me qëllim akomodimin e klientelës së ngushtë përmes punësimeve në aparatin burokratik.
Nëse raison d’etre e Maqedonisë janë shqiptarët, atëherë hisja e tyre në kulaçin e Qeverisë duhet të jetë më e madhe dhe më e prekshme. Edhe trendet demografike do të jenë një rrethanë vendimtarisht përcaktuese: rritja konstante e zonave shqiptare dhe kompaktësimi i tyre ka ravijëzuar më në fund arealin shqiptar në Maqedoni.