Velinovska: Andov është i përfshirë në Lagjen e Trimave
Gazetarja maqedonase, Mirka Velinovska ka akuzuar politikanë të njohur për përfshirje në rastin e luftimeve në ‘Lagjen e Trimave’ në Kumanovë.
Në emisionin ‘Në qendër’ të Vasko Eftovit, gazetarja maqedonase e njohur për qëndrimet e saj kundërthënëse, ka përmendur politikanin, Stojan Andov si njërin nga të përfshirët në prapaskenat e luftimeve në Kumanovë.
“Stojan Andov është i implikuar. Një javë para se të ndodhte rasti në Lagjen e Trimave, në maj, ai ka qenë në komunikim me Burger dhe Stoner. Kështu që Andov është i njohur për këtë që nga koha e Van Der Stulit, i cili erdhi atëherë në ‘Puls’ dhe na njoftoi se ky person është i turbullt. Ai është si dhelpër, shpëton”, ka thënë mes të tjerash gazetarja Velinovska.
Stojan Andov, tani 81 vjeçar, është një nga politikanët më të vjetër në Maqedoni, njëri nga themeluesit e Partisë Liberale të Maqedonisë si dhe kryetar i Kuvendit nga viti 1993 deri në vitin 1997. Kohëve të fundit, ai ka qenë mjaft aktiv në opinion me qëndrimet e tij kundër platformës së përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni. Ai pati thënë se platforma e Tiranës që kërkon ndryshime kushtetuese, është e rrezikshme për Republikën e Maqedonisë.