Jemi mësuar ta shohim mbrëmjeve në ekran, në orarin e lajmeve qendrore. Ose çdo të diel, teksa në rubrikën “Vitrina e librit”, ofron informacion për të gjithë ata që duan të mësojnë diçka më shumë për botimet e reja. Në të vërtetë, asnjëherë ose pothuaj asnjëherë (në mos në ndonjë rast përjashtues), nuk janë librat e kuzhinës fokusi i intervistave të saj me autorë ose përkthyes librash. Por kjo nuk do të thotë se kuzhina nuk e tërheq. Pra, kuzhinën e ka për zemër. Me një kusht ama: nëse nuk e sheh atë si një detyrim të përditshëm për të ushqyer veten dhe familjen. Sepse kësisoj, siç thotë, më shumë se sa kënaqësi do të ishte punë, detyrë apo detyrim.

Pse gatuani?

Nga halli! Brenda kësaj shakaje ka një të vërtetë! Nuk gatuaj shpesh, mbase një ose dy herë në javë, me përjashtim të ushqimit të fëmijëve që është i përditshëm. Ha shpesh jashtë, por sidomos tek mamaja. Dy komoditete që kanë ndikuar në dembelizmin tim për të gatuar, por kurrsesi për të shijuar. Hyj në kategorinë e njerëzve të apasionuar pas ushqimit. Nga ana tjetër, fakti që jemi vetë i dytë në shtëpi dhe me fëmijë të vegjël, na ka shndërruar në njerëz praktikë, që mjaftohen edhe me gjëra të thjeshta të sajuara aty për aty. Pastaj, oraret e mia të lajmeve ndryshojnë nga java në javë, ç’ka e bën të pamundur uljen tradicionale për të ngrënë drekë ose darkë në një tavolinë të shtruar, gjë që praktikisht ndodh vetëm kur hamë jashtë.

Kur e zbuluat marrëdhënien me kuzhinën?

Për hir të së vërtetës, kur krijova familje dhe m’u desh t’i përvesh vetë mëngët. Sidoqoftë, kuzhina më ka magjepsur prej kohësh. U nënshtrohem me kënaqësi përpjekjeve për ta bërë sa më të larmishme menunë e përditshme, edhe pse nuk është një gjë jo fort e lehtë për një njeri si unë, që më pëlqen më shumë të shijoj sesa të vë përparësen.

Receta e parë që keni gatuar? Cili ka qenë rezultati?

Pyetje e vështirë. Nuk e mbaj mend kur kam gatuar për herë të parë. Por me siguri, duhet të ketë qenë ndonjë nga ato ditët e verës, kur mamaja shkonte në punë dhe ndonjëherë më linte porosi të gatuaja mashurka, speca ose patëllxhanë të mbushura.

Gabimet që bënit më së shpeshti në fillim?

Kam qenë nxënëse e mirë. Mësoja shpejt dhe nuk bëja gabime. Ndoshta duhet të përjashtoj rastet kur kam përdorur kripën me shumicë ose një tavë me pulë e patate që thahej më shumë se ç’duhej. Po them se më shumë gabime bëj tani. Përpiqem të bëj eksperimente apo të provoj gjëra që nuk i kam gatuar kurrë. Më pisk e kam me thjerrëzat. Tre here i kam provuar dhe që të tria i kam djegur. Kam hequr dorë.

Kuzhina mësohet apo është brenda një gruaje?

Kuzhina është art dhe si të tillë e konsideroj si një gjë të lindur. Megjithatë, ka talente që falë pasionit, punës dhe vullnetit, bëhen artistë kuzhine. Mamatë tona kanë qenë heroina të vërteta. Kanë gatuar në mënyrë të shkëlqyer gjëra të thjeshta dhe me pak përbërës. Kjo është sfida më e vështirë për një kuzhinier të mirë. Që të kesh sukses në kuzhinë, duhet të praktikohesh shumë, të gatuash duke e konsideruar këtë si një zbavitje dhe jo si një detyrim të përditshëm, dhe mbi të gjitha, të lexosh shumë libra për gastronominë. Unë nuk duhet të jem shumë e suksesshme, meqenëse nuk i përmbahem asnjërës prej këtyre tri pikave. Megjithatë kam intuitë dhe jam e shpejtë, avantazhe për një kuzhinier të mirë.

Që të shkoni drejt kuzhinës, duhet një ngacmim i brendshëm apo kjo mund të ndodhë në çdo çast?

Që të merrem me gatim, së pari duhet të kem kohë të lirë, gjë që nuk ndodh shpesh sepse edhe atëherë kur krijohet një hapësirë e lirë, e shfrytëzoj për të dalë me fëmijët. Dhe po dole me fëmijët, është e padiskutueshme që në çdo lokal të ulesh, ata do të kërkojnë pica, patate të skuqura dhe kola. Është një e keqe, së cilës nuk i shmangem dot. Tani janë rritur dhe nuk pi më ujë gënjeshtra që mami nuk ka më lekë tek kuleta. Një ditë ma nxorën bojën për herë të parë dhe të fundit, duke e quajtur kurnacëri atë që për mua ishte kujdes në ushqyerje. Tani kam gjetur një hile të re: I ushqej mirë e mirë para se të dalim nga shtëpia.

A mund të gatuani me stomakun plot?

S’e kam problem të gatuaj me stomakun plot, ashtu sikundër e kam kënaqësi dhe fluturoj kur gatuaj me stomakun bosh. Pastaj problemi është se ngopem nga aromat dhe nuk ha më asgjë. Rasti klasik i çdo kuzhinieri.

Ka disa që mbështesin idenë se kuzhina funksionon si terapi (Domethënë në raste të një gjendjeje shpirtërore të rënë, kuzhina ka efekt për ta lartësuar atë…) Rasti i kundërt është: kurrë në kuzhinë me humor të rënë sepse rezultati do të ishte katastrofik. Në cilën kategori përfshiheni ju?

Për mua terapi e mirë do të ishte ngrënia e një dreke ose darke në restorant. Është një ilaç që ka dhënë gjithmonë efekt. Por terapia më e mirë janë gatimet e mamit. Ato janë pjatat më të mira në botë, që më sjellin ndërmend fëmijërinë me byrekun dhe kekun e së dielës. Kanë qenë kohëra të lumtura kur uleshim të gjithë bashkë në tryezë dhe flisnim. Edhe tani ulemi, por gjithmonë me sytë tek telefoni dhe veshët nga  televizori.

Nëse bëhet fjalë për terapi, më mirë të hysh në kuzhinën e shtëpisë apo të hysh virtualisht në kuzhina shefash që komunikojnë nëpërmjet ekranit? Cila është marrëdhënia juaj me programet televizive të kuzhinës, revistat, librat…?

Shumë vite më parë shihja me kënaqësi dhe thuajse çdo ditë emisionet e gatimit, veçanërisht atë të Rai uno-s, La Prova Del Cuoco, dhe gjithmonë mendoja: sa keq që nuk kemi dhe ne një emision të tillë. Tani për shembull, më vjen shumë mirë që Top Channel ka nisur transmetimin e Master Chef dhe suksesi i këtij formati televiziv reality, që ndërthuret me një garë të fortë, konstatohet nga fakti që ka mbërthyer pas ekranit, jo vetëm shtëpiaket, por një publik shumë më të gjerë dhe homogjen. Shoh në rrjetet sociale komentet pozitive që bëhen dhe mendoj se ushqimi në Shqipëri po shndërrohet dita ditës, jo thjeshtë në diçka të domosdoshme për stomakun, por edhe në një kulturë dhe kënaqësi estetike. Ndërkohë, falë kësaj interviste, numërova sa libra kuzhine kam në bibliotekë, plot dhjetë të tillë., që shfletohen vetëm me raste.

Çfarë ju josh më së shumti në kuzhinë: aroma, ngjyrat, vënia në punë e fantazisë…

Të gjitha kanë rëndësinë e tyre. Nuk arrij dot ta përshkruaj me fjalë ndjesinë që më japin, por janë aromat ato që më bëjnë të më shkojë goja lëng. Megjithatë, në kuzhinë jam tip tradicional dhe nuk joshem nga ngjyrat. Aq më pak të kem shpirtin e aventurës për të provuar gjëra të reja. Më pëlqen që në restorante të ndryshme, të marr gjithmonë të njëjtën gjë.

Sa rëndësi ka për ju rregullimi i mjedisit ku gatuani?  Çfarë keni pasur parasysh kur konceptuat kuzhinën tuaj?

Mjedisi në të cilin gatuaj ka dritë, ka shumë ngjyra dhe është i larmishëm në forma dhe materiale, në ndërthurjen mes drurit, granitit dhe xhamit. Këto detaje kisha parasysh katër vjet më parë kur e konceptova kuzhinën, pasi kisha parë me qindra revista arredimi. Përderisa ambienti që ideova më jep kënaqësi edhe sot, them se kam bërë zgjedhjet e duhura. Por mbi të gjitha, një kuzhinë për mua duhet të ketë rregull dhe pastërti. Rrallë më zë gjumi pa i larë enët dhe pa e lënë çdo gjë në vendin e vet.

Cila ju përshtatet me shumë: marrëdhënia me furnelën, apo marrëdhënia me tryezën e ngrënies?

Pa diskutim me tryezën. Them shpesh me vete: lum ato gra që i kanë burrat duarartë në kuzhinë. Një andrallë më pak.

 

Çfarë ka ë shumë në frigoriferin tuaj?

Në frigorifer nuk mungon asnjëherë gorgonxola, disa lloje djathërash në përgjithësi, tartufi, sallami pikant, gjalpi i kikirikut, çokollatat dhe sidomos ëmbëlsirat. Domethënë të gjithë përbërësit vrastarë për një jetë të shëndetshme dhe trup në formë. Në fakt e diskutoj shpesh edhe me miket e mia, që problemi fillon që në momentin kur dalim për të bërë pazar. Kequshqyerja jonë e ka zanafillën që në momentin kur zgjedhim çfarë do të fusim në shportën e blerjeve. Dhe për fat të keq, në shportën time nuk mungon as gjalpi. E di… Nuk do të kem kurrë një trup modeleje.

 

Cfarë ka në tryezë kur prisni miq?

Pak darka kam shtruar, por të gjitha prova të kaluara më së miri. Mobilizohem shumë dhe mundohem t’i befasoj jo vetëm me cilësi, por edhe me shumëllojshmëri e sasi. Nuk më pëlqejnë restorantet me racione minimaliste. Preferoj pjatat e bollshme, si ato që të shërbejnë në tratoritë italiane. Kjo është pak a shumë edhe filozofia e tryezave që shtroj në shtëpi, ku nuk mungojnë asnjëherë njokit me gorgonxola, makaronat me tartuf, byreku me qumësht dhe ëmbëlsirat e gatshme.

 

Rëndësia e rregullimit estetik të pjatave?

Kur shoh fotografitë në librat e gatimit, dëshpërohem që pjatat e mia nuk do të jenë asnjëherë ashtu.

Çfarë ju ka mësuar mamaja të gatuani?

Të gjitha llojet e perimeve dhe byrekun me qumësht.

 

Çfarë elementësh duhet të ketë në përmbajte një pjatë moderne që t’ju joshë?

Nuk kam probleme joshjeje me ushqimin. Më tërheq çdo pjatë e servirur bukur dhe me aromë të mirë. Aroma nuk të tradhton asnjëherë në shije./shije.al/