Ilirian Zhupa: KARRIERË AKTORIALE
Para vajzës që deshi,
Luajti Hamletin.
Verterin luajti para një shefi.
Dhe si Klaudi mbret në natën e qetë,
Njeriut te vetja i derdhi helmin në vesh.
U bë pak Lir, pak Mefistofel,
Pak Vilhelm Tel, pak Faust…
Me kamën e Makbethit vrau Ofelinë,
Me shaminë e Jagos mbyti Baterflajn.
Nga akti në akt, nga skena në skenë,
Në çaste të ndryshme mbajti fytyra të ndryshme,
Herë luajti Tartufin, herë Prometenë,
Mjaft që t’i ish e dobishme.
Përpara eprorëve u bë vartës i bindur,
Përpara vartësve monark e më shumë,
Çdo gjë iu bë lojë duke ëndërruar ngjitjen,
Madje dhe roli i burrit me gruan në gjumë.
Po befas, veten e ndjeu të mjerë…
Bota s’kish më role të tjerë.
Nga libri: “Mos më pyet ku kam qenë“, Botimet “Naim Frashëri” – 1988; “Toena” – Nëntor 2016