Michael Flynn, kërkon imunitet për të dëshmuar mbi ndërhyrjet e Rusisë
Michael Flynn, ish-këshilltari i sigurisë kombëtare i Presidentit Donald Trump, ka ofruar të bashkëpunojë me hetuesit e Kongresit që po shqyrtojnë kontaktet ndërmjet këshilltarëve të fushatës së zotit Trump dhe Rusisë, por ka vënë si kusht që t’i jepet imunitet nga akuzat që mund të ngrihen nga prokuroria.
Gazeta “The Wall Street Journal” njoftoi dje se zoti Flynn është angazhuar në bisedime për të përfituar imunitet, por se nuk i është premtuar ende një gjë e tillë.
Avokati i zotit Flynn, Robert Kelner tha në një deklaratë se: “Gjenerali Flynn ka një histori që dëshiron ta rrëfejë, nëse do ta lejojnë rrethanat. Nuk do të komentojmë për momentin detajet e bisedimeve ndërmjet këshilltarëve të tij ligjorë dhe Komisioneve të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit, të cilat i konfirmojmë se janë duke u zhvilluar.”
Zoti Kelner thotë në vazhdim se: “Asnjë person i logjikshëm… nuk do t’i nënshtrohej marrjes në pyetje në një klimë të tillë gjuetie shtrigash kaq të politizuar, pa u siguruar përkundër një procesi të padrejtë akuzash.”
Zoti Flynn, një gjeneral në pension, u detyrua të dorëhiqet nga posti i një prej këshilltarëve më të afërt të Presidentit Trump, pasi u zbulua se kishte gënjyer Nënpresidentin Mike Pence për komunikimet e tij me ambasadorin e Rusisë në SHBA, zotin Sergey Kislyak.
Komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit po shqyrtojnë nëse bashkëpunëtorë të zotit Trump mund të jenë koordinuar me agjentë të qeverisë ruse në përpjekjet e tyre për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Ekspertët i thanë dje Komisionit të Zbulimit të Senatit se Rusia ndërmori një fushatë të paprecedentë dhe tepër të suksesshme për të influencuar dialogun politik amerikan gjatë fushatës elektorale.
“Rusia shpreson të fitojë Luftën e dytë të Ftohtë nëpërmjet forcës së politikës, se sa nëpërmjet politikës së forcës”, tha eksperti i sigurisë kibernetike Clinton Watts, i Institutit të Studimeve për Politikën e Jashtme. Zoti Watts bëri një paraqitje të detajuar të përdorimit nga Rusia të sulmeve kibernetike dhe fushatës së gjerë të dizinformimit për të shpërqëndruar votuesit amerikanë dhe për t’i kthyer ata kundër njëri-tjetrit.
Dëshmia konfirmoi çfarë kanë thënë ligjvënësit e të dyja partive gjatë muajve të fundit.
“Presidenti rus Vladimir Putin udhëroi një fushatë të qëllimshme dhe të mirëndërtuar për të sabotuar procesin tonë zgjedhor”, tha udhëheqësi demokrat në komision, Senatori i shtetit Virxhinia, Mark Warner.
Përpara kësaj seance dëgjimore me dyer të hapura, zoti Putin i quajti akuzat për ndërhyrje elektorale të Rusisë si “provokime dhe gënjeshtra”. I pyetur gjatë një programi televiziv nëse Moska u përpoq të influenconte rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane, zoti Putin tha: “Po e them troç: Jo.”
Dëshmitarët në Komisionin e Zbulimit përshkruan prova të shumta dhe të pakundërshtueshme për të kundërtën.
“Kemi këtu një periudhë 10-vjeçare vëzhgimesh. Nuk është e besueshme të mendojmë se ata nuk u përfshinë”, tha Kevin Mandia, drejtor i firmës amerikane për sigurinë kibernetike FireEye.
Senatori republikan i shtetit të Floridas, Marco Rubio, rrëfeu eksperiencën e tij nga kandidimi pa sukses i vitit të kaluar:
“Ish-pjesëtarë të fushatës time presidenciale që patën qasje në informacion të brendshëm të fushatës sime presidenciale u sulmuan nga kompjutera të ndodhur në Rusi. Përpjekja e tyre ishte e suksesshme.”
Eksperti për sigurinë dhe zbulimin në Universitetin Georgetown, Roy Gordon, tha se: “Aktivitetet e Rusisë në Shtetet e Bashkuara… duken vërtet se janë të jashtëzakonshme.” Ai shtoi se fushatat kibernetike dhe të dizinformimit u mundësojnë hakerëve rusë që “të luajnë mbi kategorinë e tyre” në skenën botërore.
Zoti Watts tha se Rusia u ndihmua vjet nga raportimet e zgjeruara të mediave amerikane për materialet e vjedhura prej Rusisë dhe të shfaqura në faqet e internetit si WikiLeaks, si dhe nga rastet kur fushata Trump përsëriti dizinformata që Moska shpërndante për kundërshtaren politike, demokraten Hillary Clinton. Ai shtoi se një ditë, Rusia mund ta drejtojë fuqinë e saj informative kundër zotit Trump.
Zoti Watts tha se veprimet e Rusisë “bazohen vetëm tek ajo çfarë ata duan të arrijnë… çfarëdo qofshin objektivat e politikës së jashtme të Rusisë. Ata do t’i kthehen kundër edhe Presidentit Trump. Ata fitojnë, pasi luajnë në të dy krahët.”
Seanca dëgjimore ishte seanca e parë ndër disa të tilla që komisioni do të mbajë në muajt në vazhdim. Një pjesë e tyre do të jenë të hapura për publikun, ndërsa një pjesë do të jenë me dyer të mbyllura. Kryetari republikan Richard Burr ka bërë thirrje të përsëritura për një kërkim të paanshëm dhe të plotë për të vërtetën, si dhe u ka kërkuar kolegëve në komision të mos bien pre e goditjeve partiake.
“Nëse e politizojmë këtë proces, përpjekjet tona do të dështojnë”, tha zoti Burr.
Demokrati Warner e mbështeti këtë thirrje, duke thënë se qëllimi i hetimit nuk është që të rigjykojë zgjedhjet, por që Rusia të mbajë përgjegjësinë që i takon.
Por, siç u shpreh një anëtar demokrat, nëse komisioni është i vendosur të hedhë dritë mbi çfarëdo lidhje të njerëzve të rrethit të brendshëm të Presidentit Trump me Rusinë, atëherë vetë Presidenti duhet të bëjë publike deklaratat e tij të taksave.
Senatori i shtetit Oregon, Ron Wyden, tha se: “Çelësi për një hetim të suksesshëm është ndjekja e parasë. Informacioni për financat e zotit Donald Trump mund të na çojë tek Rusia.”
Gjatë fushatës dhe pas saj, zoti Trump ka mohuar me forcë çfarëdo lidhjesh me Rusinë, ka vënë në pikëpyetje të dhënat e zbulimit amerikan për përfshirjen e Rusisë, si dhe ka akuzuar mediat për zhvillimin e një fushate njollosëse ndaj tij. E megjithatë, Shtëpia e Bardhë pranoi nevojën që hetimet të përparojnë.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, tha se: “Ne duam të përfundojë kjo gjë, ashtu si disa prej jush. Por, e kuptojmë se duhet të përmbushet një proces që ka filluar.”
Dëgjesa e djeshme e risolli në qendër të vëmendjes Komisionin e Zbulimit të Senatit pasi komisioni i ngjashëm i Dhomës së Përfaqësuesve anulloi seancat e planifikuara, ndërsa u zhvillua një luftë fjalësh ndërmjet kryetarit republikan Devin Nunes dhe të udhëheqësit të demokratëve Adam Schiff, të dy të shtetit të Kalifornisë.
Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve është përfshirë nga rrëmuja që kur zoti Nunes informoi personalisht zotin Trump për materiale të klasifikuara që ai nuk ja kishte dhënë ende komisionit. Zoti Nunes nuk i pranoi thirrjet e zotit Schiff dhe të tjerëve që të tërhiqej nga hetimi.
Gazeta “The New York Times” njoftoi dje se dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë ja dhanë zotin Nunes informacionin që shkaktoi furtunën. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, nuk komentoi për këtë çështje.