Albspirit

Media/News/Publishing

Vertetë është i pashpresë ky vend?

Dom Gjergj Meta

Refreni “Ky vend nuk bëhet!” shpreh shumë gjëra bashkë. Sigurisht shpreh dëshpërimin e shumë sish, të cilëve u dhimbset vetja, pasi e duan jetën e tyre dhe të fëmijëve të vet, por u dhimbset edhe vendi, pasi kanë një dashuri të sinqertë ndaj atdheut. Janë persona që ndeshen me murin e paepur te korrupsionit, ligësisë dhe kapjes së jetës shoqërore, politike dhe ekonomike nga një grup njerëzish. Duan që kjo perde e hekurt, e cila nuk lejon dritën të hyjë në jetën e shqiptarëve, të bjerë, por, pasi kanë luftuar në atë mënyrën e tyre, pranojnë dëshpërimisht pafuqinë e tyre dhe shpërthejnë duke thënë: “Ky vend nuk bëhet!”.
Kjo parrullë shpreh edhe pakënaqësinë e atyre, të cilëve u dhimbset vetëm vetja e tyre dhe janë të dëshpëruar nga fakti që nuk ishin ata ndër vjelësit e këtij vreshti apo mjelësit e kësaj lope. Janë të dëshpëruar që të tjerë u treguan më të fortë e më të shpejtë. Dëshpërimin dhe frustracijonin e tyre e shprehin duke thënë: “Ky vend nuk bëhet!”. Por, në thelb janë hipokritë. Thjesht nuk janë tejngopur, sepse janë penguar nga konkurentët.
Gjithsesi janë dy raste si pretekst për të zgjedhur ikjen nga ky vend.
Nëse shohim përreth me siguri kemi shumë motive për të thënë se “Ky vend nuk bëhet!”. Janë para syve të të gjithëve absurditetet që përjetojmë në shumë fusha të jetës shoqërore shqiptare. Hendeku i madh që është krijuar mes pak njerëzve shumë të pasur e shumë njërëzve nën nivelin mesatar të jetesës thellohet çdo ditë e më shumë. Marrëdhënia e njeriut shqiptar me mundësitë e rritjes dhe përparimit këtu në vend e projekton atë drejt idesë së largimit nga vendi dhe e bën të trishtuar. Bisedat ndërmjet shqiptarëve kanë nota të theksuara trishtimi, ashtu sikurse edhe fytyrat apo shpirtrat e tyre në shumë raste.
Projektimi i vetevetes në një vend ideal mund të jetë një dëshirë e mirë, por edhe një ikje dëshpëruese drejt një vendi që nuk ështe, drejt një utopie.
Por, a është e drejtë t’i nënshtrohemi një logjike, në të cilën, për shkak të vështirësive dhe mureve që ngrihen para nesh, të mos përpiqemi deri në fund për ta përmirësuar situatën? A duhet t’i nënshtrohemi dëshpërimit? A kemi tagër të humbim shpresën?
Shpresa nuk është vetëm një opsion, ajo është përgjegjësi dhe detyrë. Por, ajo mund të kuptohet e tillë vetëm, nëse jeta jetohet si një vokacion. Jeta, jo vetëm ajo individuale, por edhe ajo shoqërore është një vokacion dhe e mira e përbashkët është materia e saj. Ne jetojmë në një vend dhe na kërkohet që ta bekojmë me angazhimin tonë këtë vend. Por, na është dhënë edhe që ta mbrojmë me vendosmërinë dhe këmbënguljen tonë sa herë që keqtrajtohet apo nëpërkëmbet. Këtë e bëjmë jo vetëm për veten tonë, pasi do të ishim egoistë dhe me vizion të ngushtë, por ia kemi borxh brezave. Kjo do të thotë se solidariteti breznor dhe ndërbreznor është detyrë dhe rrugë për një jetë më të mirë.
Pikërisht këtë solidaritet Papa Françesku ia tregoi Europës para pak ditësh si rruga dhe trajta saj e natyrshme. Ky solidaritet do ta bëjë Shqipërinë tonë më të mirë. Solidaritet do të thotë të punosh dhe të ecësh in solidum, pra së bashku. Vetëm kështu, vetëm së bashku, duke ndjerë e jetuar brenda vetes vokacionin e jetës si solidaritet, shpresa është e mundur edhe për ne këtu në Shqipëri.

Please follow and like us: