Albspirit

Media/News/Publishing

Janar 1920 / Letra e Lumo Skëndos (Mit’hat Frashërit) për pavarësinë e Shqipërisë drejtuar revistës franceze «L’Europe Nouvelle»

Aurenc Bebja*, Francë – 1 Prill 2017

Revista franceze, « L’Europe Nouvelle – Evropa e Re », ka botuar më 24 janar 1920, letrën e atdhetarit, diplomatit, shkrimtarit dhe politikanit, Lumo Skëndo (pseudonim i Mit’hat Frashërit), me titullin « L’indépendance de l’Albanie – Pavarësia e Shqipërisë ».

Në Paris mbahej Konferenca e Paqes. Për këtë arsye, Skëndo (Frashëri) i shkruan drejtorit të revistës për të shprehur shqetësimin e tij në lidhje me gjendjen në të cilën ndodhej asokohe Shqipëria.

Patrioti shqiptar nuk ka nguruar të ngrejë zërin ndaj copëtimit të Shqipërisë dhe të mbrojë interesat tona kombëtare për pavarësi.

Për më shumë, ju ftoj të lexoni letrën e tij në vijim :

Zoti Drejtor,

Qarkullojnë zëra se Konferenca e Paqes ka menduar t’i japë Jugosllavisë pjesën veriore të Shqipërisë (deri në lumin Drin) në kompensim të zonës së Fiumes ; Thuhet se jugu i Shqipërisë (qarqet e Korçës dhe të Gjirokastrës) do t’i dhurohen si kurban Greqisë, dhe se Italia – si luani në fabul – do të marrë pjesën tjetër (Vlorën dhe territore të tjera nën mandat).

Me padyshim, Konferenca do të vulosë këtë vendim me fjalët : Fundi i Shqipërisë !

Në mes të shekullit të XX-të, Tri Fuqitë e Mëdha liberale të universit, Franca, Britania e Madhe dhe Italia, po shkaktojnë mbi Shqipërinë të njëjtin krim ashtu si Rusia, Prusia dhe Austria despotike kryen gjatë shekullit të XVIII-të mbi Poloninë.

Anglia, duke hyrë në Luftën e Madhe, deklaronte se ajo do të luftonte për mbrojtjen e kombësive të vogla. Zoti Clemenceau, në fjalimin që mbajti në Strasburg më 4 nëntor 1919, tha se « Krerët e qeverive të kombeve të para të Botës u mblodhën në Paris për të ribërë hartën e Evropës në emër të së drejtës së popujve për vetëvendosje. »

Presidenti Wilson, në marrëveshje me të gjithë aleatët, duke përfshirë Italinë, ka thënë se kjo luftë kolosale pati për qëllim çlirimin e popujve të shtypur, mbrojtjen e të dobtëve, triumfin e drejtësisë dhe ligjit mbi forcën brutale.

Shqipëria u gjymtua për herë të parë në 1878 ; për të dytën herë, u copëtua në 1913, në Konferencën e Londrës ; E megjithatë, kjo Konferencë, e cila u formua nga përfaqësuesit e kombeve të mëdha : Franca, Anglia, Italia, njohu një Shqipëri të vogël e të pavarur. Për shqiptarët është i rëndësishëm ky shirit (rrip) i vogël toke ; ata dëshirojnë të jetojnë, të  mos vdesin. Ata dëshirojnë pavarësinë e plotë dhe refuzojnë çdo mandat.

Pra, marrëveshja e 1913, qenka një copëz e thjeshtë letre ?

Në Evropë masakrojnë Shqipërinë, ndërsa në Azi krijohen shtete të pavarura. A është kjo ironi apo një komedi makabre ? Morali ?

 

LUMO SKENDO

Delegati i Shoqërisë Panshqiptare « Vatra »

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/janar-1920-letra-e-lumo-skendos-mit-hat-frasherit-per-pavaresine-e-shqiperise-drejtuar-revistes-franceze-l-europe-nouvelle/

Please follow and like us: