Kardinal Ernest Troshani në Nju Jork
Komuniteti katolik i shqiptarëve të Nju Jorkut priti të dielën Kardinal Ernest Troshanin. Ai mbajti një meshë në Kishën “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale. Dom Ernesti, të cilit vitin e kaluar iu dha titulli i lartë i Kardinalit nga Papa Françesku, i tha Zërit të Amerikës se është e nevojshme që shqiptarët t’i shtrijnë njëri-tjetrit dorën e pajtimit. “Në një moshë kaq të avancuar nuk e mendoja kurrë këtë funksion kaq të lartë që do të merrja, por i nalti Zot ka planet e veta,” tha kardinali shqiptar. Dom Ernesti është njeriu i përvuajtur, që sakrifikoi shumë në jetën e tij. Ai u arrestua në vitin 1963 sepse mbajti meshë për Presidentin e vrarë amerikan Xhon Kenedi dhe u dënua me 18 vjet burg. Punoi në kampet e Rubikut dhe të Spaçit, vuajti për vite me radhë dhe sot në moshën 88 vjeçare thotë se ndihet i nderuar që e vërteta ka fituar. Në shtator 2014, Dom Ernesti dëshmoi përpara Papës për vuajtjet e Kishës dhe ata të dy patën një takim emocional. Viktimizimi i klerit shqiptar si rast i pashembull në historinë e Kishës katolike ishte një faktor që Papa e emëroi Dom Ernestin kardinal. Besimtarët e këtushëm thonë se toleranca fetare mes shqiptarëve ishin një tjetër faktor me rëndësi. Kardinali e shpreh me pak fjalë mrekullinë që ndodhi në jetën e tij: “Kur kam folur, kam folur brenda një vendi të vogël, një kishe të vogël, por sot m’i ka hapur i nalti Zot dyert në të gjitha kishat e botës”.
Kardinal Troshani tha se merr ftesa për të folur kudo në kishat e botës, në Evropë, Azi dhe Amerikë. Por ai ka zgjedhur të takohet me komunitetin shqiptar të Amerikës. Komuniteti katolik e shikon Dom Ernestin si autoritet të rëndësishëm dhe e quan për nder që ai ka ardhur këtu në një moshë të tillë, pas vuajtjeve të gjata në burgjet dhe kampet e punës të komunizmit. Dom Ernestit i është rezervuar një pritje madhështore në Kishën “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, ku kanë ardhur plot njerëz. Janë mbushur të 1200 vendet dhe të tjerë qëndrojnë në këmbë. Në meshën kryesore, famulltari i kishës Dom Pjetër Popaj, tregoi një episod nga jeta në burg e Kardinalit: “Në burg, i çuan një spiun që fliste keq për partinë. Dom Ernesti, me përshpirtninë e tij i drejtohet dhe i thotë: Krishti na mëson me i dashtë të gjithë, edhe ata që nuk na duan”. I pyetur se çfarë mendon për persekutorët e tij të dikurshëm, që e mbajtën në burg për aq shumë kohë, Kardinal Ernesti nuk dëshiron të japë gjykime: “Ne gjithmonë kemi parimin e madh të Krishtit: Duajuni mes jush. Falni ata që ju kanë fyer. Lutuni për ata. Për veprat e veta do t’i përgjigjet deri në qime të flokut të madhit Zot, i madh i vogël”. Kardinali duket si indiferent ndaj ashpërsisë së politikës së ditës në Shqipëri që rrezikon ta zhysë vendin në një krizë të zgjatur. Mesazhi i tij është i thjeshtë: “Doni njëri-tjetrin, siç ka thënë Krishti, me dashuri të gjithanshme, e mundësisht duke ndihmuar të varfërit”.