Albspirit

Media/News/Publishing

Ermonela Jaho, fati që e çoi nga Londra në Sidnej

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, në rolin e Cio-Cio-San në operan e famshme të Puçinit Madam Butterfly, ka tërhequr një valë vlerësimesh në Mbretërinë e Bashkuar ditët e fundit, ku gazetat e njohura e cilësuan performancën e saj si të jashtëzakonshme.

Gazeta The Guardian shkroi se ajo kishte “triumfuar” në rol.

“Jaho është perfekte për pjesën, me sy të zbrazët dhe të brishtë të nxjerra në pah nga makijazhi i bardhë që nënvijëzojnë gjendjen e saj vulnerabël. Ajo këndon me aq shumë imagjinatë dhe ngjyrë vokale,” shkroi kritikja operistike e gazetës, Fiona Maddocks.

Artikulli i UK Independent tha se ajo ishte “Cio-Cio-San më e mirë që Londra ka parë në vite”.

“Portretizimi i rolit nga sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është i freskët dhe prekës, dhe ajo tregon thellësi të pasionit dhe vulnerablitet,” jehoi the Times.

Opera legjendare nga kompozitori italian Giacomo Puçini u vu në skenë në Operën Mbretërore të Londrës më 20 mars dhe biletat për thuajse gjithë muajin janë shitur tashmë.

Jaho nuk është vlerësuar vetëm në Britani. Media ndërkombëtare nga Australia në SHBA ka folur me superlativa ndërsa ka përshkruar rolin protagonist të artistes.

Shumë janë intriguar nga fakti që sopranoja 43-vjeçare është shqiptare, ndërsa Jaho ka treguar se vendi i vogël me të shkuar komuniste, mund t’i japë operës një yll me përmasa botërore.

Jaho lindi dhe u rrit në Tiranën e periudhës Komuniste në vitin 1974 dhe pasioni i saj për muzikën filloi që fëmijë, ndërsa dëgjonte dhe përpiqej të këndonte këngë popullore shqiptare.

Në një intervistë për televizionin TV Klan në 2012 ajo tha se e ka dëgjuar La Traviatën për herë të parë vetëm në moshën 14-vjeçare në Tiranë, ndërsa përgatitej të studionte muzikë në liceun Jordan Misja.

“Kur, në aktin e fundit Violetta vdiq, qava ndërsa u preka jashtëzakonisht. I thashë tim vëllai: nuk do të vdes pa kënduar një herë Traviatën,” kujtoi ajo.

Që nga ato ditë të largëta, ajo e ka luajtur Violettën e Traviatës në skenat ndërkombëtare më shumë se 240 herë, nga Viena në Londër e në Sidnej.

Ajo studioi në liceun e Tiranës dhe më pas në Akademinë e Arteve në 1993, ndërsa vendi po përpiqej të shpëtonte nga sistemi i vjetër politik dhe të kthehej në demokraci. Ajo fitoi një bursë dhe i përfundoi studimet për muzikë në akademinë Santa Cecilia në Romë.

Vitet e kaluara në Itali ajo i kujton si të bukura, por gjithashtu dhe kohë të vështira e ndonjëherë depresionuese, pjesërisht prej idesë se suksesi i një shqiptareje në operën italiane nuk i shkonte shumë për shtat profesorëve të saj apo të tjerëve.

“Ata më shihnin sikur të kisha ardhur nga një planet tjetër dhe sikur po kërkoja për diçka që ‘nuk më përkiste’. Të gjitha këto vështirësi më çuan në një tunel depresioni ku mësova të mbijetoj e vetme, si shumë shqiptarë,” tha ajo në intervistën e viti 2012.

Duke u ndjerë viktimë e paragjykimit dhe ndonjëherë edhe në vështirësi për të siguruar ushqim, ajo ia doli ta mbante ëndrrën gjallë.

Puna e saj e lodhshme dhe talenti filluan t’i shpërbleheshin kur filloi karrierën profesionale në Itali dhe në moshën 23-vjeçare fitoi çmimin operistik Giacomo Puçini në Itali.

Shpejt pas kësaj, ajo fitoi konkurse të tjera në Itali dhe Europë ndërsa emri i saj u bë më i njohur në botën e operas europiane.

Ajo u zhvendos në Shtetet e Bashkuara në 2003 ku mundi të performojë në skenë në Nju Jork dhe Piladelfia.

Ndërkohë, ajo filloi të merrte famë botërore dhe të performonte në të gjithë botën me program të ngjeshur. Ajo fitoi Çmimin Ndërkombëtar të Operës majin e shkuar.

Megjithatë lidhjet e saj me Shqipërinë mbeten të forta dhe ajo nuk humbet mundësinë të performojë në Tiranë ndërsa viziton familjen e saj.

Në shenjë që nuk e ka harruar atdheun, ajo thotë se planifikon të krijojë një shkollë të muzikës klasike në Tiranë një ditë. Ajo nuk e përjashton idenë e kthimit të përhershëm në vendin nga ku u largua 24 vite më parë. /Fatjona Mejdini/REPORTER.AL

Please follow and like us: