Të panjohurat e drejtoreshës së FSHF dhe “zërit” të kuqezinjve
Jona Dervishi është tashmë një emër i njohur brenda dhe jashtë vendit. Ajo ka kryer studimet e Larta në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ka punuar fillimisht në disa organizata jofitmprurëse e media dhe pastaj ka konkuruar në Federatën Shqiptare të Futbollit duke qenë Drejtore e Marëdhënieve me Publikun. Për shkak të punës ajo ka një kontakt të përditshëm me mediat, por përpos saj është e parapëlqyer edhe me dhënien e mjaft intervistave. Në rrëfimin e saj për mediat do të shikoni se në portretin e një femre të bukur është gjithashtu edhe një mendje e zgjuar.
Kush është Jona Dervishi?
Jona Dervishi: Një vajzë e re si shumë vajza të tjera shqiptare, e cila mundohet cdo ditë e më shumë të arrij objektivat a saj në jetë në mënyrën më të mirë të mundshme pa i ngrënë hakun askujt dhe me dëshirën për të bërë sa më mirë kur i jepet mundësia.
Cili ka qenë motivi që ju ka lidhur me sportin dhe konkretisht me Federatën Shqiptare të Futbollit?
Jona Dervishi: E pranoj që nuk kam qenë ndonjë “fanatike” e futbollit, por gjithnjë më ka tërhequr ta shikoj, mbase jo me syrin e një tifozeje por me syrin e një simpatizanteje. Në Federatën Shqiptare të Futbollit kisha dëgjuar që kërkohej një Drejtor për Mardhëniet me Publikun dhe kështu krijova mundësinë për të dërguar platformën time, e cila u pëlqye.
E ndiqni kombëtaren shqiptare brenda vendit apo edhe jashtë?
Jona Dervishi: Unë e ndjek patjetër Kombëtaren tonë të Futbollit sepse konsiston edhe në punën time. Sipas kushteve dhe rrethanave mendoj se do e ndjek edhe jashtë, por duke qenë se funksionojmë të tërë si një skuadër nuk është se punët i kemi të ndara me thikë, ne bashkëpunojmë e kështu vendosim bashkarisht.
Periudha e punës suaj në FSHF përkon edhe me shkëlqimin e kombëtares sonë; rastësi apo ka diçka tjetër?
Jona Dervishi: Të them të drejtën Kombëtarja jonë e Futbollit e drejtuar nga traineri italian De Biazi është në kohën e saj të artë, sepse nuk po njeh humbje, përkundrazi po ngrihet çdo ditë e më shumë. Mendoj se nuk ka atë bëjë me ardhjen time patjetër por ama me angazhimin e tërë Federatës Shqiptare të Futbollit, pra me punën tonë të përditshme. Sepse jemi një staf i tërë që punojmë për ta, me ta. Me ardhjen time mbase konsiston ndopak puna e shansit. Kaq mund t’i atribuoj vetes.
Cilin nga lojtarët e përfaqësueses shqiptare vlerësoni më shumë?
Jona Dervishi: Për mua nuk janë të ndarë, unë i quaj ekip dhe po kështu i vlerësoj në formën e një ekipi. Humbja është e të gjithëve ashtu sikurse edhe fitorja! Të gjithë për një e një për të gjithë!
Cila është një ditë e zakonshme e Jonës në periudhën e punës?
Jona Dervishi: Puna në Federatë Shqiptare të Futbollit fillon në orën 8:30, duke konsumuar kafen e mëngjesit sëbashku me shtypin e shkruar. Më pas kam takime të përditshme me media e gazetarë të ndryshëm sepse puna ime është më shumë në terren sesa në zyrë për shkak të pozicionit tim me kontaktet e shumta. Ndërsa orari zyrtar i lënies së punës për zyrën e shtypit nuk është si i administratës në përgjithësi sepse ne funksionojmë le të themi orar pa orar.
A e lidhni famën tuaj thjesht me bukurinë?
Jona Dervishi: Nëse do e konsideroja famën thjesht me bukurinë atëhere do punoja fotomodele, aktore a ku e di unë dhe jo drejtore e mediave, sepse është aty ku vlerësohet bukuria, ndërsa në pozicionin tim bukuria është e fundit që ka vlerë. Pastaj unë se di përse i vihet kaq shumë peshë kësaj bukurisë sime, se ka qindra e mijëra vajza shumë më të bukura dhe unë e konsideroj veten një vajzë të thjeshtë shqiptare.
Jeta intime: Çfarë do të donit të ndanit me publikun dhe çfarë jo?
Jona Dervishi: Kur thua “intime”, atëhere nuk ka më vend për pulikun.
Rrjetet sociale apo portalet kanë përcjellë edhe lajme të pavërteta për FSHF dhe për ju personalisht, opinioni juaj?
Jona Dervishi: Rrjetet sociale janë një mori mendimesh, e kështu çdokush ka mendimin e tij qoftë pozitiv e qoftë negativ. Kështu që patjetër do ketë edhe të pavërteta, qofshin këto për mua e qofshin për Federatën Shqiptare të Futbollit. Unë uroj shumë që të ndërgjegjësohemi, të kulturohemi, t’i shohim si një mundësi më shumë në komunikimin botëror dhe mos merremi shumë me thashetheme se janë pikërisht ato që na kanë lënë kaq shumë mbrapa.
30 gusht 2015
Please follow and like us: