Albspirit

Media/News/Publishing

2 prill 1991, misteret e vrasjeve që s’u zbardhën kurrë

E raportoi ngjarjen në Parlament ish-ministri i Brendshëm, Gramoz Ruçi

2 prill7Kanë kaluar 26 vjet nga 2 prilli 1991, ajo ditë e dhunshme kur Shkodra humbi katër bij të saj, idealistë e plot shpresë për Shqipërine ku po pritej të vinte demokracia. Tragjedia e tyre dhe e familjeve të tyre vazhdon të mbetet një hije e zezë që nuk u zbardh kurrë. 2 prilli 1991 bëhet për fat të keq nisja e të vërtetave të fshehura që mbeten të tilla, krime pas të cilëve duart që lëvizin nuk mësohen asnjëherë. 2 prilli 1991, është një akuzë e fortë politike. Për atë politikë që vetëm flet dhe nuk mban asnjë premtim. Nisja është me 2 prill 1991… Për tu kthyer në atmosferën e asaj kohe më poshtë do të sjellim debatin parlamentar të bërë një muaj pas vrasjeve në Kuvendin e Shqipërisë.2 prill 3

Akuza e kundërakuza

Akuzat e kundërakuzat e asaj që në atë kohë u quajt vrasja më e rëndë politike kanë vijuar për një muaj me radhë. Situata politike në atë kohë ka qenë ekstremisht e ndarë. Do të duhej plot një muaj kohë që debate për vrasjet e 2 prillit të shkonte në Parlament. Në fjalën e Agustin Shqalësit, në atë kohë deputet i PD për Shkodrën akuzat janë të qarta. Në radhë të parë për forcat e rendit. “Zoti Ministër i Brendshëm thotë që është përgjegjës për gjithçka kryetari i degës së Shkodrës. Po pse Ministri i Brendshëm nuk bëri asnjë deklaratë, por vetëm mbas 1 muaji të ngjarjes ai bën një deklaratë para Kuvendit Popullor, ndërkohë që populli i Shkodrës mezi priste fjalën e tij”?2 prill5 pyet deputeti shkodran. Sipas tij shkaqet e vrasjeve janë plotësisht politike. “Jam i mendimit që ngjarjet e Shkodrës kanë rrënjë të thella dhe detyrimisht lidhen me të kaluarën e palavdishme të këtij vendi, që shijet e tij i pa burokracia e PPSH-së. E theksoj, burokracia e PPSH-së. Është kjo burokraci që tradhtoi jo vetëm partinë e vet, por gjithë popullin shqiptar”. Por dukej se hetimet për ngjarjen ishin sabotuar e vonuar qëllimisht. Përfaqësuesi i qytetit ku ndodhi ngjarja e thotë qartësisht këtë. Megjithatë sipas tij “Më datën 3-4 prill i gjithë populli i Shkodrës përcolli bijtë e vet me lot në sy. Ky varrim madhështor ishte hetimi i parë i ngjarjes”.2 prill4

Si u parapri 2 Prilli

Gramoz Ruci, ministër i brendshëm i kohës në raportimin për ngjarjen ka një parashtrim të gjatë të asaj çfarë kishte ndodhur një ditë më parë. Më 1 prill 1991, vetëm një ditë pas zgjedhjeve dukej se shumë banorë të Shkodrës dhe të Lezhës të dëshpëruar nga rezultati humbës i PD, panë si zgjidhje largimin nga vendi. “Në orën 15:00 me trenin e Shkodrës erdhën turma të mëdha njerëzish, të cilat u nisën për në Shëngjin nga rrugë e drejtime të ndryshme. Në orën 17:00 në Shëngjin u grumbulluan rreth 4 mijë veta, rreth 700 prej të cilëve, duke vënë fëmijët përpara, u drejtuan nga baza ushtarake, për të rrëmbyer anijet luftarake”. Situata ishtë tepër e ndezur. Pasi kthehen nga forcat e rendit të dërguar “edhe nga Fushë Kruja” në Lezhë ka përplasje. “Të dëshpëruarit” do ta përçojnë situatën edhe në Shkodër. Ish ministry flet për dhunë, djegie e thyerje. Protestat e mbrëmjes sipas tij do të vazhdonin edhe të nesërmen.

Raportimi për vrasjet

2 prill6E nesërmja, 2 prilli, do të ishte dita e zezë për Shkodrën. Do të vriteshin 4 bijtë e saj ndër ta Arben Broci njëri nga themeluesit e PD-së, student I dhjetorit që kishte spikatur ndër të tjerë për qëndrime të qarta kundër regjimit komunist. Ai ishte i njohur tashmë publikisht, për përplasjet e forta me presidentin e kohës Ramiz Alinë, gjatë takimit me studentët.

Por për regjimin e kohës ai ishte një ndër katër protestuesit e vrarë më 2 prill në Shkodër. Ish ministri Gramoz Ruci, në raportimin e tij për ngjarjen, për të cilën akuzohej se ai kishte dhënë urdhërin për vrasje, ngre një alibi. Ai kishte qenë në një mbledhje me autoritete të lartë të shtetit. “Para se të futesha në mbledhje, pyeta në telefon zëvendësministrin, i cili më tha se sapo më njoftuan që në Shkodër ka një të vrarë, por nuk kam informacion për rrethanat e vrasjes. Duke raportuar në mbledhjen e Presidencës, më informojnë nga Ministria se në Shkodër janë vrarë edhe dy qytetarë të tjerë, është djegur Komiteti i Partisë së Punës, si dhe janë plagosur disa të tjerë, numri i të cilëve nuk dihet”.2 prill 1

Por ka një fakt interesant. Ne deklaratën e institucionit që ai drejtonte dinamika e 2 prillit në renditjen e ngjarjeve “padashur” ishte ngatërruar. “Njoftimi, siç u tha edhe nga komisioni parlamentar, është përpiluar nga zëdhënësi i Ministrisë se Punëve të Brendshme mbi bazën e informacionit të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, i cili nuk mund të ishte përfundimtar për dy arsye: e para, situata vazhdonte të shtjellohej dhe, e dyta, informacionin e dha kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, që ishte në kryerje e sipër të detyrës, gjendja psikologjike e të cilit nuk mund të mos merret në konsideratë. Megjithëkëtë, në kushtet që u krijuan, opinioni duhej informuar paraprakisht dhe ky qe qëllimi i vetëm i njoftimit”, thotë ish ministri Ruçi.

2 prill8Ka patur gjithmonë një pandehmë se vrasja mund të jetë kryer nga shërbimet e huaja. Është një e vërtetë apo një justifikim sot nuk ka asnjë artikulim të qartë zyrtar për këtë. Por ish ministri e rendit edhe këtë pandehmë. Ruçi thotë: “Ndërsa hetuesia jonë nuk futet dot as pas 2 ditësh për të kryer detyrën, telekronisti i Malit të Zi, siç del nga kronika e filmuar që dha televizioni i tij, u ndodh në vend dhe i përgatitur për të filmuar ngjarjen. Ose një moment tjetër: kush përfitonte nga transmetimi nëpërmjet Radio-Shkodrës i lajmit që Tirana ra etj., etj.? Atëherë lind pyetja: kush janë këto forca brenda apo jashtë kufijve të Shqipërisë të interesuara për këtë tragjedi? Këtyre pyetjeve Gramoz Ruçi u shton edhe disa të tjera: ç’lloj arme ka shkaktuar vdekjen e Arben Brocit, që më tepër del se është goditur nga brinja sesa nga prapa apo nga shpina, plaga e të cilit nga përmasat nuk justifikon armët që disponojmë? 2 prill2Ç’mjet apo armë i ka shkaktuar tri plagë në shpinën e një viktime tjetër, dy prej të cilave janë sipërfaqësore, ndërsa e treta, megjithëse vdekjeprurëse, nuk ka as daljen dhe as mbetje plumbi apo materiali tjetër në trup sipas rezultatit të autopsisë? Plumbi i gjetur në trupin e viktimës së tretë, i kujt pistolete është?”, shprehet Ruçi përmes këtyre pyetjeve që nuk morën kurrë përgjigje. E vërteta mbetet e fshehur njëlloj si 25 vjet më parë, ndonëse që nga 2 prilli 1991, pas Gramoz Ruçit janë ndërruar plot 22 ministra të tjerë nga të dy krahët e politikës./27.al/

Please follow and like us: