Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Llalla: Kur në Greqi politika bëhej në gjuhën shqipe

Një fjalim parazgjedhor i botuar në gjuhën shqipe në gazetën greke “TO MEΛΛΟΝ ΤΗΣ ΠΑΤΡΙΔΟΣ” në vitin 1860.

 

Në revistën “Besa” të vitit 1993, është botuar faqja e parë e një gazete greke e vitit 1860. Dokumenti historik i këtij viti jo shumë të largët, është botuar në revistën “Besa”, organ i “Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë” nga Petro Filipi-Angjeli, i cili në vitin 1993 ishte kryetar i Bashkisë së Kalivias të Atikisë, njëherësh dhe hulumtues i gjuhës, i historisë dhe i folklorit arvanitas. Në këtë dokument, bëhet fjalë për një fjalim parazgjedhor në periudhën e mbajtjes së zgjedhjeve në Greqi nga dhjetori i vitit 1860, deri në mars të vitit 18611. Në atë periudhë, sipas dokumenteve historike, mbizotëronte një klimë frikësimi dhe burgimesh politike në Greqi. Zgjedhjet e vitit 1861 në Greqi i fitoi grupimi qeveritar pro mbretit, i kryesuar nga arvanitasi Athanas Miauli, i cili u zgjodh Kryeministër i Greqisë në atë kohë.

Athanas Miauli ka lindur në ishullin e Hidrës, më 1815 dhe ishte djali i arvanitasit të lavdishëm Andrea Miaulit. Ai, u rrit pranë babait në det dhe mësoi gjuhën greke nga Filip Joanu. U bë adjutant i Mbretit Otton dhe ministër i Marinës në vitin 1855. Kryeministër u zgjodh disa herë që nga viti 1857 e deri në vitin 1862. Vdiq në Paris të Francës në vitin 18672.

Fjalimi parazgjedhor i vitit 1860, është botuar për herë të parë më 29 dhjetor të të njëjtit vitit në gjuhën greke dhe gjuhën shqipe, në faqen e parë të gazetës greke, “TO MEΛΛΟΝ ΤΗΣ ΠΑΤΡΙΔΟΣ” (E ardhmja e Atdheut). Numri i parë i kësaj gazete politike dhe filologjike e Athinës u botua më 4 nëntor të vitit 1859 me titull “TO MEΛΛΟΝ ΤΗΣ ΠΑΤΡΙΔΟΣ”, me kryeredaktor Odisea Jamelon dhe vijoi të botohej me këtë titull deri nga mesi i vitit 1861. Nga numri 161 u titullua: “Μελλον της Ελλαδος” (E ardhmja e Greqisë) deri kur u mbyll në vitin 18633.

Zbulimi i këtij dokumenti historik, ka një rëndësi të madhe meqenëse është një nga dëshmitë e pakta të shkrimeve në gjuhën shqipe me shkronja greke në shekullin XIX që ka shpëtuar deri më sot, pasi kërkuesit e shkrimit të gjuhës shqipe, siç e kemi thënë në përgjithësi, janë marrë kryesisht me mbledhjen e këngëve dhe të përrallave gojore të folklorit arvanitas.

Nga teksti i fjalimit parazgjedhor, dalin qartë fakte historike se një pjesë e madhe e popullatës që jetonte në Athinë dhe në rrethinat e saj ishin arvanitas. Në shekullin XIX arvanitasit kishin ndikim të madh në zhvillimin e jetës politike në Greqi. Nga teksti parazgjedhor, duket qartë se grupi i politikanëve kundërshtarë të oborrit të Mbretit Otton dhe qeveria kryengritëse e përkohshme, që drejtonte Greqinë në vitin 1860 bënte përpjekje të mëdha për të marrë në anën e tyre arvanitasit e Atikisë dhe të Beotisë, njerëz që, nga ajo që kemi mësuar nga historia e asaj kohe, ishin konservatorë, të qëndrueshëm në bindjet e tyre besnikërie ndaj mbretit të atëhershëm, Otton. Përpjekjet për të thithur në anët e tyre, palët bënin edhe publikimin e propagandës parazgjedhore dygjuhëshe, në greqisht dhe në gjuhën shqipe, me synimin që, nga njëra anë të informohet më mirë popullsia arvanitase dhe, nga ana tjetër, ndoshta ta kenë më të lehtë edha ata kandidatë për deputetë që nuk ishin arvanitas, por grekë.

Tekstin po e paraqes ashtu siç është botuar në gazetën “E ardhmja e Atdheut” në gjuhën shqipe, të shkruar me shkronja greke dhe me disa kombinime për të plotësuar alfabetin e gjuhës shqipe. Gjatë transkriptimit vërejta se shkruesi i fjalimit parazgjedhor të vitit 1860, ka përdorur shumë fjalë greke. Po i njëjti fjalim është botuar në gazetën e kohës edhe në gjuhën greke.

Për transkriptimin e fjalimit parazgjedhor të vitit 1860, kam përdorur alfabetin e mëposhtëm me 38 shkronja. Aty ku ka pikëpresje ka kuptimin e pikëpyetjes.

A——α

B——μπ, Shpeshherë merr kuptimin mb

C——τσ

Ç——τσ+i, j

D——ντ, Shpeshherë merr kuptimin nt

DH—-δ

E——ε

Ë——è

F——φ

G——γκ, γγ

GJ—-γκ, γγ+i, ε, j

Κ——κ+α, ο, u

H——χ+α, ο, u

I——-ι, η, υ, οι, ει, υι

J——i, y, η, οi, ει, yi,+α, ε, ο, u (γ), γj

L——λ+i

LL—-λ, λλ

M—–μ

N—–ν, νν

NJ—-νi, νj

O——ο, ω

P——π

Q——χ, κ+i, ε

R——ρ

RR—-ρρ

S——σ

SH—-σσ

T——τ,ντ

TH—-θ

U——ου

V——β

X——τζ

XH—-τζ+i, j

Y——-υ

Z——ζ

ZH—-ζ+i, j

KS—-ξ

PS—-ψ

Pr’ polit të katundevet t’ ‘Athinësë

Vllezer!

Dheu ist i ljagëtë akoma ga gjakëratë të tatrevet edhe vllezrevet tuai˙ progjismë tiragnonë, apoktismë elleftherinë, ist sjum’ e madhe lipon vllastimi ndë kai gjaku të mos jemi ikano pr’ ellefteri. Tuti ata sitëtë çë ranë ndë ljuftë do të na jjapënë nemë edhe mallëkime. Na çë kemi sindagmë. Çë do thetë sindagmë;

Do thetë çë gjithë polit ka to dhikioma të frondisnjë vetëmë të dhiokisetë mirë patridha, të mos ketë të rëndë foro, to bënjë të mire nome, të mos ibenjënë konaqe, të mos ibjerë korofilaqi me vurdhulë ëdhe të tjeratë. Epedhi çë nuk boresnjënë tuti politë të mblidhenë, pse jjanë alargu njeri ga njatri dhiorisnjënë antiprosopë ëdhë ata thujenë vuleftai. Ata bënjënë atë çë do të bëinë politë ndë mblidhesinë, ëdhe çë do bënjënë ata ist i mirë bënë. Nanni katalavënni mirë çë an frondisnni të dhjorisënni të mirë njërës ata çë do vëzndonjënë simferonë tuai, njerës çë nuk borës ndonjë ti planepsënjë mos ti helqjë ga meros i tia do të jenni ëleftero si u do sindagmai an nuk frondiznni të skepsenni mirë vetëm, ëdhe ndonjë njatrë ukesënjë iti me foverë ite me simfero ahera nuk do të dhioqisenni astu çë donni, do të bënenë vuleftai ata çë nuk do frondisnjënë pr’ të mirë tuai, alla pr’ simfero tirevet, ëdhe pastai nuk do jenni eleftero si u do sindagmai. Ahera i biri i fortit nuk do ve tahtiko, alla do të kseresetë pr’ aniliko ëdhe sakat, ëdhe i biri i ftoqit do ve vetëmë; ahera do vinjë apospasmai edhe do tu kërkonjë kotta pitta edhe do tu bjerë edhe jjakanje˙ ahera do binjë ispraktori tu sjesë kudhë edhe do tu marë ndë filaqi ëno i forti lje të ketë ndë tirë miljera dhrahme nuk do të gasënë, edhe të tjeratë tu dinni˙ ëno an dhiorisënni njerës tuai çë dinë vashannitë tuai edhe një baçë horofilaqit, fjalja e ka, ëdhe një e vogëlojë paraponni do të jjetë një e madhe prosvoli ndë politi, pse politi ahera do ve ndë vërteti antiprosopi i tia edhe nuk do ti thetë “ennia su do frondisën…çë piraksën pr’ një baçë… astu ist’ qeroi..,.” alla do të ve ndë vuli të thotë edhe vuleftaitë do theresënë ipurgonë t’ epienjënë çë u bë do ti kërkonjënë ikanopjis edhe do të gjëkonetë ai çë fteksi ndë mos gjëkonetë ahera i halasën ipurgi me vulinë, edhe dinni çë pëson ipurgi; papsetë. Astu do ndreqenë punetë edhe nuk do bënenë adhiqi.

Politi! Një herë ndë tre vjjet u thëret mëma jjuai, patridha, të jipnni gnomnë tuai edhe t’ ekleksenni ata çë duanë patridhënë, duanë dhoksënë e patridhesë˙ do t’ ekleksenni ata çë do të ruanjënë të miratë tuai, ipolipsinë tuai ndë ata do venni të kljanni paraponnitë tuai edhe të këqatë çë pësonni ga eksusia, ata do t’ iperaspisnjënë dhikiomatatë tuai.

Donni të sihnni sa i math istë dhikjomai juai; vëzdoni sa të mira u taksën kuvernnisi çë do bënjë ndë githë dhimo. taksën skolinje, taksën irinodhiqie, taksën ure, u taksën tuti të miratë, arën të jipnni psifonë tuai ndë ipurgi Simo edhe ndë dhimarqi Skufo, ëdhe pastai i haron tuti. arën të daljënë vuleftai njerëz çë nuk dinë kamotë edhe vashannitë ç’ ipoferën spirti jjuai ga metavatikotë edhe ispraktoritë. Ata nuk dinë me çë kamo edhe djersë ndziri bukënë, u garkonjënë me të tjerë foro!

Donni të sihnni çë vëljen dhikiomai jjuai; vëzdonni kuvernisinë pr’ të petiqjënjë papsën dhimarhotë ëdhe dhiorisën dhimarho të tretën paredhro, ëno nomi thotë çë preps të dhiopisetë i pari paredhro tërgon psalidhoqerëtë e dhimarqisë edhe Nomarqisë pr’ tu pllanepsënjënë i tu foverisënjënë.

Polit! Sindagmai thotë çë istë paranomi Kuvernnisi t’ anakatosetë me dhinami të sajja edhe ëpirroi nd’ ëklogi, nuk’ istë pune e sajja, eklogjia iste dhikioma i lait. E sihnni fort mirë Kuvernisi pr’ simfero të sajja anakatosetë, nuk preps lipon të stinni psifo ndë ata çë u protinën, pse do ti kenni tauljetë.

Vëzdonni mirë lipon pr’ një ist’ inë zot! pr’ vllazri! pr’ gjaku ç’ u derth pr’ elefteri! Gnomi jjuai, psifojja jjuai istë elefteria jjuai, istë vji, ipolipsi edhe proodhi jjuai mos e stinni ku t’ arëni alla sillogisunni mirë pse do të skonni tre vjjet mirë i keqi, si do stronni astu do fljenni.

Gjegjiunni edhe filit i Kristit rjendit çë thotë ndë vagjel, “Kërkonni edhe do të çjonni, binni derën edhe do tu hapënjënë, pse kus kërkon çjon edhe kuz pjeh i hapënjënë” si tu thoi.

Për qytetarët të katundeve të Athinës

Vëllezër!

Dheu është i lagët akoma nga gjakrat të tatëve edhe vëllezërve tuaj; dëbuam tiranin, fituam lirinë. Është shumë e madhe, pra, vëllazërimi ndaj këtij gjaku të mos jemi të denjë për lirinë. Të gjithë ata syt që ranë në luftë do të na japin nam dhe mallkime. Ne që kemi kushtetutë. Ç’do thotë kushtetutë?

Do thotë që gjithë qytetarët kanë të drejtë të përkujdesen vetëm, të qeverisë mirë atdheu, të mos ketë të rënda taksa, të bëhen të mira ligje, të mos i bëjnë konak, të mos bjerë xhandarin me kërbaç edhe të tjera. Meqenëse që nuk mundin të gjithë qytetarët të mblidhen, sepse janë larg njeri nga tjetri, caktojnë përfaqësues edhe ata quhen deputetë. Ata bëjnë atë që do të bënin qytetarët në mbledhje, edhe çfarë do bëjnë ata është e mirë të bëhet. Nëse kuptuat mirë që po të kujdeseni të caktoni të mirë njerëz ata që do vështrojnë interesin tuaj, njerëz që nuk mund t’i mashtrojë, mos t’i tërheqë nga vetja e tij, do të jeni të lirë si ju do Kushtetuta. Nëse nuk kujdeseni të mendoni mirë vetëm, edhe ndonjë tjetër të kërcënon ty me frikësime e të këtilla, atëherë nuk do të caktoni ashtu përfaqësues atë që doni, do të bëhen deputetë ata që nuk do kujdesen për të mirën tuaj, por për interesat e tyre, edhe pastaj nuk do të jeni të lirë si ju do Kushtetuta. Atëherë i biri i të fortit nuk do të vejë ushtar, por do të përjashtohet për i parritur edhe sakat, edhe i biri i të varfërit do vejë vetëm? Atëherë do vijë patrulla edhe do t’u kërkojë pula, pita edhe do t’u bjerë edhe zverkut; atëherë do të vijë taksidari t’u shesë shtambën edhe do t’u marrë në burg, kurse i forti, le të ketë në borxh mijëra dhrahme* nuk do ta ngasën, edhe të tjera që nuk i dini. Por, nëse caktoni njerëz tuaj që i dinë vuajtjet tuaja edhe një e rrahur e xhandarit, fjala vjen, edhe një e vogël shkelje do të jetë një e madhe fyerje për qytetarin, sepse qytetari atëherë do vejë në të vërtetin përfaqësues të tij edhe nuk do t’i thotë “mos ki merak, do të kujdesem … çfarë bëhet për një të rrahur … ashtu ishte koha…”, por do të vejë në Kuvend të thotë edhe deputetët do të thërrasin ministrin të pyesin çfarë u bë do t’i kërkojnë pakënaqësinë edhe do të gjykohet ai që është fajtor, në mos gjykohet, atëherë prishet ministri me Kuvendin, edhe e dini çfarë pëson ministri? Pushohet. Ashtu do të ndreqen punët edhe nuk do të bëhen padrejtësi.

Qytetarë! Një herë në tre vjet u thërret mëma juaj, atdhe, të jepni mendimin tuaj edhe të zgjidhni ata që duan atdhenë, duan lavdinë e atdheut do të zgjidhni ata që do të ruajnë të mirat tuaja, nderin tuaj, në ata do të veni të qani padrejtësitë tuaja edhe të këqijat që pësoni nga pushteti, ata do të mbrojnë të drejtat tuaja.

Doni të shihni sa i madh është e drejta juaj? Vështroni sa të mira premton qeveria që do të bëjë në gjithë bashkitë; premton shkolla, premton gjyqe paqësore, premton ura, ju premton të gjitha të mirat, arën**, të jepni votën tuaj ministrit Simo edhe në kryebashktiakut Skufo, edhe pastaj i harron të gjitha, arën, të dalin deputetë njerëz që nuk dinë nga mot edhe brengat që vuan shpirti juaj nga kalimtarët edhe konduktorët. Ata nuk dinë me ç’punë edhe djersë nxirrni bukën, ju ngarkojnë me të tjera taksa!

Doni të shihni sa vlen e drejta juaj? Vështroni qeverinë për të arritur qëllimin pushon kryebakëtiakët edhe emëron kryebashtjak të tretë zëvendës, dhe ligji thotë që duhet të caktojë i pari zëvendës dërgon të prerin me gërshërë*** të Bashkisë edhe të Prefekturës për t’u mashtruar ose t’u frikësojë.

Qytetarë! Kushtetuta thotë që është shkelje ligjore të ndërhyjë me forcat e saj, zgjedhja është e drejta e popullit. E shihni fort mirë Qeveria për interesat e saj ndërhyn, nuk duhet pra të shtini votën në ata që propozon, sepse do t’i keni të njëjtat gjëra.

Vështroni mirë pra, për një është yni Zot! Për vëllazëri! Për gjakun që u derdh për lirinë! Mendimi juaj, vota juaj është liria juaj, është jeta, nderimi edhe përparimi juaj mos e shtini kur të harrini përpara mendohuni mirë, sepse do të shkojë tre vjet mirë i keqi, si do të shtroni ashtu do të fleni.

Dëgjoni edhe fjalët e Krishtit që thotë në Vangjel: “Kërkoni edhe do të çoni, bini derës edhe do t’u hapet, pse kush kërkon çon edhe kush pyet i hapet” si t‘u thom.

1 “Besa”, Athinë, nëntor 1993, fq. 139.

2 “Ekskluzive”, Prishtinë, tetor 2001, fq. 81.

3 “Besa”, Athinë, nëntor 1993, fq. 144.

* Dhrahmia ka qenë monedha greke.

** Për Arën duhet të bëhet fjalë për mjetin e votimin.

*** Për të prerin me gërshëra bëhet fjalë për nëpunësit e asaj kohe që visheshin me kostum dhe kravatë. Njerëzit me këtë lloj veshje tek arvanitasit bënin përshtypje të keqe.

Please follow and like us: