Lutfi Dervishi: Diasporën e duam për paratë, për lobim e për dekor, jo për president
Kryeministri Rama në një intervistë për Enver Robellin la të hapur mundësinë që presidenti i Shqipërisë mund të jetë edhe nga diaspor. Analisti Lutfi Dervishi thotë se kjo gjë nuk është e mundur pasi ndalohet nga Kushtetuta. Ai më tej shkruan në Facebook, se Kushtetuta nuk mund të ndryshohet, është libër i shenjtë që duhet ruajtur.
Postimi i plotë
President nga diaspora….?
– Këtë nuk e kam menduar, por faleminderit që më dhatë një ide. Nuk e përjashtoj asnjë mundësi. Kandidati mund të jetë edhe nga diaspora”.
Kjo është përgjigja e kryeministrit Rama në intervistën dhënë për gazetarin Enver Robelli.
Nuk është vetëm kryeministri që nuk e ka menduar ndonjëherë një kandidat për President nga diaspora.
Edhe hartuesit dhe miratuesit e kushtetutës janë kujdesur që t’i pritet rruga një kandidati nga diaspora.
Neni 86, pika dy, pothuajse e përjashton mundësinë e një kandidati nga diaspora.
“President mund të zgjidhet vetëm shtetasi shqiptar që nga lindja, me qëndrim jo më pak se 10 vjetët e fundit në Shqipëri dhe që ka mbushur moshën 40 vjeç”
Pra, duhet të ketë lindur në Shqipëri. Të ketë patur durimin të jetojë së paku 10 vitet e fundit këtu dhe të ketë mbështetjen e më së paku 20 deputetëve që do ta propozonin.
Kandidat nga Diaspora?
Po si mor jahu- do të thoshte një tirons me rronj e me degë!
Diasporën e duam për paratë që të investojë, e duam për lobim, e duam për dekor, e duam për.. gjithçka, por kur vjen puna te pushteti, nuk kemi nevojë jo më për kandidatë, por as për mend. Kushtetuta është ligji themeltar i shtetit që na dëfton si duhet të qeverisimi. Kushtetuta nuk është libër për t’u argëtuar dhe as vile rrushi që ti mund të zgjedhësh kokrrat që të pëlqejnë, është libri i shenjtë që duhet ruajtuar dhe respektuar dhe jo tabela e parë e qitjes për pikë elektorale.