Albspirit

Media/News/Publishing

Një italiane për Gjirokastrën muzeale

Gjatë bisedës në avllinë e gurtë të shtëpisë së Babametove, Sara tregon tërheqjen e madhe ndaj Gjirokstrës dhe shqiptarëve.

Ajo ndodhet në qytetin e Gjirokastrës prej disa javësh, për t’u kujdesur vullnetarisht për  monumentet e kulturës dhe të komplekseve muzealë. E reja nga Italia quhet Sara Zanini, ka përfunduar studimet për trashëgiminë kulturore në Britaninë e Madhe dhe ka punuar në disa vende të ndryshme për restaurimin dhe mirëmbajtien e vlerave të arkitekturës tradicionale. Ndërsa bisedojmë në avllinë e gurtë të shtëpisë së Babametove, Sara tregon për Konica.al se “Gjirokastra, pasuri e UNESCO-s, gjithmonë më ka tërhequr shumë. Ndaj vendosa të praktikoj njohuritë e mia, vullnetarisht, në këtë qytet të gurtë”.

Sara do të qëndrojë për disa muaj në qytet. “Dëshiroj të përfitoj përvojë në fushën e përkujdesjes së monumenteve të dhe të trashëgimisë kulturore. Do të doja të mësoja çfarë mund të bëjmë për mirëmbajtjen e  këtyre vlerave, cili është kontributi që mund të japim çdo ditë për nismat në fushën e trashëgimisë”. Dhe ndërkaq, ajo ka nisur nga puna duke u njohur me njerëzit. “Jam në hapat e parë të përfshirjes në disa projekte.  Mendoj se puna ime do të jetë komplekse, por gjithashtu edhe e rëndësishme për të ardhmen time profesionale. Gjirokastra është një qytet  i veçantë dhe mendoj se është e vlefshme të marrësh një përvojë të vërtetë pune këtu”, – thotë vullnetarja nga Italia.

 

Krahas vlerave arkitektonike dhe ndërtimore të qytetit, Sara vlerëson edhe mikpritjen e banorëve. Për të është shumë i veçantë fakti që bukuria e qytetit ndërthuret me bujarinë e vendasve.

“Është hera e parë që vizitoj Gjirokastrën dhe Shqipërinë. Para se të vija, sigurisht kam mbledhur shumë të dhëna për qytetin, lexova shumë artikuj dhe botime. Njerëzit këtu janë dashamirës, kam gjetur një mikpritje të vërtetë. E quaj veten me fat që gjendem jo vetëm këtu, por edhe në Shqipëri. Tani për tani, kam vizituar Gjirokastrën dhe Përmetin, por, me kënaqësi, do të udhëtoj dhe do të zbuloj vendin tuaj. Dëshiroj me të vërtetë që të qëndroj këtu”.

Aktualisht, Sara bashkëpunon me stafin e fondacionit “Gjirokastra”. Pjesëtarët e kësaj organizate flasin me respekt për vullnetaren nga Italia e cila, veç aftësive profesionale, ka një dashamirësi të sinqertë për  Shqipërinë dhe shqiptarët.

Please follow and like us: