Basha: Mediat pranë qeverisë bëjnë ç’i do prapanica Ramës
Lulzim Basha akuzoi mediat pranë qeverisë së kanë shtrembëruar deklaratat e aleatëve. Ai tha se këtë e bëjnë pasi janë kapur prej fyti nga kryeministri. Por Basha u shpreh se nuk do të pranojë në asnjë mënyrë të shkojë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër dhe as më një qeveri teknike kukull. Në akuzat ndaj mediave ai përdori një fjalor të pazakontë në diskursin e tij,
“Sot i sapo kthyer nga Malta dhe pasi kam dëgjuar broçkullat e mediave qeveritare që interpretojnë siç ju do prapanica fjalët e aleatëve tanë dhe jo e tyrja por e tij, se nuk ua mban t’i thonë jo se i ka kapur për fyti, sot dua t’ju them: Nuk ka asnjë shans, zero shans që në të pranojmë një qeveri teknike kukull, sepse në këtë betejë nuk jemi për karriget tona, fatin e partisë, por fatin e gjithë shqiptarëve të ndershëm. Nuk kërkojmë dhe as pranojmë një qeveri teknike fasadë çastin e fundit për t’u hedhur hi sy shqiptarëve. Qeveria teknike është mjeti, kushti, beteja nga e cila nuk kthehemi pa fitore, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Zgjedhje të lira dhe të ndershme do të thotë në rradhë të parë zbatim deri në një i ligjit të dekriminalizimit”.
Basha nuk saktësoi se cilat janë deklaratat e ndërkombëtarëve që kanë shtrembëruar mediat pranë qeverisë dhe as cilat janë këto media. Disa ditë më parë Top Channel mori një ragim të ambasadës amerikane në lidhje me mbështetjen që Basha tha se kishte marrë në Uashington. Top Channel e pyeti ambasadën nëse administrata amerikane e mbështeste protestën e opozitës, ndërsa Basha kishte deklaruar në Uashington mori mbështetjen e bashkëpunëtorëve të administratës amerikane për kauzën e opozitës për zgjedhje të lira.