Dashamir Shehi propozon zgjidhjen nëse nuk ka dialog, kërkon dekret të përbashkët vetingu
Aleati historik i Partisë Demokratike, Dashamir Shehi, thotë se do ishte e pranueshme një zgjidhje si për rastin e dekriminalizimit me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve nëse nuk realizohet kushti kryesor i koalicionit opozitar. Kur protesta e opozitës ka hyrë në javën e saj të 8-të, nga radhët e opozitës vjen sinjali i parë për zgjidhjen e krizës përmes një marrëveshje që përjashton kërkesën për qeveri teknike. “Nëse kjo është një marrëveshje që e ruan të drejtën e opozitës të ketë mundësi zgjedhje, populli shqiptar të ketë akses, të mos dhunohet nga mijëra kriminelë që ka ngritur kjo qeveri në këmbë, unë mendoj se mund të arrihet, nëse jo për t’ju dorëzuar krimit edhe mafies më mirë të vijojmë luftën”, është shprehur Shehi në një intervistë. Këtë ide, Dashamir Shehi nuk e ka diskutuar me Lulzim Bashën, por me kryetarin demokrat ai ka biseduar për një tjetër çështje të nxehtë, atë të miratimit të Vetingut. “Në funksion të zgjedhjeve mund të bëhej dhe kjo marrëveshje me një dekret të përbashkët Vetingu dhe qeveria teknike do ishte zgjedhje shumë e mirë, dhe nuk ka justifikime për asnjë palë dhe pas kësaj shkojmë në një palë zgjedhje që shpresojmë të jenë më të mira se të tjerat”, deklaroi ai. Dashamir Shehi është i idesë që opozita duhet të heqë çdo alibi se është ajo që po bllokon zgjedhjet dhe drejtësinë me veprime konkrete, duke shënuar në këtë mënyrë edhe rastin e parë të mendimit ndryshe brenda radhëve të aleatëve opozitarë. Deklarata e Shehit vijnë në një kohë kur ndërkombëtarët shtojnë presionet ndaj Partisë Demokratike sa i takon bojkotit të zgjedhjeve dhe protestës para Kryeministrisë.Mirëpo Basha ka vijuar me retorikat se ka marrë mbështetje nga SHBA gjatë vizitës në Uashington. Po ashtu edhe Gjermania doli kundër bojkotit të PD. Ndërkombëtarët duket se janë shqetësuar dhe mbi pasojat që do të sjellë bojkoti i Parlamentit, pasi bllokohet reforma në drejtësi. Javën që vjen, Kuvendi duhet që të ngrejë komisionin ad hoc, i cili do ketë 3 anëtarë të opozitës dhe 3 të shumicës. Por duke qenë se opozita ka nisur bojkotin, atëherë një gjë e tillë është e pamundur dhe për këtë arsye vetingu rrezikon të hyjë në qorrsokak.