Albspirit

Media/News/Publishing

300 zyrtarë të lartë në verifikim për lidhje me Sigurimin e Shtetit, grumbullim të dosjeve edhe nga gjykatat dhe prokuroritë

Rreth 300 zyrtarë të lartë po verifikohen nëse kanë qenë të përfshirë në veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit. Institucionet e shtetit kanë dërguar informacione te Autoriteti i Dosjeve për 300 zyrtarët e lartë të administratës publike, i cili po shqyrton një e nga një dosjen e gjithsecilit. Pasi Autoriteti përfundon verifikimin e zyrtarëve, nëse konstaton se kanë patur lidhje me Sigurimin e Shtetit, raportin me konkluzione ia dorëzon institucionit përkatës, i cili më pas merr masa deri në largim nga puna. Kjo nuk vlen vetëm për zyrtarët e punësuar, por edhe për ata që do konkurrojnë në poste të larta publike në administratë. Kandidatët nuk mund të kalojnë provimin pa u futur në lupën e Autoritetit të Dosjeve, edhe nëse i kanë plotësuar të gjitha kriteret e tjera. Ndërkaq, ka përfunduar grumbullimi i dosjeve nga arkivat e shtetit pas kërkesës së Autoritetit të Dosjeve. Me anë të furgonëve nën procesin e monitorimit të anëtarëve të Autoritetit, dosjet janë grumbulluar te ky institucion, të cilat janë ndarë sipas kategorive të ndryshme, në departamente përkatëse. Por përpos arkivave të institucioneve, dosjet janë grumbulluar edhe nga gjykatat dhe prokuroria. Gjatë punës së verifikimit të dosjeve, Autoriteti për Informim për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka dalë në përfundimin se politika ka bërë masakër me dosjet e komunizmit. Qindra dokumente janë manipuluar dhe zhdukur nga politikanë të implikuar në Sigurimin e Shtetit, për të fshehur gjurmët e tyre të errëta gjatë veprimtarisë në diktaturën e egër komuniste. Gjatë punës për mbledhjen e dosjeve të Sigurimit, Autoriteti ka konstatuar se një pjesë e konsiderueshme e dokumenteve nuk gjenden.

Teknologji për zbulimin e spiunëve

Pavarësisht faktit se dosjet janë manipuluar, ka një shans për zbulimin e spiunëve. Autoriteti do të përdorë teknologji speciale për zbulimin e spiunëve që kanë fshehur të dhënat, por nuk dihet se sa i arrirë do të jetë ky projekt shkruan “Sot”. Anëtari i Autoritetit, Simon Miraka, ka deklaruar se një sërë dosjesh janë zhdukur ndërsa ka edhe emra që janë fshirë nga regjistrat themeltar. “Kanë bërë seleksionime ku ata e kanë parë të arsyeshme sipas arsyetimit të tyre. Ka regjistra që janë fshirë, mirëpo ka edhe një teknologji sot që edhe ato fshirje do t’i gjejmë, shpresojmë!”, deklaroi Miraka. Siç duket, ky proces do të shoqërohet me shumë probleme, që do të pengojnë edhe zbulimin e vërtetë të spiunëve të Sigurimit. Ndërsa një pjesë e dosjeve janë zhdukur dhe manipuluar, një pjesë tjetër është e painventarizuar. Shumë dosje janë nëpër kuti dhe të dëmtuar nga kushtet e ambientit, ndërsa ka shumë nga ato për të cilat nuk dihet e çfarë përmbajnë. Asgjësimi i dosjeve ka ardhur nga politikanët, të cilët janë kujdesur që të zhduken ato dosje shumë të rrezikshme dhe shumë të rëndësishme, që do të cenonin karrierën e tyre politike.

Please follow and like us: