Kongresi, Shtëpia e Bardhë dhe informacionet sekrete
Disa anëtarë të Kongresit amerikan, që po hetojnë rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, janë ftuar në Shtëpinë e Bardhë për të shqyrtuar dokumentet sekrete përkatëse.
Ligjvënësit konfirmuan se Komisionet e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin kanë marrë dje një ftesë të tillë.
Dokumentet në fjalë duket se janë baza e komenteve të debatueshme të bëra nga kongresmeni republikan Devin Nunes, që janë parë nga disa analistë si përpjekje për të mbështetur pretendimin e bujshëm të presidentit Donald Trump se ekipi i tij i fushatës ka qenë “përgjuar” me urdhër të ish-presidentit Barack Obama.
Ligjvënësi Adam Schiff, demokrati më i lartë në Komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se dokumentet ngrenë më shumë pyetje sesa japin përgjigje:
“Ne i kemi dërguar Shtëpisë së Bardhë një përgjigje. Jam mëse i gatshëm të shkoj në Shtëpinë e Bardhë në rastin më të parë për të shqyrtuar materialet. Por unë u kam shprehur atyre shqetësimin tim të thellë ndaj mënyrës se si këto materiale po i vihen në dispozicion Komisionit”.
Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer, i cili njoftoi ofertën që ligjvënësit të vinin për të shqyrtuar informacionin sekret, vazhdoi t’u shmangej pyetjeve të gazetarëve rreth një vizite të pazakonte që bëri kongresmeni Nunes në Shtëpinë e Bardhë mëse një javë më parë, për të parë dokumentet sekrete të zbulimit:
“Fiksimi juaj se cili ka folur me cilin dhe kur ka folur nuk është thelbi i çështjes. Ndërkaq, jeni vetë ju gazetarët që nxirrni një lajm me 18 burime anonime dhe thoni se është thelbi ai që ka rëndësi. Duket se ju vazhdoni ta shihni çështjen nga një prizëm i gabuar dhe të mos shihni thelbin.”
Eksperti i Qendrës për Përparimin Amerikan, Ken Gude, i tha Zërit të Amerikës me Skype se, me sa duket, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë i dhanë zotit Nunes informacion që ai të mund të mbulonte në një farë mënyre veprimet e Presidentit Trump:
“Procesi është gjëja më e rëndësishme këtu. Në thelb, Shtëpia e Bardhë e përdori kryetarin e komisionit të zbulimit Nunes për të filtruar, për të pastruar disa nga informacionet që ajo vetë pretendon të ketë pasur, në mënyrë që të justifikonte disi pretendimin e zotit Trump se ishte përgjuar ilegalisht nga presidenti Obama gjatë fushatës dhe tranzicionit.”
Të enjten, pak para konferencës së shtypit të zotit Spicer, gazeta New York Times publikoi një lajm me emrat e dy zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, të cilët sipas gazetës ndihmuan zotin Nunes të siguronte raportet tepër sekrete që tregonin se zoti Trump dhe bashkëpunëtorë të tij ishin përfshirë në mënyrë rastësore në përgjimet që agjencitë amerikane të zbulimit u bënin zyrtarëve të huaj.
Sipas gazetës, ata ishin Ezra Cohen-Watnick, ish-zyrtar i Agjencisë së Zbulimit të Mbrojtjes, tani drejtor i lartë për zbulimin në Këshillin e Sigurimit Kombëtar dhe Michael Ellis, ish-anëtar i stafit të Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili tani punon për çështjet e sigurisë kombëtare në zyrën e avokatit Shtëpisë së Bardhë.
Zoti Spicer nuk pranoi të fliste për njoftimin e gazetës New York Times.