Albspirit

Media/News/Publishing

1991, kur në 40 zona votohej me mbi 80% të votave për PPSH

31 mars 1991 u bënë zgjedhjet e para pluraliste. Ishin zgjedhje 108 ditë pas lejimit të pluralizmit politik dhe krijimit të partive të reja politike. Ishin zgjedhjet e vetme ku kandidonin edhe shoqata (Omonia) dhe organizatat satelite të PPSH (Fronti, BRPSH, BR, BG, KV) dhe të vetmet ku KQZ ishte njëherësh drejtues i zgjedhjeve dhe kandidat në zgjedhje, – të vetmet në votim 100% mazhoritar dhe të vetmet në të cilat humbën në garë Presidenti, Kryetari i KQZ etj.

Analiza e të dhënave të bëra nga Instituti i Studimeve Politike, në kuadër të projektit mbi database zgjedhore në vite, mbështetur nga fondacioni gjerman, Konrad Adenauer Stiftung, ofron të dhëna interesante: të dhënat tregojnë se ndonëse të gjithë sot flasin për demokracinë, më 1991 shumica shqiptare ishte kundër konkurrencës reale politike dhe kundër sistemit të ri, – në fundin e shkurtit 1991 më shumë se 1 milion firma u mblodhën në mbështetje të “Vullnetarët e Enverit”.

Le tu referohemi shifrave: – në mbi 75 zona elektorale të vitit 1991 diferenca midis kandidatëve kryesorë ishte mbi 50% të votave dhe në 40 zona zgjedhore kandidatët e PPSH fituan me mbi 80% të votave. Në listën e zonave rekord ka dy zona në favor po kaq të thellë për opozitë, Kavaja (88.9) dhe Shijaku (79.9%), të tjerat i përkasin tërësisht PPSH. Është interesante për të parë sesi shumë prej fituesve nuk lanë gjurmë politike as në parlamentin e parë dhe as në pluralizmin e 27 viteve, – pra nuk përfaqësonin elita politike por pushtetin dhe forcën e tij kontrolluese mbi zgjedhjet. Nga lista fituese vetëm 3-4 individë janë edhe sot në politikë ose jetën publike (një deputet, një prefekt dhe dy figura publike), kurse nga lista humbëse janë 4-5 emra ende publikë (dy profesorë, një deputet, një analist, etj). Të paktën dy fitues të atëhershëm kanë ndryshuar parti politik dhe njëri sot ndodhet nën siglën tjetër, ndërkohë që të paktën 18 prej emrave fitues apo humbës janë ndarë nga jeta gjatë viteve.

Në qytetet e mëdha, sidomos në Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë e Elbasan, shumica e votave shkuan pro kandidatëve të opozitës,  por siç ka ndodhur në çdo zgjedhje prej 1991, kush fiton periferinë dhe zonat rurale fiton edhe pushtetin.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e vitit 1991 ishte mbi 96%, ndërkohë që në janar – mars 1991, autoritetet italiane dhe greke kishin lajmëruar se mbi 250 mijë shqiptarë kishin kaluar kufirin në valën e parë të ikjes. Ata, zyrtarisht figuruan votues dhe rezultoi se votuan pro kandidatëve të pushtetit. E thënë tjetër teknike është se partia fituese mori 1.1 milion vota, e vetme, dhe mbi 1,2 milion vota bashkë me aleatët politikë. Shqipëria, ashtu si Bullgaria, pati një vit tranzicioni dhe bashkëqeverisjeje midis të majtës e të djathtës, derisa më 1992 ndodhi rotacioni i parë politik.

Please follow and like us: